Opozita reagon ashpër ndaj djegies së zyrave të IML-së, kërkohet dorëheqja e ministres Haxhiu - NACIONALE

Opozita reagon ashpër ndaj djegies së zyrave të IML-së, kërkohet dorëheqja e ministres Haxhiu

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Zjarri që ka përfshirë sot objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë ka tronditur vendin. Djegia e zyrave të këtij institut dy herë brenda këtij viti ka bërë që opozita të reagon ashpër ndaj Qeverisë së Kosovës.

Përfaqësuesit e partive opozitare kanë drejtuar gishtin nga Ministria e Drejtësisë, duke përgjegjësi dhe dorëheqje.

Ata kanë rikujtuar edhe skandalet tjera që kanë ndodhur në këtë institut gjatë Qeverisë Kurti.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë që në mënyrë urgjente të jap me informata konkrete rreth këtij rasti!

Në profilin e tij në “Facebook”, Krasniqi ka shkruar se duhet të dihet se a janë dëmtuar provat dhe mostrat të cilat do të dëmtojnë hetimin e ndonjë rasti.

Për të dytën herë brenda një viti, Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë po dëmtohet nga zjarre të dyshimta. Pas zhdukjes së mostrave të rastit të Astrit Deharit në dhjetor të vitit të kaluar dhe zjarrit të marsit të këtij viti, sot flaka kaploi disa nga zyret kryesore të këtij Instituti. Nga të gjitha organet kompetente, kërkoj që urgjentisht të hedhin dritë mbi këtë çështje. Ndërkaq, Ministria e Drejtësisë, e cila menaxhon me këtë Institut, duhet të dalë urgjentisht me informata konkrete rreth këtij rasti!”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka thënë se për këto raste dikush duhet të jap përgjegjësi.

Çfarë e shkaktoi zjarrin? Çfarë u dogj dhe cilat janë dëmet? A janë dëmtuar prova dhe mostra të tjera, të cilat do të dëmtojnë hetimin e ndonjë rasti? Si është e mundur që edhe pas zhdukjes së mostrave të rastit Dehari, mbikqyrja dhe niveli i sigurisë në këtë Institut të mbeten kaq të ulëta? Mungesa e mbrojtjes së Institutit të Mjekësisë Ligjore, edhe pas dështimeve të kaluara, nuk mund të quhet më as papërgjegjësi dhe as rastësi. Tashmë, dyshimet janë edhe më të mëdha se, për qëllime të caktuara të pushtetit aktual, ky Institut është rikthyer në cak dhe në instrument politik. Dikush duhet të jap përgjegjësi!”, ka shkruar Krasniqi.

Më i ashpër në reagim ka qenë deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.

Ish-ministri i Shëndetësi ka kërkuar përgjegjësi dhe dorëheqje.

Zjarri ka kapluar QKUK-në kurse heshtja ministrat e paaftë të qeverisë së mashtrimit. Para pak kohësh zjarri përfshiu Shërbimin Emergjent në Klinikën e Psikiatrisë të QKUK-së, ku pati edhe një viktimë e brenda pak kohëve, tash e disa herë digjet Instituti i Mjekësisë Ligjore. Tmerr! Përgjegjësi. Dorëheqje”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Çka ndodhi sot?

Sot rreth orës 08:00 në hapësirat e IML-së ka shpërthyer një zjarr që ka përfshirë disa nga zyrat e katit të dytë të objektit.

Me arritjen e ekipit të zjarrfikësve, zjarri është lokalizuar.

Në lidhje me këtë rast MD-ja ka dhënë fare pak informacione.

Sot rreth orës 08:00 në hapësirat e IML-së ka filluar një zjarr që ka përfshirë disa nga zyret e katit të dytë të objektit. Zjarri është lokalizuar dhe për momentin nuk dihen shkaqet. Menjëherë pas pranimit të informacionit, ekipet e zjarrëfiksëve dhe policisë kanë shkuar në vend të ngjarjes. Zëvendësministri Sallahu është duke qëndruar po ashtu atje, për të kuptuar më shumë rreth situatës së krijuar. Për zhvillimet e mëtutjeshme do të informoheni me kohë. Ende nuk duhen shkaqet e këtij zjarri sikurse nuk dihen demet që janë shkaktuar nga ky zjarr”, është thënë në njoftimin e MD-së.

Kjo nuk është hera e parë që objekti i këtij instituti përfshihet nga zjarri.

Edhe më 25 mars të këtij objekti i IML-së ishte kaplua nga zjarri.

As atherë nuk ka pasur të lënduar, ndërsa nuk janë dhënë detaje për dëmet që ishin shkaktuar.

Lajme të ngjashme