Opozita reagon ndaj pushtetit për reklamën në Economist Impact: "Mosdije, propagandë, shtrembërim i realitetit"
Përkrahësit e pushtetit e deputetët e Vetëvendosjes u mburrën me një artikull të publikuar në Economist Impact, e në të njëjtën kohë hodhën akuza të rënda në drejtim të medieve kosovare për mospublikim kinse të sukseseve të Qeverisë Kurti për zhvillimin ekonomik. Mirëpo, artikulli doli të jetë i sponsorizuar. Kjo gjë nxiti reagime të shumta edhe të partive opozitare.
Partitë opozitare në Kosovë reaguan ndaj tentimit të VV-së për t’u krenuar me një artikull që doli të jetë i sponsorizuar dhe nuk ishte ashtu siç u munduan ta paraqesin zyrtarët e lartë të VV-së dhe të pushtetit.
Ndërkohë, opozita pati kritika ndaj qasjes së qeverisë në këtë aspekt.
Reagimi i PDK-së
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, reagoi lidhur me këtë rast duke thënë se promovimi i tyre nga pushteti është propagandë dhe mosdije.
“Nuk ka asgjë të keqe kur institucionet e vendit paguajnë për promovimin e Kosovës. Economist Impact ka një seksion ku publikohen artikuj të sponzorizuar nga organizata të ndryshme qeveritare dhe jo qeveritare. Çdo gjë në rregull deri këtu.”
“Mirëpo, kur botimet e tilla të sponzorizuara promovohen nga eksponentët e pushtetit si shkrime të redaksisë së The Economist, eh në atë rast ose kemi të bëjmë me mosdije, ose propagandë diletanteske, ose te dyjat bashkë.” – ka shkruar ajo në Facebook.
Edhe Koordinatori për Financa i PDK-së, Arben Mustafa, ka reaguar pas mburrjes së pushtetit me një shkrimi të sponsorizuar e të publikuar në Economist Impact.
Mustafa ka thënë se deputetët e VV-së, po mundohen që këtë raportim ta shesin si raportim ndërkombëtar.
“Kjo tregon gjendjen e rëndë të kësaj partie në kërkim të ndonjë lajmi për t’ia shitur publikut si sukses të Qeverisë Kurti - sukses ky që nuk po gjindet askund.” – ka shkruar ai.
Më tej, ai ka pyetur se cili është kontributi i qeverisë në sukseset e kompanive që përmenden në artikullin e sponsorizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës.
LDK-ja
Ndërkohë për këtë shkrim reagime erdhën edhe nga LDK-ja.
Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rrukiqi ka bërë të ditur se promovimi në “The Economist” i bizneseve të Kosovës është rezultat i një memorandum të nënshkruar nga Oda Ekonomike e Kosovës (sa ky ishte kryetar), Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Klubi i Prodhuesve të Kosovës, dhe një projekt i USAID në vitin 2021.
Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka paguar asnjë shumë të parave për këtë promovim.
“Promovimi ne The Economist, eshte rezultat i nje Memorandumi te nenshkruar, nga Oda Ekonomike e Kosoves, Oda Ekonomike Amerikane ne Kosove, Klubi i Prodhuesve te Kosoves dhs Projekti i USAID, Kosovo Compete, ne Dhjetor te vitit 2021. Pavaresisht qellimit te mire, Qeveria e Republikes te Kosoves nuk ka pranuar te paguaj asnje cent per kete promovim.” – ka shkruar ai në Facebook.
Edhe zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi, kundërshtoi qasjen e VV-së rreth këtij artikulli.
Ajo ka thënë se qeveria po propagandon dhe po shtrembëron realitetin.
“Presidenti Francez Emanuel Macron vë në pikëpyetje liberalizimin e vizave për Kosovën dhe pasoja ekonomike për Serbinë, nëse dy shtetet nuk lëvizin drejt normalizimit. Prindërit janë në ankth me konfuzitetin e shkaktuar me tekstet shkollore e koston e lartë të përditshmërisë së tyre. Në The Economist faqen e paguar me taksat e qytetarëve, deputetët e partisë në pushtet e shesin si lëvdatë të prestigjiozes londineze, për kinse “boom-in” ekonomik të vendit duke akuzuar mediat. Skandalet e njëpasnjëshme nuk e trembin.”
“Qeverinë arrogante që merret me të shkuarën si zëvendësim për progresin sot. Qeveria e Kosovës mburret derisa i ka sjellë vendit ndëshkim e izolim. Partia në pushtet në dëlir të propagandës për të shtrembëruar realitetin, ka krijuar një version të tipit tik tokian të qeverisjes.” – ka shkruar ajo.
Edhe pjesëtarë të shoqërisë civile e ekonomistë të ndryshëm reaguan ndaj tentimit të pushtetit për artikullin në Economicst Impact.




