Paditë e ushtarëve të FSK-së për kompensimet që s'i morën kurrë: Ministria e Mbrojtjes e fajëson qeverinë Haradinaj - NACIONALE

Paditë e ushtarëve të FSK-së për kompensimet që s'i morën kurrë: Ministria e Mbrojtjes e fajëson qeverinë Haradinaj

2 vjet më parë

nga Besian Beha

Qindra ushtarë të Forcës dhe Sigurisë së Kosovës i janë drejtuar Gjykatave. Kjo për ta paditur Ministrinë e Mbrojtjes lidhur me mos-pagesën e disa shtesave dhe kompensimeve të tjera sipas Rregullores që u miratua në vitin 2020. Një pjesë e madhe e ushtarëve po i fitojnë rastet. Ministria e Mbrojtjes po e fajëson qeverinë Haradinaj që e futi në fuqi Rregulloren pa pasur analizë buxhetore. Nacionales jell detaje.

Rregullorja e cila hyri në fuqi nga 2 shkurti i vitit 2020 për pagat, shtesat dhe kompensimet e tjera në Forcësn e Sigurisë së Kosovës, po shfrytëzohet nga ushtarët e FSK-së për ta paditur Ministrinë e Mbrojtjes.

Kjo pasi, ata nuk i kanë marrë në asnjë moment kompensimet siç i parashihte kjo rregullore e cila hyri në fuqi në qeverinë Haradinaj, dhe më pas u shfuqizua më 28 korrik 2021.

Gazeta Nacionale ka mësuar nga burimet e veta se janë qindra, mos mijëra, ushtarë të FSK-së të cilët e po e paditin Ministrinë e Mbrojtjes nëpër Gjykata, si rezultat i mos-pagesës së këtyre kompensimeve.

Madje, Nacionale ka siguruar edhe disa vendime të Gjykatave të cilat shkojnë në favor të ushtarëve, dhe e detyrojnë Ministrinë e Mbrojtjes që në mënyrë retroaktive t’i kompensojnë ushtarët. Shumat të cilat Ministria obligohet t’ua paguajë ushtarëve, shkojnë nga 2 mijë e lart.

“DETYROHET e paditura Qeveria e Republikës së Kosovës-Ministria e Mbrojtjes-Forca e Sigurisë së Kosovës, që paditësit në emër të kompensimit shtesë për ngritje profesionale me gradën rreshter, për periudhën nga data 01.02.2020 deri më 28.07.2021, t’ia paguaj diferencën në shumën prej 2 mijë e 583 euro, si dhe shpërblimin jubilar për 10 vite të përvojës së punës, shumën prej 112.20 euro, në shumën e përgjithshem prej 2 mijë e 692 euro, të gjitha këto me kamatë ligjore prej 8% nga data e parashtrimit të padisë”, thuhet në një vendim që e ka siguruar Nacionale për një nga ushtarët që ka ushtruar padi.

Nacionale ka siguruar edhe vendime të tjera të cilat shkojnë në favor të ushtarëve, e të cilat obligojnë Qeverinë t’ua paguajë këto shuma ushtarëve. Megjithatë, me qëllim që atyre të mos u zbulohet identetiteti nuk do t’i publikojë.

Nacionale gjithashtu ka mësuar nga burime të ndryshme se ka raste kur Ministria e Mbrojtjes po zhvillon bisedime dhe po arrin marrëvshje të ndryshme me ushtarët që po bëjnë padi. Kjo konfirmohet nga një tjetër vendim që e ka siguruar Nacionale.

“Përfaqësuesi i autorizur i paditësve me parashtresën e datës …. Ka njoftuar gjykatën se tërheq padinë kundër të paditurës, për arsye se me të njëjtit kanë arritur marrëveshje jashtëgjyqësore për çështjen lëndore”, thuhet në një nga vendimet që ka siguruar gazeta.

Ministria e Mbrojtjes në një përgjigje për gazetën Nacionale ka konfirmuar se këto kërkesa kanë të bëjnë me kompensimin e diferencës në pagë, bazuar në rregulloren që kishte hyrë në fuqi në kohën e qeverisjes Haradinaj.

“Kërkesa e drejtuar në adresë të Ministrisë së Mbrojtjes ka të bëj me kompensim në diferencën në pagë sipas rregullores të QRK Nr.02/2020, që ka hyrë në fuqi në qeverisjen e Haradinajt pa ndonjë deklaratë të ndikimit buxhetor, gjë që ka bërë që që nga viti 2020 asnjëherë të mos gjejë zbatim si rezultat i mungesës së mjeteve buxhetore. Duke parë shumë mangësi të kësaj rregulloreje, Qeveria e Republikës së Kosovës me Vendimin Nr.10/21 datë 28.07.2021 ka pezulluar nenin 22 (Shtojca 1) të Rregullores (QRK) Nr.02/2020 për pagat, shtesat mbi pagë dhe kompensimet tjera në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, ndërsa me hyrjen në fuqi të Ligjit të Pagave kjo rregullore nuk është në fuqi”, thuhet në përgjigjen për Nacionalen.

Në fund të përgjigjes, Ministria e fajëson qeverinë Haradinaj për krejt këtë situatë.

“Pra, ankesat e tanishme janë si rezultat i rregullores të nxjerrë pa analizë buxhetore, të mbetur në suaza të premtimit elektoral të pazbatuara nga ana e vet qeverisë së atëhershme që i ka miratuar”, thuhet në përgjigjen për Nacionalen.

Shtesat në paga e kompensimet e ngjashme këtyre ushtarëve iu takonin me rregulloren e cila nuk u zbatua asnjëherë.

Lajme të ngjashme