Osmani “ul tonet” kur pyetet për marrëdhëniet me Kurtin: Të bëhemi sërish bashkë, t’i bashkojmë forcat - NACIONALE

Osmani “ul tonet” kur pyetet për marrëdhëniet me Kurtin: Të bëhemi sërish bashkë, t’i bashkojmë forcat

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidentja e vendit Vjosa Osmani nga New Yorku ku po qëndron për vizitë zyrtare, ka folur në një intervistë për Zërin e Amerikës. Osmani në këtë intervistë të shkurtër në fokus pati kryesisht marrëdhëniet Kosovë-ShBA të cilat i ka quajtur jetike. Por insistimi i gazetarës ishte të flitet edhe për mënyrën se si Kurti po vepron në këtë kontekst dhe dallimet ndërmjet Presidentes e Kryeministrit, por Osmani në këto pyetje u përgjigj duke bërë thirje për ribashkim.

Në pyetjen e Zërit të Amerikës se, “Objektivin (me Kurtin) e keni të njejt por mënyra se si do të shkoni deri atje, mund ta ngadalsoj procesin e Kosovës, apo jo?

Osmani është përgjigjur, “Ne duhet të bëjmë atë që në ShBA dhe në ushtri e quajnë “regroup” and “reorganize”. Pra, të bëhemi sërish bashkë, t’i bashkojmë forcat sepse interesi i Kosovës është përtej dallimeve që mund t’i kemi. Ne e shohim që në këtë moment kur ka luftëra në botë, Kosova nuk është top prioritet në botë, jemi pak për të qenë të ndarë.” – është shprehur Osmani.

Sa i përket progresit të shtetit ajo ka thënë se “nganjëherë shkon më ngadalë e nganjëherë më shpejt”.

Osmani tutje është shprehur se e ka ri-marrë konfirmimin e Presidentit Biden se Kosova është ndër sukseset më të mëdha të historisë së ShBA-ve. Duke vazhduar se “këtë duhet ta ruajmë me çdo kusht”.

Marrëdhëniet me aleatët

Kosova është nën sanksione nga Bashkimi Europian, ndërkohë që ambasadori i ShBA-ve ne Kosovë Jeff Hovenier e ka përshkallëzuar gjuhën për t’a thjeshtësuar raportin që Kosova duhet të ketë me aleatët e me organizatat ku mëton të anëtarësohet.

ShBA – Policia

Shetetet e Bashkuara të Amerikës e kishin “akuzuar” Qeverinë e vendit se po e instrumentalizon policinë.

“Përderisa qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës gjatë shumë viteve si pjesë e angazhimit tonë për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin, instrumentalizimi i vazhdueshëm i Qeverisë i Policisë së Kosovës për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premtimet e Kosovës për "vazhdim të konsultimit dhe koordinimit me komunitetin ndërkombëtar" – kishte thënë Ambasada Amerikane pas një aksioni në veri të PK-së

Ndërkohë gjatë të enjtes, Policia e Kosovës me anë të një komunikate për media deklaruan se “I marrin seriozisht kritikat e ShBA-së dhe se keqkuptimet duhet të eliminohen”

Përveç Policisë së Kosovës, ndërkombëtarët vitin e kaluar e përjashtuan edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës nga “Defender 2023”, një ushtrim i rëndësishëm i FSK-së me NATO-n. Në një bisedë me gazetarët, Jeff Hovenier, ambasador i ShBA-së, kishte treguar për përjashtimin, duke theksuar se “shtëpia është në flakë”.

“Treguesi i parë i kësaj ishte vendimi që u mor natën e shkuar nga komandanti amerikan për Evropën për të anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në Defender Europe 2023, gjë që ndodhi gjatë natës” – kishte thënë Hovenier vitin e kaluar, raporton Nacionale.

Në lidhje me këtë përjashtim kishte pasur shumë reagime, posaçërisht nga opozita, e cila kishte alarmuar për raportet e ftohura mes Kosovës dhe ShBA-së.

Natyrisht, nuk kanë munguar as masat ndëshkuese nga ana e Bashkimit Evropian. Në fakt, masat ndëshkuese të vendosura vitin e kaluar për shkak të dërtimit me polici të kryetarëve të veriut në objektet komunale, janë ende në funksion. Këto masa në vazhdimësi janë kritikuar nga ana e pushtetit në Kosovë, të cilët kanë bërë thirrje që ato të hiqen.

Nacionale kishte raportuar në nëntor të vitit 2022 në lidhje me problemet që ministrat e Qeverisë Kurti II dhe disa bashkëpartiakë kanë pasur me viziat e udhëtimit për në Amerikë. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ishin njoftuar nga ambasada e ShBA-së në Prishtinë se vizitat e tyre në Amerikë nuk mund të realizoheshin.

“Ne jemi në një krizë tani. Ne jemi shumë të fokusuar në këtë krizë; ne besojmë se kjo qeveri është shumë e fokusuar në këtë krizë. Kjo nuk është domosdoshmërisht koha më e përshtatshme që ministrat të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara për takime zyrtare, duke pasur parasysh krizën që duhet trajtuar këtu” – deklaronte zëdhënësja e ambasadës amerikane, Katherine Judd, raportonte Nacionale.

Shtyerjen e takimit e kishte konfirmuar vetë Haxhiu, ndonëse nuk e kishte quajtur “anulim”.

“Marrë parasysh situatën aktuale politike në vend, bashkërisht kemi konsideruar se duhet ta shtyejmë për një datë më të përshtatshme vizitën. Lajmet se më është refuzuar viza dhe lajmet tjera lidhur me viziten, ndryshe nga ky shpjegim, nuk qëndrojnë pra janë të pavërteta” – kishte shkruar Haxhiu.

Lajme të ngjashme