Osmani shpjegon arsyen e veshjes me ngjyra ushtarake: Nuk ka mesazh politik
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës së sotme në komandën e FSK-së, të forcave tokësore që gjendet në Istog, mbante një veshje me ngjyra ushtarake, arsyen e së cilës e tregoi në Rubikon të Klan Kosovës.
Ajo tha se veshja e saj nuk kishte të bënte me situatën në vend, por me demonstrimin e Forcës së FSK-së.
“Pra kanë qenë disa ushtrime në terren që automatikisht kërkojnë që cilido që merr pjesë aty të ketë një veshje tillë”, është shprehur Osmani.
Ao më tej ka shtuar se ngjyrat janë ushtarake, e jo domosdoshmërisht luftarake.
“Ngjyrat janë ushtarake, jo domosdoshmërisht luftarake. Në çdo fundvit, presidentja bën adresim para ushtarëve, e njëjta është bërë në vitin 2020, 2021, dhe 2022. Është shndërruar në traditë, në mënyrë që të kem mundësi të falënderoj ushtarët dhe komandën për punën e tyre. Sa i përket veshjes, sot kemi qenë në komandën e FSK-së në Istog, arsyeja e veshjes që nuk është në fakt pjesë e uniformës, por është veshje taktike, ka qenë edhe demonstrim i forcës së sigurisë së Kosovës në terren, dhe cilido që shkon, duhet t’i veshë,” ka thënë Osmani.
E pyetur nëse veshja kishte të bënte me situatën aktuale, presidentja u përgjigj me jo, duke thënë se nuk ka ndonjë mesazh politik, por është çështje e protokollit ushtarak.
