Osmani ia sfidon seriozisht kredencialet e “ballafaqimit me Serbinë” Vetëvendosjes, iu përshkruan me të madhe “frikacakësi” - NACIONALE

Osmani ia sfidon seriozisht kredencialet e “ballafaqimit me Serbinë” Vetëvendosjes, iu përshkruan me të madhe “frikacakësi”

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Aty ku partia Vetëvendosja ishte investuar më së shumti për të vendosur hegjemoni në marrëdhënien e tyre me publikun, rrafshin e ballafaqimit shtetëror me Serbinë, ka hyrë ish-aleatja “më e madhe” e kthyer në rivalen më të madhe, Vjosa Osmanin.

Ditë e më shumë Osmani ka goditur në nerve kyçe tregimin e Vetëvendosjes për triumf sovraniteti dhe fitore ndërkombëtare ndaj Serbisë.

Qysh në inaugurimin e kthimit të saj në Lidhje Demokratike të Kosovës, Osmani pati deklarime se si partia Vetëvendosje e ka përdorur “sovranitetin për duartrokitje të brendshme” ndërsa janë “frikacakë” në përballje me armikun, përkatësisht Serbinë.

Në anën tjetër, ajo vetë, sipas saj, është ajo që e ka bërë ballafaqimin e njëmendtë, dhe jo Vetëvendosja.

Në një seri bisedimesh me simpatizantë të LDK-së Osmani i çoi oktavat si asnjëherë më parë ndaj Albin Kurtit të Vetëvendosjes.

Dhe krejt kjo nisi nga një konstatim në formë pyetje i një simpatizanti për një takim rajonal në ShBA ku të pranishëm ishim Marko Gjuriq dhe Richard Grenell, takim i cili i kishte dalë Osmanit në media pa e njoftuar ajo vetë, dhe takim i cili është shfrytëzuar në masë të madhe në hapësirat online të Vetëvendosjes.

Osmani pretendoi se atë takim e ka njoftuar ajo vetë në uebsajtin zyrtar të Presidencës së Kosovës dhe se do ta publikojë transkriptin zyrtar se çka është folur aty.

Por, tha ajo, në takime të tilla shkon për t’u ballafaquar, dhe “jo si frikacakët që ikin nga takimet.”

Këtu ajo vazhdoi të shtojë si kundër-çështje takimet e Albin Kurtit, Aleksandar Vuçiqit dhe Miroslav Lajçakut “me orë të tëra, me një dhomë, veç vetëm,” dhe tha se çështja është “çka kanë biseduar ata?”

Për më tepër tha se “në parlamentin e ardhshëm” ajo dhe LDK-ja do të kërkojnë formim të komisioni hetimor parlamentar për të gjetur se “çka kanë biseduar ata,” në ato takime.

“E vërteta nuk po gjen vend prej miliona propaganduesve të cilët po mundihen komplet popullin me manipulu,” tha ajo.

“Dhe kur ty të fton Amerika, në takim rajonal. Unë më së pari jam konsultu me Shqipërinë, presidenti Begaj më ka njoftu se po shkon. Jam konsultu me BeH-në, me Mlain e Zi. Të gjithaë shtetet kanë marrë pjesë.

Dhe unë nuk i frikësohem përballjeve, sidomos nuk i frikësohem përballjes me ata që janë kundër Kosovës dhe aty me mungu vetëm Kosova. Sepse e vërteta është në anën tonë. Pse me mungu Kosova kur ne e kemi të vërtetën,”

“A kisha thanë unë dicka të fshehtë me dhjetëra njerëz, aty ka qenë edhe ambasadori Ilir Dugolli. Krejt aty e kanë transkriptën. Bile bile kam diskutu për potencialin e rinisë tonë, për potencialin energjetik, e të thëngjillin, e që ne si të djathtë dojmë me shti në funksion tonë.

Çështje ekonomike puro. Të cilat natyrisht janë publike. Aty askush nuk e ka sfidu Kosovën. Se oh me pas sfidu, oh me pas sfidu, unë s’jam frikacake si këta tjerët që ikin prej takimeve. Unë përballna dhe mbroj Kosovën. Ai takim ka qenë publik. Pyetja është çka ka fol ai veç me Vuçiqin, veç me Llajçakun, me një dhomë. Kurrëkush s’o kanë[ tjetër aty,” tha ajo.

Këto nivele ashpërsie, të padëgjuara më parë nga Osmani ndaj Vetëvendosjes, nxitën reagime të shpejta nga kjo parti.

Avni Zogiani, zëvendësministër në Qeverinë e Albin Kurti Kurti, shkroi se "helm, pelim, urrejtje paska shpërndarë Vjosa" dhe se "ajo po djeg shkrum e hi gjithçka që la pas."

"Se paska kuptuar që aktualisht është duke iu kthyer rrugës që e dogji njëherë! Duket se nuk mundet, nuk di me krijuar rrugë të re — kapacitetin e vetëm e ka me djegur e shkrumbuar rrugën që sapo e kaloi," tha ai.

Ish-deputeti dhe kandidati i sërishëm i Vetëvendosjes, Vigan Qorolli, i quajti "borgjezë të smirës dhe marazit" Vjosa Osmanin dhe Lumir Abdixhikun.

"Dy të vetëshpallurit, pas të dielës së 7 qershorit, do të kenë boll kohë të flladiten me duartrokitjet e veta," shkroi ai, duke shtuar: "Ata që dje nuk duronin njëri-tjetrin, sot bëjnë sikur janë bashkuar për Kosovën."

Më fjalëashpër ishte Adriana Matoshi e Vetëvendosjes; e njohur edhe për postimet e shkrimeve të Dejona Mihalit në emër të vet. "Vjosa paska thënë, i dëgjova qytetarët edhe u ktheva në LDK? Pra i tradhtove 51%, për m'i ngutur 13%-shin? Atyre që ua ke kthyer shpinën jo shumë moti. Aha, okej," shkroi ajo, duke i bërë një referencë të nënkuptuar Hykmet Bajramit, Kujtim Shalës dhe Avdullah Hotit.

Edhe Arbëreshë Kryeziu, ish-deputete e Vetëvendosjes, reagoi duke i cilësuar "pazare" marrëveshjet mes Abdixhikut dhe Osmanit. "Në Kuvendin e fundit të LDK-së, Lumir Abdixhiku shpëtoi duke marrë 55% të votave të delegatëve, ndërkohë që 45% i kishte kundër. Dallimin e bëri Xhafer Tahiri dhe ndonjë tjetër i ngjashëm, i afërt me Vjosa Osmanin. Tash Lumiri, i cili është borxhli te Vjosa, natyrisht që është i detyruar ta vendosë atë në krye të listës. Kjo s'është çështje parimesh, po del të jetë çështje pazaresh e kusuritjesh," shkroi ajo.

Osmani, të cilën LDK e ka vendosur si "kandidate për presidente", u tha të tubuarve se "janë dy rrugë për Kosovën": njëra e izolimit dhe krizës, tjetra e amanetit të Rugovës. "Në njërën anë është rruga e atyre që kërcënojnë ta dërgojnë vendin në zgjedhje çdo tre muaj. Kurse rruga tjetër është rruga e shtetit serioz, aleancave të forta dhe respektit ndërkombëtar," tha ajo.

"Frikacakëve që e hedhin gurin dhe e fshehin dorën," shtoi ish-presidentja, duke theksuar se "rrugët e mbyllura nga frikacakët gjithmonë hapen nga populli." Fjalimi u mbyll me ndarje të prerë: "Ne kemi veç të vërtetën, ata kanë veç propagandën."

Në tubim ishin të pranishëm edhe disa ish-deputetë të Vetëvendosjes, mes tyre Haxhi Avdyli, Jeta Statovci dhe Albena Reshitaj.

Lajme të ngjashme