Pak figura të partisë në pushtet marrin pjesë në Marshin për Drejtësi - NACIONALE

Pak figura të partisë në pushtet marrin pjesë në Marshin për Drejtësi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ka përfunduar tashmë “Marshi për Drejtësi” me një pjesëmarrje masive. A ishin mes turmës edhe figura të pushtetit?

Vetëvendosje pardje i dha mbështetje në mënyrë publike kësaj iniciative.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! Mbështet Marshin për Drejtësi që do të mbahet këtë të diele më 2 prill prej orës 14:00 në Sheshin Zahir Pajaziti.” – thoshte kjo parti politike.

Megjithatë, as 48 orë më pas, pak figura të kësaj partie politike janë parë në mesin e dhjetëra mijëra pjesëmarrësve të marshit.

Praninë e tij e ka dëshmuar me anë të një fotografie, ish-kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri. Derisa, gazetarët e Nacionales e kanë parë në marsh edhe deputetin Jahja Kokaj.

Megjithatë, nuk është parë askund kryeministri i vendit Albin Kurti, kryekuvendari Glauk Konjufca apo ndonjë figurë tjetër e rëndësishme e partisë më të madhe në vend.

I pyetur në lidhje me Marshin për Drejtësi të enjten, kryeministri i Kosovës tha se nuk kishte dëgjuar asnjëherë për këtë iniciativë por se do të analizonte se kush ishin organizatorët.

Kujtojmë se shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Rexhep Selimi, është mes të akuzuarve për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Hagë.

Çka ndodhi në marsh?

Në këtë marsh pati një numër shumë të madh të qytetarëve që kërkonin drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen të paraburgosur në Hagë.

Nga platforma e vendosur afër objektit të Qeverisë së Kosovës, folën kryesisht figura të papërfshira në skenën politike si Bajram Qerkini, Fahrije Hoti dhe familjarë të tjerë të personave të pagjetur. Megjithatë, fjalën e mori edhe ish-kryetari i PDK-së, z. Memli Krasniqi.

Në fjalimin e tij, Krasniqi nuk bëri akuza politike ndërsa e njoftoi masën se Thaçi me ish-krerët e tjerë të UÇK-së po i ndiqnin drejtpërdrejtë nga Haga.

Kjo ngjarje u shënua pa ndonjë incident, derisa Policia e Kosovës ende nuk i ka kthyer përgjigje Nacionales për numrin e pjesëmarrësve.

Lajme të ngjashme