Opozita pa qëndrim të vetin për zgjedhjet serbe, i shkon mbrapa Kurtit
Partitë opozitare nuk kanë shprehur ndonjë qëndrim të qartë rreth mbajtjes ose jo të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë, të cilat do të mbahen ketë të diel.
Në mungesë të qëndrimeve të tyre, liderët e këtyre partive kanë dalë në mbështetje të vendimit të Qeverisë së Kosovës për moslejimin e mbajtjes se këtyre zgjedhjeve në territorin e Kosovës.
Ata kanë thënë se përgjegjësia për këtë çështje i takon Qeverisë së Kosovës, e cila sipas tyre, ka për obligim që edhe në këtë rast të sigurojë zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
Mirëpo, njohësit e rrethanave politike në vend kanë thënë se për këtë çështje partitë opozitare është dashur të kenë qëndrimin e vet, dhe mos të presin vetëm veprimet e kryeministrit Albin Kurti.
Kryetari partisë më të madhe opozitare, PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se e mbështet vendimin e Qeverisë për moslejimin e mbajtjes se zgjedhjeve serbe në Kosovë.
“E mbështesim qeverinë Kurti në këtë vendim, sepse është në pajtim me këtë. Edhe sot ai duhet të japë një qartësi në këtë deklaratë. E kamë thënë edhe me herët, veç mos ta lënë për minutën e fundit përsëri. Le të vendosë. Unë e pashë deklaratën e zëdhënësit të BE-së. Ishte deklaratë që asnjëri prej nesh nuk kishte dëshirë me e lexu, sepse ai e bënte një kontrast që neve nuk na pëlqen, ku mundohet të vijë në një pozitë favorizuese Serbia si bashkëpunëtore, e Kosova si refuzuese. Unë nuk mendoj se puna është aq bardhezi, sepse Kosova e ka të drejtën e vet me i vendosë kushtet se si diçka mund të ndodh, ose nuk mund të ndodhë”, ka thënë Krasniqi në emisionin Rubikon.
Më i paqartë rreth kësaj çështjeje është shprehur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Duke mos u shprehur pro ose kundër mbajtjes se këtyre zgjedhjeve, ai ka thënë se zgjedhjet e Serbisë nuk duhet të bëhen pjesë e debatit të brendshme politik të Kosovës.
“Unë shoh vetëm pozicionin e qeverisë në relacion me partneritetin ndërkombëtar. Kjo është me rëndësi. Për të tjerat nuk është e rëndësishme. Unë po them që është e rëndësishme mënyra se si komunikon me komunitetin ndërkombëtar dhe njerëz që vijnë enkas për këtë çështje. Për referendumin e kemi votuar një rezolutë në Kuvend, që pozita e ka kërkuar. Unë po them që neve na duhet komunikimi me partneritetin ndërkombëtar”, ka thënë në emisionin Pressing.
Sipas tij, kryeministri Kurti nuk duhet të përplaset me ndërkombëtarët në mënyrë që ata të mos kalojnë në anën e Serbisë.
“Ajo që na është thënë neve është që mos ta bëjmë çështje politike temën e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë. Pra, mos ta bëjmë çështje të përplasjeve të brendshme. Kemi gjëra më të mëdha me të cilat mund të merremi se sa tavolinat e brendshme këtu. Kemi një rezolutë që e kemi votuar në parlament. Kemi një qeveri që ka dhënë mesazh të vazhdueshëm në kauzat e veta në këtë çështje. Kemi një praktikë të mbajtjes së zgjedhjeve në partneritetin me ndërkombëtarët. Është përgjegjësi e vetme e qeverisë, e kryeministrit në këtë rast, këto fjalë të mëdha të tij t’i trajtojë e të mësojë nga realpolitika e vërtetë. Unë mund të them se partneriteti ndërkombëtar është shumë i rëndësishëm. Nuk na duhet një përplasje me ndërkombëtarët dhe dërgimi i aleatëve tanë tek Vuçiqi”, ka thënë ai.
Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka akuzuar Qeverinë se për këtë çështje nuk ka bashkëpunuar me opozitën.
Nënkryetari i kësaj partie, Pal lekaj, ka thënë për gazetën Nacionale se për këtë çështje qeveria duhet të zbatojë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
“Si benefitet, por edhe humbjet në çfarëdo teme, i bart Qeveria. Prandaj qeveria është përgjegjëse për çfarëdo vendimi në nivel shteti. Këtu vlen të theksohet arroganca e Qeverisë dhe mosbashkëpunimi me opozitën për këtë temë të rëndësisë kombëtare ashtu sikurse edhe për temat tjera. Pra, Kurti nuk po krijon unitet dhe bashkëpunim pozitë-opozitë për temat e rënda e sfiduese për Kosovën. Dhe me këtë rast qeveria duhet të jetë fuqiplotë dhe të respektojë rregullat dhe ligjet e Kushtetutës të shtetit të Kosovës”, ka thënë Lekaj.
Opozita duhet ta ketë qëndrimin e saj për zgjedhje
Njohësit e rrethanave politike në vend kanë kritikuar qëndrimet e opozitës rreth kësaj çështjeje.
Politologu Avdi Smajlaj ka deklaruar për gazetën Nacionale se në mungesë të koncepteve, opozita po i shkon pas kryeministrit Albin Kuri.
“Në rrethanat e reja të krijuara në kontekstin e ri ndërkombëtar, institucionet e vendit duhet vepruar me maturi dhe largpamësi. Në këtë drejtim, edhe opozita duhet veprojë me përgjegjësi, të këtë qëndrimin e vet”, ka thënë Smajlaj.
Ai ka bërë me dije se partive opozitare po u mungon koncepti edhe në çështje tjera.
“Mirëpo, deri më tani opozitës siç duket është duke i munguar një koncept i qartë, edhe në çështjet tjera, jo vetëm për rastin e tanishëm te zgjedhjeve”, ka thënë ai.
Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës ka bërë me dije se ka refuzuar propozimin e vendeve të QUINT-it për lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se për mbajtje të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë, duhet të ketë një marrëveshje në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.
Sipas një komunikate të Qeverisë, Kurti i ka bërë këto deklarata gjatë një takimi virtual me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike dhe konsullore të Kosovës.
“Ne nuk dëshirojmë që t’ua pamundësojmë të drejtën e votës qytetarëve të Republikës sonë që kanë dyshtetësi, por në të njëjtën kohë nuk mund të veprojmë në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit”, është thënë në komunikatën e Qeverisë.
Ky qëndrim i Qeverisë është pasuar nga një deklaratë e fortë e vendeve të QUINT-it.
Përmes një deklarate të përbashkët, Qeveritë e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe SHBA-së, kanë shprehur zhgënjimin e tyre me vendimin e Qeverisë së Kosovës për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.
Sipas komunikatës, vendet e QUINT-it kanë vlerësuar se ky veprim i Qeverisë mund të dëmtojë aspiratat evropiane të Kosovës.
Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë do të mbahen këtë të diel.