"Pa krye, Vuçiqi": Qysh e trazoi LDK-ja pushtetin me takimin e parë të "Rrugës së Tretë"? - NACIONALE

"Pa krye, Vuçiqi": Qysh e trazoi LDK-ja pushtetin me takimin e parë të "Rrugës së Tretë"?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot gjatë ditës Lidhja Demokratike e Kosovës mblodhi disa nga analistët e gazetarët më të njohur, për të diskutuar në lidhje me situatën aktuale në Kosovë. Në fakt, ky ishte takimi i parë në procesin që po quhet “Rruga e Tretë” e LDK-së. Gjatë gjithë ditës, pushteti dhe analistët e afërt me Qeverinë Kurti kanë komentuar këtë takim. Çka ndodhi?

Disa eksponentë të pushtetit zgjodhën gjuhë të ashpër për të komentuar mbledhjen e LDK-së me analistë e gazetarë, ndërsa disa të tjera tentuan të tallen me këtë nismë. Që në mëngjes, Avni Zogiani, zëvendësministër në Qeverinë Kurti, e shkroi një status, ku përmes një pyetjeje tentoi ta mbronte qeverinë ku është pjesë.

“Keta "gazetaret" qe kane shkuar ne kete triaden e LDK me titull, "Rruga pa Kurtin", a munden me pretendu tutje se jane te pavarur e te paanshem?!” – shkroi ai.

Ndërsa Fitore Pacolli, deputete e VV-së, bëri një shkrim absolutisht me gjuhë të papranueshme. Në formë pyetjeje, që më shumë i ngjan pyetjes retorike, Pacolli shtroi një dilemë të paqenë.

“Kjo rruga e LDK-së pa Kurtin a po i bjen rruga e LDK-së me Vuçiqin?” – shkroi ajo, duke harruar që shefi i saj, pra Albin Kurti, ka arritur një marrëveshje me Aleksandar Vuçiqin, e cila quhet “rruga drejt normalizimit”. Pra Kurti ka një rrugë me Vuçiqin drejt normalizimit.

Ndërsa deputeti tjetër i VV-së, Adnan Rrustemi shkroi një status në të cilin pretendoi se e ka kuptuar se cila është rruga e LDK-së pa Kurtin.

“Këta (LDK v.j.) besojnë që mbi veriun Serbia ka të drejtë nëse jo sa Kosova, veç ma shumë. LDK i cilëson veprimet e shtetit të Kosovës si veprime aparteidi, përndjekje, dhune e veprime kriminale, ndërkohë që rezistenca e "Mbrojtjes Civile" dhe "Brigadës së Veriut", janë veprime pacifiste kundër veprimeve të dhunshme të autotiteteve të Kosovës.

Kjo pra na qenka ''rruga pa Kurtin''.” – shkroi ai.

Në një linjë me VV-në ishte edhe Rron Gjinovci, analist dhe dikur moderator (jo edhe aq i suksesshëm). Sikurse Zogiani, edhe Gjinovci foli për mungesën e paanshmërisë së analistëve.

“Nëse tryeza e ka emrin "Rruga pa Kurtin" dhe ti merr pjesë në të, atëherë mshoj vijë fjalës paanshmëri.” – shkroi ai.\

Në vallën e kritikës ndaj “Rrugës së Tretë” hynë edhe aktivistët nga Shqipëria. Enis Sulstarova, aktivist i VV-së nga Shqipëria, shkroi dy statuse në lidhje me këtë temë.

“Rruga pa Kurtin, rrugë pa krye!” – shkroi ai në njërin nga statuset.

Çka tha Abdixhiku?

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka shkruar për herë të parë pas iniciativës së nisur sot për nxjerrjen e vendit nga izolimi ndërkombëtar. Abdixhiku është takuar sot me gazetarë e opinionistë të ndryshëm vendorë për të shpalosur qëndrimet e tij e për të marrë qëndrimet e tyre në vend. Ky takim ka ‘trazuar’ shumë analistë simpatizantë të kryeministrit Kurti që kontestuan paanshmërinë e tyre.

Shefi i LDK-së ka folur për këtë takim duke thënë që ky takim ishte pjesë e iniciativës së LDK-së për “debat të gjerë nacional mbi gjendjen dramatike në vend.”

“Vlerësojmë dhe çmojmë secilin mendim, në veçanti të atyre që këto mendime i bëjnë publike - edhe kur pajtohemi, edhe kur nuk pajtohemi me to. Vlerësojmë, mbi të gjitha, që Kosova ka nevojë për një mendim të guximshëm dhe të qartë, që rrugëtimin tonë euroatlantik e kthen në binarë.” – ka thënë kryetari i LDK-së.

“Diskutuam, trajtuam, morëm sugjerime, ide e komente dhe mbi propozimin tonë e mbi rrugën politike që të gjithë duhet ta ndërtojmë.” – shkroi tutje Abdixhiku.

Kreu i partisë më të vjetër parlamentare në vend u shpreh se do të vazhdojë takimet edhe me akterë të tjerë në Kosovës për t’u përpjekur në ndërtimin e një (sic.) “mendimi veprues”“ballafaqon theqafjen nacionale tek e cila jemi futur tash e një kohë të gjatë.”

“Rruga jonë, e së ardhmes, zhvillimit, e një Kosove njëmendtë sovrane, e barabartë mes kombeve euroatlantike, është rrugë e paalternativë. Jam i bindur se shoqëria kosovare, populli i Kosovës, ka mjaftueshëm masë kritike ta ndërtoj këtë rrugë.” - ka shtuar ai.

Në këtë takim u panë shumë analistë e gazetarë të ndryshëm si Halil Matoshi, Rrahman Paçarizi, Berat Buzhala, Arbër Vllahiu, Adriatik Kelmendi, Dukagjin Gorani etj.

Lajme të ngjashme