Osmani për raportin me Kurtin: Dallimet i tejkalojmë kur të vendoset interesi qytetar e shtetëror - NACIONALE

Osmani për raportin me Kurtin: Dallimet i tejkalojmë kur të vendoset interesi qytetar e shtetëror

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur edhe një herë për marrëdhëniet me Qeverinë e Kosovës, pas “përplasjeve” sa i përket hartimit të draft statutit për Asociacionin dhe dërgimit të të njëjtit në Gjykatën Kushtetuese.

Osmani fillimisht para gazetarëve ka thënë se nuk ka luftë politike, por sipas saj, ajo po kërkon vetëm që të respektohet Kushtetuta e Kosovës.

“E para nuk ka luftë politike, presidentja kërkon vetëm e vetëm që të respektohet Kushtetuta e Republikës, territorit, funksionaliteti, apo parimi dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese sa i përket dokumentit të vitit 2015. Këto janë parime bazë që kam kërkuar të respektohen, e po bëhen më shumë se 10 vite. Atë qëndrim që kam pasur si deputete, të njëjtin edhe sot.” – u shpreh ajo.

“…kam shprehur shqetësimet për tri tema në atë status, para se të flasim për zbatim, procedurat janë të qarta. Nuk ka asnjë luftë politike, si presidente luftoj vetëm për kushtetueshmërinë.” – tha ajo.

Presidentja e vendit ka folur edhe për deklaratën e kryeministrit Kurti, i cili të martën u shpreh se “çdo dallim është i tejkalueshëm”. Sipas saj, dallimet tejkalohen kur së pari vendoset interesi shtetëror e qytetar.

“Po e shoh që keni një unanimitet sa i përket kësaj pyetje, meqenëse po e shoh se ka interesim, kur vendoset interesi shtetëror dhe qytetar, mbi të gjitha, çdo dallim është i tejkalueshëm. E dini cili ka qenë dallimi, kemi folur publikisht, është e domosdoshme që të gjitha institucioneve, të gjitha partitë politike, të ulemi dhe të reflektojmë. Për mua temat e interesit nacional nuk janë detaje të parëndësishme, janë tema që kërkojnë kontributin e secilit prej nesh. Kur ulemi së bashku e vendosim, atëherë domosdoshmërisht rezultati do të jetë i mirë, siç ka dëshmuar historia për këto 25 vite.” – u shpreh Osmani tutje.

“Nuk ka pasur përplasje, ose më fal Osmani-VV, presidentja nuk mban raport me parti politike, është ndërinstitucional, është normale e detyrë e të gjitha institucioneve që të bashkëpunojnë në interes qytetar, duke u bazuar në parimin e ndarjes së pushteteve.” – tha ajo në fund.

Çka tha Kurti?

Presidentja Osmani kishte reaguar ashpër për letrën që Qeveria ia kishte dërguar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës rreth Asociacionit.

Ajo më pas, i kishte quajtur edhe qesharake arsyet se pse nuk ishin informuar rreth një gjëje të tillë. Kryeministri Albin Kurti ndërkaq, duke folur mbi këto mosmarrëveshje, ka thënë se me Osmanin e zyrtarët e lartë të tjerë, kanë edhe dallime.

“Ne kemi bashkëpunim të ngushtë. Kjo nuk do të thotë që edhe me kryeparlamentarin Konjufca dhe ministren e jashtme Gërvalla dhe presidenten Osmani, nuk kemi pasur diskutime, nganjëherë dallime, por unë nuk besoj që ka të tilla të cilat janë të pakalueshme apo që bëhen kundërthënie”- u shpreh Kurti.

Lajme të ngjashme