Pa gajle që s'i marrim gati 1 miliard euro të BE-së, Bislimi na siguron se buxheti i Kosovës është i bollshëm - NACIONALE

Pa gajle që s'i marrim gati 1 miliard euro të BE-së, Bislimi na siguron se buxheti i Kosovës është i bollshëm

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Në një kohë kur çdo cent i siguruar – qoftë në formë donacioni, huaje apo granti – bart peshën e një shpëtimi ekonomik për Kosovën, në dritën e sfidave nga ngadalësimi i rritjes ekonomike dhe inflacioni që arriti nivele historike viteve të fundit, Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i njoftuar nga Bashkimi Evropian, shënoi dritë shprese në horizontin e zymtë ekonomik të vendit.

Por, për Besnik Bislimin – Zëvendëskryeministrin e Parë në ish-qeverinë Kurti – kjo mundësi e jashtëzakonshme financiare, me një vlerë që shkon gati në 1 miliard euro dhe që potencialisht mund të transformojë strukturën ekonomike të Kosovës, nuk përbën ndonjë rast madhor për entuziazëm.

Në një postim në Facebook, me pretendimin për të “shpërndarë mjegullën e dendur” që sipas tij është krijuar rreth fondeve të BE-së, Bislimi deklaroi:

“Buxheti i Kosovës është substancial dhe vonesat që janë shkaktuar si rezultat i mosvotimit të krijimit të institucioneve, në asnjë moment nuk e vendosin buxhetin e Kosovës në vështirësi nëse fondet nga ana e BE-së nuk pranohen.”

Nga plani ambicioz i BE-së, që synon të përshpejtojë integrimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregun unik evropian dhe të nxisë zhvillimin përmes investimeve strategjike, Kosova do të përfitonte rreth 950 milionë euro – një shumë që për vendin më të varfër në Evropë përbën një infuzion financiar të jashtëzakonshëm.

Për gazetarin dhe analistin Lirim Mehmetaj, Bislimi duhet të jetë duke folur për “buxhetin e tij personal” – si e vetmja mënyrë, sipas tij, për t’i dhënë kuptim deklaratës së tij. Mehmetaj kujtoi se Kosova vazhdon të mbetet vendi më i varfër në Evropë dhe se jo vetëm 950 milionë, por çdo cent ka rëndësi.

“Bislimi, kur flet për mosvendosje të buxhetit në vështirësi, ai e ka fjalën për buxhetin e tij personal e familjar. Ai nuk është i varfër, as nuk i janë ndalur burimet e financimit. Kosova, përndryshe, është shteti më i varfër në Evropë e ndër më të varfrit në botë. Çdo cent është i rëndësishëm për shtetin më të varfër në Evropë, por siç shihet edhe nga ky deklarim, Bislimi jeton në Kosovë vetëm fizikisht. Ai edhe mendjen, edhe standardin e ka jashtë Kosovës. Kosovës ia merr vetëm paratë e privilegjet. – tha Mehmetaj për Nacionalen.

Vetë Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ishte tejet optimiste në vlerësimin e potencialit të këtij plani, duke deklaruar:

“Aktualisht, ekonomitë e Ballkanit Perëndimor janë në 35% të mesatares së BE-së. Plani i Rritjes ka potencialin të dyfishojë madhësinë e tyre brenda kësaj dekade, pra brenda këtij mandati.”

Nga shuma totale prej 6 miliardë euro të ndara për vendet e Ballkanit Perëndimor, rreth 3 miliardë euro në formë kredish afatgjata do të shërbejnë për forcimin e buxheteve kombëtare, ndërsa 3 miliardët e tjera do të shpërndahen përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF). Brenda kësaj kornize, 2 miliardë euro janë parashikuar si grante dhe 1 miliard euro si kredi.

Lajme të ngjashme