Osmani në predikament të rëndë nga ‘fjalët’ për Trump: “E mendon veten si lidhja amerikane, e papërgjegjshme”
Fjalët që i përzgjodhi ishin “flare up”.
Çka në shqip do të përkthehej si “ndezje”, si në rast zjarri – mes Kosovës dhe Serbisë – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se u parandalua nga Donald Trump, President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Flare up, nëse mund ta quaj kështu”, tha Osmani ishte ajo çka Donald Trump parandaloi në mes të Kosovës dhe Serbisë “bash, bash kohëve të fundit”.
Iu referua disa deklarimeve që Trump i ka bërë recitale të shpeshta në konferenca për shtyp, kur numëron disa konflikte potenciale anekënd botës që thotë t’i ketë parandaluar.
“Dhe e tërë kjo ka ndodhur javëve të fundit, apo jo Marco Rubio?”, është referenca që është nxjerrë nga Donald Trump si pyetje ndaj Kryediplomatit amerikan. Ky i fundit, as s’ka miratuar as mohuar gjë.
Osmani në dy raste i ‘konfirmoi’ fjalët e Trump se “po”: Trump ka parandaluar konflikt Kosovë – Serbi “kohëve të fundit”. Dhe, këtë, ajo ta ketë marrë nga “brifingjet e sigurisë” që pranon ajo si e para e shtetit. Askush s’dinte gjë për se bëhet fjala.
Por, Osmani e gjeti veten para një predikamenti të madh, kur Richard Grenel, Emisari i Trump për Misione të Posaçme në Botë doli me një përgënjeshtrim të Vjosa Osmanit.
Fjalët e Osmanit ai i quajti “të tuprshme” dhe “manipuluese”.
“Asgjë të re”, tha Grenell në reagimin e tij ku i veshi “manipulim” nga ana Osmanit fjalëve të Donald Trump. Krejt çfarë ka thënë Trump, sipas tij, kishte të bënte me kohën e Marrëveshjes së Uashingtonit. Marrëveshje kjo e demonizuar deri skajshmërisht nga asokohe Vjosa Osmani si partnere e madhe e Albin Kurtit, ku kjo ujdi pretendohej të kishte shkelur rendin kushtetues të vendit. Sot, krejt tryezat mbrapsht, Osmani e lartësoi këtë marrëveshje dhe madje pretendoi se “është zbatuar”.
Për gazetarin Lirim Mehmetaj, kjo përkthehet në papërgjegjësi të Vjosa Osmanit, e cila, sipas tij, veten e paramendon si të perceptuar në popul si “lidhja amerikane”.
“Siç keni mundur ta vëreni, Osmani as nuk e ka idenë se për çfarë po fliste Donald Trump në deklaratën e tij, e as nuk e ka sot. Ajo, e mësuar të lëshojë deklarata të papërgjegjshme në vazhdimësi, për faktin se tashmë e di që në terren vendor nuk prodhojnë kurrfarë pasoje, vendosi ta lëshojë një tjetër mashtrim të tillë për mburrje personale, me idenë e njëjtë që askush s’merret me atë punë”, tha Mehmetaj për Nacionale.
“Osmani e ke njëfarë mendimi rreth vetës që populli në Kosovë e percepton atë si lidhja amerikane, si shtylla ku mbështetën raportet dhe këtë e ka parë si rast të mirë për ta forcuar atë ide. Në fakt kjo është veç një fëmijë i llastuar që s’e kupton as pozitën që mban e as përgjegjësinë që vjen me atë pozitë”, tha ai.
Visar Ymeri, studiues në Institutin Musine-Kokalari, e sheh reagimin e Grenelit të nxitur nga Osmani (e kaluara) dhe qasjen që kjo e fundit kishte manifestuar ndaj Marrëveshjes së Uashingtonit. vNdërsa për deklarimet e Osmanit, ai këshillon “kujdes” nga keqelximet dhe keqinterpretimet që mund të kenë akterë vendorë të shtetit.
“Reagimi i djeshëm i Richard Grenell ndaj deklaratave të Presidented Osmani për rrezikun prej një sulmi eventual të Serbisë ndaj Kosovës duken të jenë më shumë reagim që evokojnë marrëdhëniet e tendosura në të kaluarën se sa që flasin për të tashmen”, tha Ymeri për Nacionale.
“Për sa si përket ndaljes së një sulmi të Serbisë ndaj Kosovës, për këtë ka folur vet Presidenti Trump. Pra nuk është shpik një gjë e tillë nga Presidentja Osmani. Mirëpo zyrtarëte Kosovës duhet të jenë të kujdesshëm e të mos keqinterpretojnë e të keqlexojnë deklaratat që vijnë nga Shtëpia e Bardhë, për shkak të ndjeshmërisë e sjelljes jo konvencionale të Presidentit Trump. Me gjasë reagimi është kogja shumë i nxitur edhe nga qasja që Presidentja Osmani e ka pasur karshi Marrëveshjes së Washingtonit dhe ndryshimit rrënjësor të kësaj qasjeje tash. Grenell ka qenë arkitekt i kësaj Marrëveshjeje dhe insistuesi kryesor i nënshkrimit të saj”, tha mes tjerash ai.
Vjosa Osmani ka paralajmëruar se porsa të kthehet në Kosovë “nga mesi i javës” do të mbajë konferencë për shtyp rreth deklarimeve të Grenellit.