Para 19 viteve e quajti kolaboracionist, sot Kurti i thur elozhe Rugovës: La pas një traditë të madhe politike - NACIONALE

Para 19 viteve e quajti kolaboracionist, sot Kurti i thur elozhe Rugovës: La pas një traditë të madhe politike

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka përkujtuar sot ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova.

Në 25-vejtorin e vdekjes së tij, Kurti ka postuar një fotografi me Rugovën duke shkruar se ai ka lënë pas një tradite të madhe politike.

Duket se kryeministri Kurti ka harruar se fiks para 19 viteve, ditën që kishte vdekur Rugova, partia e Albin Kurtit e kishte cilësuar ish-presidentin e kolaboracionist.

Në përkujtimin e tij për ish-presidentin, Kurti ka vlerësuar lartë kontributin e presidentit Rugova.

“Në fillet e angazhimit tim politik, më 1997, kam patur rastin ta takoj dy herë Presidentin Ibrahim Rugova, prej kur figura e tij më ka mbetur në kujtesë në trajtën e imazhit të një njeriu të urtë, paqësor dhe besnik ndaj rrugës së dialogimit në politikë. Sot janë bërë 19 vite nga 21 janari i vitit 2006, kur Dr. Ibrahim Rugova vdiq në moshën 61 vjeçare, duke lënë pas infrastrukturën e një tradite të madhe politike, institucionale dhe studimore. Si kryetari i parë i partisë Lidhja Demokratike e Kosovës që nga themelimi i saj më 1989 dhe më pas si Presidenti i Parë i Kosovës nga viti 1992 e tutje, Ibrahim Rugova luajti një rol kyç në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në fillimvitet ’90”, ka shkruar Kurti, duke vlerësuar lartë konsistencën e tij.

“Konsistenca e tij retorike me kërkesa për liri, pavarësi dhe demokraci për Kosovën, u dëgjua si një mesazh autentik dhe i besueshëm në të gjitha kancelaritë e shteteve të Evropës dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në historinë moderne të Kosovës, një dekadë e gjysmë (1989-2006) e saj është e lidhur ngushtë me emrin e Presidentit Rugova, periudhë kjo që fillon me rezistencën paqësore të viteve ’90 dhe përfundon me periudhën e ndërtimit të institucioneve të Kosovës që kulmoi me shpalljen e pavarësisë së saj më 2008”, ka vlerësuar ai.

Më tej, ai ka përmendur trashëgimin që Rugova ka lënë pas.

“Dr. Ibrahim Rugova i ka lënë Kosovës një trashëgimi të madhe politike, institucionale dhe letrare e studimore, e cila është mbledhur dhe studiuar, por që edhe më tutje pritet të njihet dhe të studiohet nga politologët, historianët, filozofët dhe kritikët e letërsisë. Në muajt e fundit, korpusit të botimeve për Presidentin Ibrahim Rugova, u është shtuar dhe një botim i veçantë për raportimet e shtypit italian dhe gjerman për Presidentin Rugova. I përgatitur për botim nga studiuesi Bejtullah Destani, ky libër mund të merret si një hyrje e mirë për t’u njohur me profilin politik të Presidentit Rugova, parë nga perspektiva e raportimeve të mediave ndërkombëtare dhe si një mënyrë për ta kujtuar atë në këtë përvjetor të vdekjes së tij. Në shenjë mirënjohje dhe respekti për Presidentin Ibrahim Rugova, në 19 vjetorin e tij të vdekjes”, ka shkruar Kurti.

Çka kishte thënë VV-ja para 19 viteve?

Krejt ndryshe kishte menduar për Rugovën Kurti dhe VV-ja para dy dekadave.

Madje, kritikat më të ashpra kjo parti për Rugovën i kishte zgjedhur t`i jap ditën që kishte vdekur.

Këto kritika ishin përmbledhur në komunikatën e Vetëvendosjes me titullin “Gjaku i humbur”.

Aty VV-ja e quante Rugovën ‘kolaboracionist’ dhe e akuzonte Hashim Thaçi për tradhti kombëtare.

“Ti që shkele mbi gjakun e Adem Jasharit dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve tjerë, është turp që ta përmendësh emrin e tij. Është turp që ta keqpërdorësh fotografinë e tij. Ti edhe Ibrahim Rugova e keni vetëm një dallim, një dallim të vogël. Ai ishte kolaboracionist sepse nuk ishte betuar asnjëherë për çlirimin e Kosovës, kurse ti je tradhëtar i kombit sepse e ke shkelur betimin e dhënë. Dallimi tjetër është se ai nuk mund të na mashtrojë më, e ti potencialisht e ke ende një mundësi të tillë. Ti që thirresh në emër të luftës dhe në emër të atyre që dhanë jetën për çlirim, pranove që në Rambuje të jetë edhe Ibrahim Rugova, njeriu që kurrë nuk e njohu UÇK–në.”, ishte thënë nder të tjera në atë komunikatë.

Lajme të ngjashme