'Harrohet' padia, Amari, protesta, mallrat serbe: Pse takimi i sotëm i Albin Kurtit me Ramiz Kelmendin është kontrovers? - NACIONALE

'Harrohet' padia, Amari, protesta, mallrat serbe: Pse takimi i sotëm i Albin Kurtit me Ramiz Kelmendin është kontrovers?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka takuar sot afaristin e shquar pejan dhe ish-politikanin Ramiz Kelmendi në zyrë të tij. Pse ky takim është kaq kontrovers?

Për më shumë arsye se që mund të mendoni.

Natyrisht, Ramiz Kelmendi kishte qenë për kohë të gjatë kundërshtar politik i Kurtit. Ai ishte pjesë e ‘gati’ çdo partie politike përveç Vetëvendosjes: PDK, LDK e AAK. Por, armiqësia dukej se kishte filluar në anën tjetër: nga Kurti.

Kjo lloj armiqësie kishte arritur kulmin në vjeshtën e vitit 2019, kur kryeministri aktual e kishte takuar madje edhe një punëtor të ETC-së që ishte larguar nga puna “për motive politike”. Deri në atë kohë, ishte e pazakontë për skenën politike të Kosovës që një politikan të sulmonte konkretisht bizneset private përmes punëtorëve apo ish-punëtorëve. Por, kishte ndodhur.

Në takimin me këtë ish-punëtor që quhej Amar Pushka, Kurti do t’i hakërrehej ashpër Kelmendit.

“Shkeljes së të drejtave të punëtorëve nga punëdhënësit shpejt do t’i vie fundi.”shprehej z. Kurti në atë kohë.

Megjithatë, sot punëdhënësi i Amarit e gjeti veten në zyrën më të rëndësishme në Kosovë, atë të Kurtit.

Armiqësia e mëhershme

Megjithatë, armiqësia mes Kurtit dhe Kelmendit ka një histori më të moçme.

Vetëvendosje e shihte Kelmendin si një prej importuesve më të mëdhenj të produkteve serbe.

Çështja kisht shkuar aq larg, sa Ramiz Kelmendi e Vetëvendosje kishin paditur njëri-tjetrin.

“Avni Krasniqi, njeri i Vetëvendosjes, që nga fillimi i vitit 2013 më ka kërcënuar me jetë dhe po m’i lypë 250 mijë euro,”kishte thënë Ramiz Kelmendi. Për këto fjalë, ai ishte paditur nga VV dhe Dardan Molliqaj në atë kohë.

Se si kishte përfunduar epilogu i gjithë kësaj është e parëndësishme, por VV i kishte vazhduar aksionet kundër kompanive të Kelmendit.

Madje, ata kishin shkuar aq larg sa të organizonin edhe protestë para ETC-së. Për këtë protestë, aktivisti i PSD-së Bardh Ahmeti, thotë se Kelmendi i kishte dhënë urdhër punëtorëve që të dilnin jashtë objektit në mënyrë që të nxiste konfrontim me aktivistët e VV-së.

Takimi i sotëm

Takimi i sotëm mes Kurtit dhe Kelmendit duket se ishte mjaft i rëndësishëm. Përveç kryeministrit, siç njofton ZKM, aty ishte edhe zv. kryeministri Besnik Bislimi, ministri Hekuran Murati dhe Luan Dalipi.

Siç njoftohet nga Kryeministria, aty ishte folur për “ambientin e të bërit biznes, për veçoritë dhe rolin e sektorit privat në zhvillimin ekonomik të vendit por dhe vështirësive gjatë krizave globale, për rolin dhe përgjegjësitë në këtë mes, dhe për bashkëpunimin ndërmjet publikes dhe privates.”

Për këtë çështje ka reaguar edhe politikani opozitar Dardan Molliqaj, dikur pjesë e VV-së, në një shkrim të titulluar “Ramiz Kelmendi, tregtari i preferuar i Krutit”.

“Një ndër importuesit më të mëdhenj të mallrave të Serbisë në Kosovë. Nuk ka asnjë parim e vlerë që nuk e shkeli Albin Kurti.” - u shpreh z. Molliqaj.

Pa asnjë dyshim, takimi i sotëm i kryeministrit Kurti me Ramiz Kelmendin nën një frymë miqësore përbën një ndryshim radikal të qëndrimit të Kurtit për këtë biznesmen.

Shënim: Për këtë artikull është kontaktuar edhe z. Amar Pushka por i cili deri tash nuk ka kthyer përgjigje.

Lajme të ngjashme