“Pak raciste; urina e devesë”: Latifi e Kraja përplasen në komente për hebrenjtë e arabët
Një përplasje interesante ka ngjarë në Facebook pak më herët. Dy personat e përfshirë në “luftën verbale” i takojnë republikës së letrave. Më saktë, njëri është akademik, madje kryeakademik i Kosovës, ndërsa tjetri është profesor filozofie në Universitetin e Prishtinës. Gjasat janë që tashmë e kuptuat për kë është fjala; Mehmet Kraja dhe Blerim Latifi “debatuan” shkurtimisht në Facebook rreth një teme delikate. Çka ndodhi?
Blerim Latifi, profesori më i njohur i filozofisë në Kosovë, shkroi një shkrim relativisht të gjatë në lidhje me Sam Altmanin, kreun e kompanisë gjigante “OpenAI”, që u rikthye në pozicionin udhëheqës, pasi ishte shkarkuar ditë më parë.
Latifi e përmendi prejardhjen e tij hebraike, duke aluduar se ai është një “shembull tjetër në historinë e gjatë të gjenive të shkencës e mendimit njerëzor që kanë dalë nga kultura hebraike”. Sikur të mos mjaftohej me lavdërimin e hebrenjve, Latifi shkoi një hap më tutje, duke i përmendur fqinjtë e hebrenjve, që me shumë gjasë aludohet tek arabët.
Në këtë kontekst, ai përmendi “urinën e devesë”, duke aluaduar në narrativën se arabët myslimanë e lavdërojnë konsumimin e urinës së devesë.
“Sam Altman është hebre, i lidhur fort me identitetin e tij etnik. Edhe një shembull tjetër në historinë e gjatë të gjenive të shkencës e mendimit njerëzor që kanë dalë nga kultura hebraike. Kështu, derisa mendjet hebreje udhëheqin progresin teknologjik të njerëzimit, fqinjtë e tyre vazhdojnë të mahniten me cilësitë shëruese të urinës së devës dhe, pastaj, kur punët u shkojnë keq zënë e mallkojnë gjithë botën.” – shkroi Latifi.
Në këtë shkrim komentoi hiç më pak se kryeakademiku i Kosovës, Mehmet Kraja. Në interpretimin e Krajës, ndonëse nuk u lëshua shumë në sqarime, shkrimi i Latifit konsiderohej si “pak racist”.
“Pak raciste!” – shkroi rrufeshëm e shkurtimisht Kraja, i cili mori shtatë pëlqime në komentin e tij.
Përkundër që nuk e sqaroi si e sa duhet komentin e tij, Latifi zgjodhi t’i përgjigjej Krajës. Edhe Latifi shkroi shkurt, duke e kundërshtuar konkludimin e Krajës se statusi i tij ishte “pak racist”.
“Mehmet Kraja përkundrazi, është iluministe, thirrje për ndriqim të mendjes” – shkroi Latifi.
Por debati vazhdoi edhe më tutje, pasi Kraja iu kundërpërgjigj Latifit, duke ia kundërshtuar argumentin.
“Blerim Latifi jo nuk është! Peshoje mirë. Mate për vete dhe gjithkujt i bie, thoshin të moçmit” – shkroi Kraja.
Pas këtij komenti, Latifi i ktheu sërish përgjigje, duke shkruar pak më gjatë se në krye të herës.
“Mehmet Kraja nje nga pengesat kryesore qe nuk i lënë njerëzit të bëjnë tutje në rrugën e diturisë e përparimit, êshte se ata mbesin robër të të moçmêve. Shembulli ne tekstin tim flet pikerisht për këtë. Kur i thua dikujt se kjo mënyrë të menduari të ka lënë prapa, nuk është racizëm. Êshtë këshillë e mirë. Është humanizëm” – shkroi ai.
Kraja sërish i reagoi Latifit në koment.
“Blerim Latifi je shumd didakik pra, meqe racizmi nuk te duket cilesim i drejte” – shkroi Kraja, koment ndaj të cilit ende nuk ka reaguar Latifi.

