Osmani më në fund viziton rajonet më të prekura nga vërshimet, kërkon angazhim e solidaritet - NACIONALE

Osmani më në fund viziton rajonet më të prekura nga vërshimet, kërkon angazhim e solidaritet

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ndërkohë që në shumë rajone të Kosovës ka pasur vërshime e përmbytje të shkaktuara nga reshjet e vazhdueshme të shiut, pas shumë kritikave që i janë bërë presidentja Osmani më në fund është bërë e gjallë, dhe ka vizituar tri nga komunat më të prekura: Klinën, Skenderajn dhe Mitrovicën.

Përmes një njoftimi në faqen e presidencës në Facebook, është bërë e ditur se Osmani ka takuar kryetarët e këtyre tri komunave: Zenun Elezajn, Fadil Nurën e Bedri Hamzën, ndërsa është theksuar se që nga mbrëmë presidentja ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë dhe ka vlerësuar angazhimin e strukturave komunale dhe institucioneve emergjente për të ndihmuar qytetarët dhe për t'i minimizuar dëmet në ekonomi familjare.

“Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet qendrore do të angazhohen maksimalisht për t'i mbështetur komunat e prekura nga vërshimet”,- shkruhet në njoftimin e presidencës.

Bëhet e ditur po ashtu se, presidentja ka kërkuar nga strukturat e sigurisë dhe të emergjencave, të angazhohen maksimalisht për t`u dalë në ndihmë qytetarëve dhe për t`i zvogëluar pasojat e krijuara nga kjo situatë e jashtëzakonshme.

"Falënderoj Forcën Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, Zjarrfikësit, autoritetet komunale dhe të gjithë ata, të cilët ndodhen në terren në zonat më të rrezikuara, në gatishmëri të plotë për t`u ofruar ndihmë qytetarëve dhe për ta mbrojtur secilën jetë",- është shprehur Osmani.

Në njoftim thuhet se, ndërkohë që presidentja ka ofruar ka ofruar mbështetjen institucionale në tri komunat, ajo ka potencuar se jeta, shëndeti dhe pronat e qytetarëve, janë prioritet absolut, duke kërkuar angazhim dhe solidaritet nga të gjithë në një situatë të tillë.

Lajme të ngjashme