Osmani sulmonte mediat dikur për Martin Berishajn, tash me fjalë krejt tjera: Çka thoshte ajo?
Nga “ne i besojmë” e deri te “më mirë do ishte të largohej” – këto janë dy qëndrimet e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, të dyshuar për skandalin financiar me energjinë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për Kallxo.com, ka ndryshuar mendimin e saj për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishajn.
Vjosa dikur
Osmani në kohën kur kishte shpërthyer skandali financiar me Martin Berishajn, kishte sulmuar mediat dhe i kishte dalë në mbrojtje ambasadorit Berishaj.
“Kjo s’është pyetje, është konstatim. Është për keqardhje se si ju konstatoni një gjë për një ambasador të Republikës së Kosovë se cila nuk është konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë, por është shkruar nga një media për të cilën ambasadori e ka mohuar në tërësi dhe do t’i ndjekë rrugët ligjore” – kishte thënë ajo pas skandalit.
Ajo kishte thënë se i besojnë ambasadorit Berishaj, teksa e kishte citur edhe presidentin amerikan, Joe Biden, si ndërlidhje për këtë rast.
“Kurse sa i përket atyre që publikohen dua ta potencoj atë që e them vazhdimisht siç e ka thënë presidenti Biden rreziku më i madh në raport me demokracitë tona nuk janë vetëm tanket por edhe dezinformatat. Kështu që si presidente unë pres që për çdo çështje që publikohet të konfirmohen dhe ne i besojmë ambasadorit të Republikës së Kosovës kur mohon akuza të tilla dhe natyrisht ai do të drejtojë të gjitha këto çështje në organet e drejtësisë dhe të gjithë presim organet e drejtësisë para se të konstatojmë diçka siç u konstatua” – kishte thënë ajo.
Por çfarë thotë tash Osmani për Berishaj?
Tani presidentja Osmani mendon se Berishaj duhet të shkarkohet nga detyra derisa të përfundojnë procedurat hetimore ndaj tij.
Ajo ka treguar se herën e fundit kur ka qenë në Kroaci, nuk e ka takuar ambasadorin Berishaj.
“Nuk kam pasur komunikim me të, nuk e kam takuar. Nuk ka qenë me mua në vizitën e fundit (në Kroaci). Sepse kështu kam vendosur. Nuk ka pasur nevojë sepse e kam pasur stafin tim, dhe mendoj që ka shumë gjëra që duhet të sqarohen për të mirën e të gjithëve dhe për të mirën e imazhit të politikës së jashtme të Kosovës. . Është mirë të largohet. Unë dua që institucionet e drejtësisë të japin fjalën e vet dhe më e mira në raste të tilla dhe më e mira do ishte që derisa të kryheshin procedura të tilla ai të largohej nga ajo pozitë. Nuk mundet presidentja me shkarku dikë në krye në vete sepse është procedurë. Unë në disa raste kam kërku që në qoftë se kjo çështje nuk sqarohet do të ishte më mirë që ai me u tërheq vet. Në takime të përbashkët që i kemi bë, kryesisht Ministrisë së Jashtme” – ka thënë ajo të dielën më 8 shtator 2024.
Ndërkohë, analistët e politikës e kanë kritikuar Osmani për ndryshim të qëndrimeve, duke thënë se tash ajo ka ndryshuar mendim për shkak të krisjes së raporteve me Qeverinë e Kosovës, konkretisht me kryeministrin, Albin Kurti.
“Presidentja Osmani për Martin Berishajn dikur dhe tash. Cilës Vjosë me i besu?” – ka shkruar analisti Imer Mushkolaj në Facebook.
“Tash pas hidherimit me Kurtin, presidentja Osmani paska kerkuar shkarkimin e Martin Berishajt. Por, ne ditet kur skandali kishte shperthyer dhe Berishaj duhej te shkarkohej, Osmani i “besonte plotesisht ambasadorit tone”.” – ka shkruar gazetari, Parim Olluri.
Kujtojmë se Martin Berisha, drejtuesi i Ambasadës në Kroaci, është përfshirë në një skandal të madh në Slloveni pasi ishte zënë duke marrë para kesh në një institucion financiar në vlerën që shkonte në 600 mijë euro, e për të cilën gjë Nacionale ka raportuar vazhdimisht.
Berishaj para disa muajve është intervistuar nga Prokuroria Speciale në Kosovë.