“Pa serbët nuk hapet Ura e Ibrit”, beson ish-Kryetari i Mitrovicës së Veriut
Vendimin për rihapjen eventuale të Urës së Ibrit “nuk mund ta merr askush përpos nesh”, ka thënë ish-Kryetari i Mitrovicës së Veriut i dorëhequr në nëntor të vitit të kaluar, Milan Radojeviq, përmes një postimi në rrjetin e tij në Instagram. Kjo pasi me t’u konkluduar zgjedhjet në pjesën veriore të vendit – ku komuniteti serb i bojkotoi në plotni – një vendim në Mitrovicën e Veriut për rihapjen e urës nga udhëheqësia e re (tashmë shqiptare) e kësaj komune “u pranua”. Radojeviq ka reaguar duke thënë se një vendim i tillë nuk mund të merret pa serbët.
“Vendimi për rihapjen eventuale të urës kryesore të qytetin mund të merret vetëm nga serbët, qytetarët e Mitrovicës së Veriut dhe të veriut, të cilën kanë paguar çmim të lartë që serbët të mund të vazhdojnë të jetojnë në pjesën veriore të Mitrovicës, por edhe në komunat e tyre në veri. Askush tjetër nuk mund ta marrë këtë vendim”, ka thënë Milan Radojeviq, ndërsa ka vlerësuar se pjesa veriore “nuk i mohohet askujt”.
Në lidhje me rihapjen e Urës së Ibrit, ka reaguar edhe misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovës, KFOR-i, të cilët kanë lënë të kuptohet se kjo gjë mund të bëhet vetëm përmes dialogut politik nën fascilitim e BE-së, dhe jo thjesht ashtu. “Rihapja e urës është një çështje që duhet të zgjidhet përmes dialogut politik”, kanë thënë nga KFOR-i në një përgjigje për Nacionalen të shtunen.
“KFOR-i gjithashtu vazhdon të ofrojë mbështetjen e nevojshme të sigurisë në mënyrë që përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga BE të mund të ecin përpara”.
Këtë vendim të papritur dhe me t’u konkluduar zgjedhjet (pa pjesëmarrje të serbëve) nuk e mirëpriti as vetë Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Gjatë një diskutimi në një panel në Forumin Ekonomik të Delphi-t në Athinë, Lajçak tha se është e qartë se “nuk ka atmosferë” për një gjë të tillë, e në veçanti jo në prag të takimit të Nivelit të Lartë që mbahet më 2 maj.
“Ne ende duhet të përballemi me këtë në baza ditore, derisa flasim, në Mitrovicë ka pasur kërkesë për të hapur urën dhe atmosfera dukshëm nuk është e duhur për këtë. Për këtë, unë dua që të përdor këtë panel që të dërgoj një mesazh, kjo është platform e drejtë, ky plan, është një plan “win-win”, ka shumë përfitime për të dyja palët, duhet të respektojnë vijat e kuqe. Ky plan do të sjellë stabilitet për rajonin, duhet të normalizohen marrëdhëniet”, tha ai.
Nacionale ka biseduar edhe me Kryetarin e Partisë së Serbëve të Kosovës dhe kundërshtar kyç i Listës Serbe, Aleksandar Jabllanoviq. Edhe ai është tejet skeptik se tash për tash dhe "me vendim të papritur të njënashëm" mund të hapet ura, ndonëse në eventualitet thotë se do ta mirëpriste këtë.
“Sipas mendimit tim, kjo është provokim, një mënyrë për të treguar se ne kemi kontroll mbi Kuvendin Komunal, kemi Kryetarin e Komunës. Por, një çështje e madhe siç është ura në Mitrovicë, që edhe e mbarë bota qëndron aty mbi atë urë. Besoj se ura mund të hapet vetëm kur shqiptarët dhe serbët bëjnë marrëveshje për këtë. Njëanshëm është gabim”, na tha Jabllanoviq.
“Ura hapet, ama vetëm përmes një ujdie mes serbëve dhe shqiptarëve. Sepse, kemi shumë ura mes nesh. Nëse vetëm një urë e prish paqen mes nesh në një qytet si Mitrovica, është mirë që disa gjëra të lihen kur momentet të jenë të relaksuara. Kurse sot, nuk jemi në momente të relaksuara”.
Çfarë ngjau?
Kuvendi komunal i Komunës së Mitrovicës së Veriut u mblodhën në objektin e Asamblesë, për të votuar për një pikë të rendit të ditës: hapja për qarkullim të Urës së Ibrit. E gjitha nisi pas një iniciative të asamblistes së VV-së, Aida Doli. Siç raportoi gazeta Veriu.info, me 11 pro dhe një kundër, asamblistët e këtij kuvendi komunal e kanë votuar hapjen e Urës së Ibrit./Nacionale/