Osmani nesër fillon vizitën zyrtare dy ditore në Shqipëri, takim “kokë me kokë” me Ramën
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të zhvillojë vizitë zyrtare në Shqipëri më 4-5 shtator 2023, me vizitë të homologut të saj, Bajram Begaj, nga i cili do të pritet fillimisht në Tiranë. Sipas agjendës, Osmani në këtë vizitë do të ketë edhe dy takime me kryeministrin, Edi Rama. Njëri takim do të jetë “kokë më kokë” dhe pas tij pritet takimi mes dy delegacioneve, atij të Osmanit dhe Ramës.
“Ora 12.30-12.45 – Takimi tête-à-tête midis Sh.T. Z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Sh.S. Dr. Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës Ora 12.45-13.00 – Takim midis dy delegacioneve te kryesuara nga Sh.T.Z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe SH.S.Znj. Vjosa Osmani Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës.” – bëhet e ditur sipas agjendës.
Osmani në Shqipëri do të takohet edhe me kryetaren e Kuvendit të atjeshëm, Lindita Nikolla, si edhe do të vizitojë qytetin e Beratit dhe të Durrësit.
Raportet Osmani-Rama
Deri tash, raportet mes presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama kishin qenë mjaft të vështira.
Rama ka bërë një fushatë të madhe për të dëshmuar padrejtësinë me të cilën po përballej në Hagë, ish-presidenti Hashim Thaçi, një nga kundërshtarët më të mëdhenj politikë të Osmanit. Ai madje në disa raste i është referuar Thaçit si “president” dhe jo si “ish-president”.
Në anën tjetër, ‘vështirësisë’ në raporte besohet t’i kenë kontribuuar edhe problemet e Ramës me kryeministrin Kurti.
Dhe se raporti Rama-Osmani nuk ishte shëndoshur e dëshmoi edhe fillimi i muajit qershor. Të dy ishin pjesëmarrës në samitin e Moldavisë dhe zhvilluan një numër të madh takimesh, por asnjëri e as tjetri nuk e postuan ndonjë fotografi të përbashkët.
Pikërisht në atë kohë, kryeministri shqiptar e kishte informuar publikun për dorëzimin e një draft-statuti të Asociacionit në Bruksel, çka kishte rritur kritikat nga mbështetësit e VV-së për të.
Në një nga kritikat më të ashpra të saj ndaj Edi Ramës, presidentja Osmani kishte thënë edhe se nuk duhej t’i shpëtohej fytyra Serbisë.
“...unë e përmenda se cilat janë dallimet tona, unë nuk mendoj që qasja ku politikanët shqiptarë pavarësisht se a janë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut Mali i Zi, Presheva, shndërrohen në apologjetikë të politikave të Serbisë, është diçka që i ndihmon qoftë Kosovës, qoftë shqiptarëve" – kishte thënë ajo.
Dy muaj më parë, presidentja Osmani dhe kryeministri Rama u panë së bashku në një darkë në Ulqin të Malit të Zi, madje në mesin e tyre ishte edhe kryeministri i atjeshëm, Dritan Abazoviq.
Presidenti Begaj në Kosovë
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj kishte vizituar për herë të parë Kosovën më 24 korrik, ku kishte qëndruar dy ditë.
Begaj kishte ardhur në Kosovë me ftesë të homologes së Kosovës, Vjosa Osmani.


