Pa marrëveshje për targa mes Kosovës e Serbisë, por stikersat do të vazhdohen t'u vendosën veturave - NACIONALE

Pa marrëveshje për targa mes Kosovës e Serbisë, por stikersat do të vazhdohen t'u vendosën veturave

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot nuk është arritur asnjë marrëveshje për çështjen e targave rreth Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, duket se marrëveshja që skadon sonte do të vazhdohet të respektohet edhe më tutje.

Burimet e Gazeta Nacionale treguan se në orët e vona, Policëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë në Merdare u është dhënë urdhëri në formë gojore që të vazhdohet edhe më tutje me stikersa, përkundër që nuk ka ende marrëveshja të shkruar.

Pra stikersat do të vazhdohet t'u ngjiten targave të veturave që hyjnë e dalin nga Kosova për në Serbi dhe anasjelltas.

Një gjë e tillë, kupton Nacionale, do të vazhdojë deri në arritjen e një marrëveshje të re ndërmjet dy vendeve.

Çfarë ndodhi sot në Bruksel?

Pavarësisht se i Dërguari Special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak ishte shprehur optimist para takimeve se një marrëveshja për targat mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Negociatat në ditën e fundit kur skadon marrëveshja e përkohshme për targat, nuk u pajtuan për asnjë modalitet të ri rreth stikersave.

Duket se optimizmi i Lajçakut ishte paksa naiv.

“Ne kemi një agjendë të ngjeshur të çështjeve aktuale, duke përfshirë targat, zbatimin e marrëveshjeve të kaluara nga dialogu dhe përgatitjen e terrenit për një takim të ardhshëm të nivelit të lartë”, kishte shkruar me optimizëm Lajçak.

Takimi ndërmjet kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, homologun e tij serb Petar Petkoviq i lehtësuar emisari Lajcak, nuk prodhoi ndonjë rezultat konkret.

Për dështimin e negociatave, kryenegociatori Bislimi fajsoj palën serbe që s’ka prezantuar preferencën e saj në grupet punuese dhe s’kanë pranuar që detyra për një zgjidhje të çështjes së targave të bartet te kryenegociatorët dhe të gjendet zgjidhje për 30 ditët e ardhshme.

"Jo, fatkeqësisht nuk mund të jap lajm të mirë. Grupi ynë punues sërish është munduar edhe ditën e djeshme që të vijë deri te një draft-propozim që do të na bartej ne sot për diskutim. Fatkeqësisht ka zero gatishmëri nga pala serbe për t’u dakorduar për një zgjidhje të mundshme brenda kornizave që i ka paraparë pika e tretë e marrëveshjes e 30 shtatorit", tha Bislimi.

Sipas tij, fare pak ka pasur interesim nga pala serbe këta gjashtë muaj që të merren me kërkesat që i ka paraparë marrëveshja. Sipas Bislimit, pala serbe ka treguar se thjesht duan ta sabotojnë grupin punues.

Krejt ndryshe u deklarua kryenegociatori serb, Petkoviq, i cili e fajësoi Kosovën për mos suksesin e negociatave.

Ai shtoi se marrëveshja e përkohshme është ende në fuqi dhe se nuk ka vend për shqetësim.

“Marrëveshja e nënshkruar më 30 shtator është ende në fuqi. Duhet të jeni të qetë. Askush nuk duhet të shqetësohet. Marrëveshja për regjimin e letrave ngjitëse është ende në fuqi. Derisa të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme në një nivel të lartë, regjimi i letrave ngjitëse do të vazhdojë”, tha ai.

Petkoviq akuzoi Kosovën se nuk ka qenë e gatshme për asnjë propozim gjatë gjashtë muajve sa kanë funksionuar grupet punuese për targat.

“Nëse nuk ia dolën për gjashtë muaj, atëherë a mund ta bëjnë për 30 ditë? Ne kujdesemi për paqen dhe stabilitetin dhe do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur interesat e popullit tonë, por edhe për të shkuar drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, tha Petkoviq pas takimit në Bruksel.

Pas mbylljes se takmit pa marrëveshje, ka reaguar përsëri emisari Lajçak në Twitter

Ai njoftoi se Delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë nuk kanë arritur marrëveshje në lidhje me targat por i ftoi palët që të takohen sërish në ditët në vazhdim për të rënë dakord për këtë cështje. Lajcak poashtu bëri thirrje që palët të ruajnë qetësinë.

Sot nuk është arritur asnjë marrëveshje për targat. I ftoj kryenegociatorët të takohen sërish në ditët në vijim për të rënë dakord mbi rrugën përpara dhe për të vazhduar diskutimet për çështje të tjera aktuale. Ne presim që të gjithë aktorët të përmbahen nga veprimet, të cilat mund të rrezikojnë sigurinë në terren”, ka thënë ai në Twitter.

Për këtë mosmarrëveshje pati edhe shqetësime se mund të prodhojë tensione ne veri të vendit.

Në lidhje me mosmarrëveshjen për targa mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, ka reaguar profesori i Filozofisë Politike, Blerim Latifi.

Latifi thotë se qysh nesër mund të ketë incidente në veri te vendit.

“Nuk duhet të befasohemi nëse qysh nga nesër fillojnë incidentet e armatosura në veri. Bandat paramilitare të Vuçiqit e Putinit nuk do ta lënë pa e shfrytëzuar vakumin e krijuar nga mungesa e marrëveshjes”, shkruan Latifi në llogarinë e tij në Facebook, i cili sulmet e paradisa ditëve ndaj policisë në veri i quan “provë testuese e operativitetit të këtyre bandave”.

Marrëveshja e përkohshme për targat ishte arritur më 30 shtator 2021, pasi Kosova vendosi për reciprocitet. Kjo nxiti tensione në veri, ku serbët ngritën edhe barikada. Mirëpo, disa ditë pas, me marrëveshjen e përkohshme, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që automjetet e dy vendeve, gjatë qarkullimit në territoret e njëra-tjetrës, t’i mbulojnë me letra të bardha ngjitëse simbolet shtetërore në targa.

Kurse sonte është data kur kësaj marrëveshje i skadon afati.

Lajme të ngjashme