Para pak ditësh e quajti ‘joparimor’, Gërvalla niset për Austri: Merr pjesë në takimin ku do të jetë edhe Borrell
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka udhëtuar për në Austri, ku pritet të marrë pjesë në takimin “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”. Njëkohësisht, pjesëmarrës atje është edhe shefi i diplomacisë evropian, Josep Borrell. Kjo e para, vazhdimisht ka pasur kritika për këtë të fundit.
Zyra e përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell të mërkurën njoftoi se ai ka udhëtuar drejt Austrisë.
Atje, kryediplomati evropian do të mbajë takime e diskutime me ministrat e Jashtëm të BE-së që janë pjesë e iniciativës “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”.
Mes tjerash, u njoftua edhe për takime bilaterale:
“Gjatë ditës, Borrell do të mbajë disa takime bilaterale me përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor”’.
Sot ndërkaq, në Austri ka shkuar edhe kryediplomatja Donika Gërvalla. Në një komunikatë për media, nuk përmendet ndonjë takim i mundshëm me Borrell.
“Në këtë takim Ministrja Gërvalla do të paraqesë qëndrimet e Republikës së Kosovës rreth sigurisë në Evropë dhe në rajon, reformat e thella të ndërmarra për sundim të ligjit, ngritjen e nivelit të demokracisë dhe zhvillimin ekonomik, si dhe do të avokojë për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian si dhe nevojës së ndërmarrjes së veprimeve konkrete për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.” – thuhet mes tjerash.
‘Joparimor’
Donika Gërvalla në vazhdimësi ka qenë e zëshme në kritikat e saj ndaj BE-së, në veçanti ndaj Borrell dhe emisarit evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Në një intervistë dhënë para pak ditësh, ajo i cilësoi si “joparimore” qëndrimet e Borrell ndaj çështjeve që lidhen me Kosovën e Serbinë.
“Tani joparimor ka qenë qëndrimi i zotit Borrell në përgjithësi ndaj temave mes Kosovës dhe Serbisë dhe nuk është që kam pritje të larta në hapat e fundit që mund të ndërmerren dhe që duhet të ndërmerren” – tha ajo, derisa po fliste për masat ndëshkuese ndaj Kosovës.
Kur jemi te masat, Borrell tashmë ka rekomanduar heqjen e tyre përmes një raporti që ua ka dorëzuar shteteve anëtare të BE-së.
Megjithatë, siç u raportua sot, shtetet e bllokut nuk kanë pasur pajtim të plotë për heqjen e tyre dhe janë pajtuar që të njëjtat të hiqen pjesërisht e gradualisht.
Të hënën në Luksemburg pritet të mblidhet Këshilli për Punë të Jashtme i kryesuar nga Josep Borrell. Mes tjerash, në agjendën e takimit do të jetë edhe Ballkani Perëndimor.
Siç thuhet në faqen zyrtare të Këshillit Evropian, në takimin e së hënës do të ketë shkëmbim të pikëpamjeve rreth Ballkanit Perëndimor ku do të marrin pjesë edhe ministrat e Jashtëm të vendeve të rajonit, duke përfshirë këtu edhe nga Kosova.
Në media, u raportua se heqja e masave mund të jetë në rend dite në takimin e 24 qershorit.