Opozita shndërrohet në “kujdestare” të Kushtetutës: Trupin në Kuvend e sytë nga Gjykata Kushtetuese
Trupin në Kuvend e sytë nga Gjykata Kushtetuese. Kështu mund të përshkruhet opozitarizmi i PDK-së, LDK-së dhe AAK-së gjatë vitit 2023. Edhe gjatë këtij viti opozita ka luajtur rolin e “kujdestares” së Kushtetutës së Kosovës. Në përpjeke për t`i ndalur disa iniciativa të pushtetit, deputetët e opozitës kanë ndjekur rrugën për t`i dërguar në Kushtetuese ligjet që ata i konsideronin problematike.
Brenda 12 muajve partitë opozitare kanë dërguar në Kushtetuese plotë 7 ligje: Ligji për Zyrtarët Publik, Ligjin për çmimet tavan për produktet bazë, Ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, Ligji për Investime të Qëndrueshme, Ligji për Pagën Minimale, Ligji për Byron për Konfiskimin e Pasurisë dhe Ligjin për Fondin Sovran.
Dy ligjet e para nuk e kanë kaluar testin e kushtetutshmërisë, ndërsa ligjet tjera janë në proces të shqyrtimit.
Kjo mënyrë e të bërit opozitë nuk i ka pëlqyer partisë në pushtet. Partia e Albin Kurtit ka akuzuar tri partitë opozitare se po shfrytëzon Gjykatën Kushtetuese për ta mbrojtur shtetin e kapur.
Beteja e opozitës në Kuvend
Megjithatë, beteja e opozitës me pushtetin nuk munguar as në Kuvend. Tempulli i demokracisë, jo rrallë u bë arën e përplasjeve të pushtetit me opozitën. Ndonëse kritikat dhe propozimet e tyre nuk merreshin parasysh, deputetët e tri partive opozitare vazhdonin debatet me pushtetin.
Debatet më të ashpra në mes të liderëve opozitarë dhe kryeministrit Albin Kurti ishin rreth dialogut me Serbinë.
Në dy herët që kryeministri ka raportuar për këtë proces në kuvend, nuk munguar kritikat, fyerjet dhe akuzat.
Gjatë raportimit për draft-statutin e Asociacionit, kryeministri Kurti i kishte thënë opozitës se presidenti serb Aleksader Vuçiq po e lyp për marrëveshje.
“Presidenti i Serbisë nuk po e do këtë Asociacionin e draftit të emisarëve. A e dini çka po donë ai? Ai po e do qat Zajednicën e juaj. Ai po thotë vetëm 2013 dhe 2015 dhe asgjë tjetër nuk pranon. Vështirësitë më të mëdha gjatë bisedimeve në Bruksel i kemi këtu. Ai po thotë asgjë tjetër nuk pranojë, vetëm 2013 dhe 2015. Pra, ai po ju lyp juve, ai po ju donë juve. Nuk po e don draft-statutin e emisarëve, ai po e do marrëveshjen me juve. Po thotë ku janë ata? Ata po i du unë. Juve po iu donë, ju do fortë juve ai. Por s’jeni ju mo. Jeni në opozitë. Qeveria është tjetër”, kishte thënë Kurti.
Ndaj këtyre fyerjeve kishte reaguar kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Ai e ka këshilluar kryeministrin që të mos bie në provokime.
“Më shumë dola t’i them kryeministrit mos bjer në provokime, mos trego më shumë se të çorton Lajçaku. E ke dhënë fjalën s’kam me tregu, mbaje fjalën, rri mirë. Edhe ata tani ta rrehin shpinën, se ka nisë me të pëlqy kjo rrahje e shpinës”, ishte shprehur Krasniqi.
Edhe më i ashpër kishte qenë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ai e kishte quajtur kryeministrin gënjeshtar.
“E ka pranu. Po ju rren. Dokumenti do të del. E di çfarë po flasë, po ju rren, po ju mashtron. Ka dhënë autonom, jo më asociacion. E Kosova vazhdon me qenë e sanksionuar dhe kërkon njohje de facto, jo njohje de juro. Dhe këtu na flet po keni qef, ju kërkon juve, i kërkon ata. Po ju flet masave, e kuptoj, por nuk e mirëkuptoj. Sepse sot po shkelur mbi trupat e vdekur të njerëzve për këtë kauzë. Si flen ky njeri?”, kishte deklaruar Abdixhiku.
Përleshja fizike
Tensionet e mbledhura nga seanca në seancë shpërthyen më 13 korrikut.
Publikimi i aferës “Zdravo” nga gazeta Nacionale, ku shefja e Grupit Parlament të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, dëgjohej duke u koordinuar me zyrtarët e Listës Serbe, rriti presionin mbi pushtetin.
Përmendja e kësaj afere në kuvend nga deputetët e opozitës e nervozi kabinetin qeveritar.
Derisa deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, gjatë seancës së 13 korrikut, hodhi ujë në drejtim të kryeministri Albin Kurti, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, u nervozuar dhe e gjuajti me shishe deputetin e PDK-së. Ky veprim kishte nxitur një përleshje fizike në mes të deputetëve të PDK-së dhe kabinetit qeveritar.
Edhe gjatë këtij viti, opozita vazhdoi të iu bëj jehonë skandaleve që zbulonin mediat.
Pas raportimit të gazetës Nacionale për skandalin me rezervat shtetërore, opozita kërkoi hartimin e një komisioni hetimor për këtë çështje. Një komision i tillë u konsititua vetëm pas disa përpjekjeve.