OVL e UÇK-së reagon pas deklaratave të ambasadorit gjerman: Po e përgatisin opinionin për një vendim të shkruar diku tjetër - NACIONALE

OVL e UÇK-së reagon pas deklaratave të ambasadorit gjerman: Po e përgatisin opinionin për një vendim të shkruar diku tjetër

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Një deklaratë e fundit e ambasadorit gjerman Rainer Rudolph ka nxitur reagime të ashpra në Kosovë, duke hapur debat mbi integritetin e procesit gjyqësor në Hagë.

Kryetari i OVL UÇK, Hysni Gucati, ka reaguar publikisht, duke ngritur dyshime serioze për ndikime të jashtme në vendimmarrjen e Gjykatës Speciale. Sipas Gucatit, fakti që tema e “dënimeve apo lirimeve” po diskutohet nga ambasadorë ndërkombëtarë pikërisht në prag të vendimit, nuk është rastësi.

Ai e cilësoi këtë si përpjekje për të përgatitur opinionin publik për një vendim që, sipas tij, “duket se tashmë është i shkruar diku tjetër”.

Ky është reagimi i plotë i Gucatit:

Deklarata e ambasadorit gjerman Rainer Rudolph ngre dyshime serioze për procesin gjyqësor në Hagë. Pse po ngrihet kjo temë pikërisht tani nga ambasadorët, në prag të vendimit të Gjykatës Speciale? Kjo është përpjekje për ta parapërgatitur opinionin për një vendim që duket se tashmë është i shkruar diku tjetër. Nuk është neutralitet nëse ambasadorët flasin për “dënime apo lirime”, por është paragjykim i hapur i procesit dhe sinjal i qartë i ndikimit të jashtëm. Drejtësia nuk duhet as të diktohet, as të parapërgatitet dhe as të ndërtohet me mesazhe diplomatike. Asnjë vendim, absolutisht asnjë, që e cenon luftën tonë, nuk do të pranohet. Nuk e lejojmë askënd të luajë me sakrificën tonë!

Edhe deputeti PDK-së, Artan Behrami, ka reaguar pas deklaratës së ambasadorit gjerman Rainer Rudolph, i cili kërkoi pranimin e vendimit të Gjykatës Speciale për krerët e UÇK-së.

Behrami theksoi se qytetarët e Kosovës kanë dëshmuar ndër vite se i respektojnë vendimet e gjykatave të pavarura, por sipas tij, një verdikt që vjen nga një proces i padrejtë dhe me shkelje nuk mund të pranohet.

Ai shtoi se institucionet e Kosovës kanë bashkëpunuar plotësisht me këtë gjykatë gjatë pesë viteve të fundit, duke përmbushur edhe kërkesa që i cilësoi si të rënda dhe të panevojshme. Sipas tij, shtetet që e financojnë gjykatën kanë obligim që vendimi të bazohet vetëm në faktet e paraqitura në sallën e gjyqit.

Në reagimin e tij, Behrami paralajmëroi se verdikti nuk duhet të shfrytëzohet për qëllime politike, hakmarrje apo për rishkrim të historisë në favor të Serbisë, por duhet të jetë i drejtë, i paanshëm dhe në funksion të forcimit të drejtësisë dhe shtetit të Kosovës.

Lajme të ngjashme