“Pala serbe veproi mirë”, deklarata e Hillit fut në ankth elitën politike në Kosovë - NACIONALE

“Pala serbe veproi mirë”, deklarata e Hillit fut në ankth elitën politike në Kosovë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Deklarata e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, se Kosova nuk ishte e përgatitur për dialog në takimin e Brukselit, kanë nxitur reagime të ndryshme në Kosovës.

Disa figura politike dhe akademike kanë vlerësuar se deklarimet e diplomatit amerikan janë shqetësuese.
Ish-kryenegociatorja e Republikës së Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka deklaruar se këto vlerësime të ambasadorit Hill nuk janë të mira për Republikën e Kosovës.

“Ambasadori amerikan Christopher Hill deklaroi se Kryeministri Kurti nuk ishte përgatitur mirë për bisedimet e Brukselit. Kjo nuk është mirë për Kosovën. Qeveria ka detyrë t’i dal zot vendit e përgatitur mirë për çdo sfide!”, ka shkruar Tahiri në profilin e saj në “Facebook”.

Deklaratën e Hillit e ka shpërndarë në profilin e tij në Facebook edhe kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati. “More Grenellit disi ia patëm bo çarën po çka me i bo Hillit”, ka shkruar Murati.

Edhe profesori universitar, Fadil Maloku, është shprehur i shqetësuar nga qëndrimi i zyrtarit të lartë amerikan. “Kjo po më frikëson pak...! Këtu nuk janë në pyetje çështjet (teknike) e tabelave, po çështjet (politike) e Asociacionit...! Zoti e bëftë hajr!”, ka shkruar Maloku.

Ndërsa, analisti politik Petrit Zogaj ka vlerësuar se është shumë e rëndësishme për Kosovën se çka flet ky ambasador amerikan.

Sipas tij, në kuptimin politik Hill është më i rëndësishëm për procesin se Escobar.

“Në kuptimin politik, Chirs Hill është njeriu me i rëndësishëm në dialogu Kosovë-Serbi, paçka se nuk ka një post specifik në këtë proces. Escobar është vetëm personi formal që është i përfshirë në dialog, por peshën politike që Hill ka në administratën Biden dhe rolin që ky ambasador ka marrë që disa muaj duhet me u pa më shumë kujdes nga pala kosovare. Po shoh që eksponentët e partisë në pushtet, dojnë me çdo kusht me u marrë më atë se çfarë thotë Grenell në lidhje me dialogun. E di që këtë e bëjnë për hesape të brendshme politike, por është shumë e rëndësishme se çfarë thotë Hill në lidhje me këtë dialog dhe cili është pozicioni i tij karshi qëndrimeve të Qeverisë së Kosovës. Nëse lexohet me vëmendje çfarë thotë Hill dhe çfarë thotë Grenell, nuk bën ndonjë dallim të madh. Por kjo pak ka rendësi për militantet partiak përderisa Grenell tashmë e ka figurën e të urryerit në opinionin lokal”, ka shkruar në profilin e tij në “Facebook”.

Kritika e Hillit

Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka lavdëruar qasjen e Serbisë në dialogun e Brukselit.

Gjatë një interviste dhënë sajtit serb N1, ai ka thënë se Serbia ishte e përgatitur për bisedime, kurse pala tjetër jo, duke aluduar të pala kosovare.
“Të them të drejtën, pala serbe veproi mirë. E dinin se për çfarë do të flisnin, çfarë ishte e rëndësishme. Fatkeqësisht, disa prej të tjerëve nuk ishin të përgatitur për të folur për specifika", ka deklaruar Hill.

Ambasadori amerikan ka deklaruar se nëse palët duan të zgjidhin këto çështje përfundimisht, atëherë duhet folur për specifika.

"Mendoj që për të zgjidhur këto çështje përfundimisht duhet të flisni për specifika. Por, po ashtu duhet t’i vendosni këto specifika në një kontekst më të gjerë dhe konteksti më i gjerë është çështja e komunitetit serb dhe se si ky komunitet do të jetojë në të ardhmen. Për mua është kyçe që komuniteti serb të ndihet si në shtëpi në Kosovë dhe të sigurt. Pra, janë disa përpjekje për të cilat duhet të bisedohet dhe besoj që këto përpjekje do të vazhdojnë”, është shprehur Hill.

Edhe ditë më parë, ambasadori Hill e kishte lavdëruar qasjen e Serbisë në dialogun e Brukselit.

Kurti i përgjigjet Hillit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është përgjigjur në mënyrë të tërthortë deklaratave të ambasadorit amerikan Christopher Hill me anë të dy deklaratave të ndryshme që nuk lidhen logjikshëm me njëra-tjetrën.

Gjatë mbledhjes se Qeverisë, Kurti ka deklaruar se në Bruksel kanë shkuar për të folur për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, jo për gjera specifike.

“Ka qenë takim i liderëve dhe duhet të bisedojmë për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes për normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe jo thjeshtë menaxhim të krizës për probleme eventuale. Në Bruksel kam qenë si kryeministër i Kosovës. Nuk kam qenë si prokuror, as si polic, as i gjykatës, as si shef i kadastrës.”, ka deklaruar Kurti.

Kurti u duk se pranoi kritikën e Hillit se nuk kishte folur për tema specifike, por megjithatë ai pati një koment tjetër që duket se kundërshton të parin duke thënë se Serbia nuk kishte bërë propozime për kompromis.

“Deklarata se ka pasur propozime nga njëra palë dhe propozime për kompromis janë të pavërteta, ende kemi qenë të hapur mirëpo nga ndërtesa më herët ka dalur pala tjetër.”, është shprehur ai.

Lajme të ngjashme