Ftesa e Kurtit për opozitën: PDK-ja i thotë “po” darkës, LDK-ja dhe AAK-ja ende nuk kanë vendosur - NACIONALE

Ftesa e Kurtit për opozitën: PDK-ja i thotë “po” darkës, LDK-ja dhe AAK-ja ende nuk kanë vendosur

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i ka thënë “po” takimit me kryeministrin Albin Kurti, i cili është ftuar për të hënën në ora 18:30.

Zëdhënësi i kësaj partie, Faton Abdullau, ka konfirmuar për Nacionalen pjesëmarrjen e PDK-së në darkën e shefit të qeverisë me opozitën.

Partia Demokratike e Kosovës ka pranuar ftesën e Kryeministrit Albin Kurti për një takim pune, për të hënën dhe mund ta konfirmoj që Kryetari Memli Krasniqi do të marrë pjesë në këtë takim.”, ka thënë ai.

Abdullahu ka bërë me dije se Krasniqi do të shkojë në këtë takim për të diskutuar rreth mundësisë së caktimit të datës për zgjedhje të reja.

Qëndrimi ynë si PDK është i qartë dhe konsistent – Kosova është në krizë në çdo fushë dhe rrugëdalje e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen sa më parë. Prandaj edhe pjesëmarrja e Kryetarit Krasniqi në këtë takim do të jenë në funksion të diskutimit për mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja.”, është shprehur zëdhënësi i PDK-së.

LDK-ja dhe AAK-ja ende nuk kanë vendosur

Ndryshe nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-së nuk kanë vendosur ende për ftesën e kryeministrit.

Deputeti i LDK-së, Anton Quni, ka bërë me dije se në këtë parti ekziston një disponim që të refuzohet ftesa e Kurtit.

Deputeti i LDK-së, Anton Quni, ka bërë me dije se në këtë parti ekziston një disponim që të refuzohet ftesa e Kurtit.

Nuk e kam njoftimin që ka ndonjë konfirmim, për aq sa kam mundur ta vërej nuk ka ndonjë disponim për t’u realizuar ky takim. Sepse, bëhet fjalë për agjendën e Kuvendit. Nuk e shohim të natyrshme që kjo temë të bartet në zyrat apo në të drejtën e kryeministrit”, ka thënë Quni në një intervistë për Tëvë1.

Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që në këtë takim të hapet diskutimi edhe për çështje tjera.

Ndaj ftesës së Kurtit ka reaguar edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

Ai ia ka rikujtuar Kurtit sjelljen e Grupit Parlamentar të VV-së në Kuvend.

Sipas tij, kjo sjellje e ka cenuar demokracinë parlamentare në Kosovë.

Kryeministri Kurti po kërkon koordinim me opozitën për agjendën e Kuvendit për sesionin pranveror, por sjellja e tij bashkë me grupin VV-Guxo ndaj institucionit të Kuvendit dhe opozitës gjatë këtij mandati e ka cenuar demokracinë parlamentare në Kosovë. Të gjeturat e IKD-së nga monitorimi i Kuvendit të Kosovës janë shqetësuese për rendin demokratik: mungesë transparence në vendime dhe nxjerrje të ligjeve, vendime kundërkushtetuese e kundërligjore, moszbatim i rregullores së punës, Kuvendit iu ka pamindësuar të kërkojë llogari nga Qeveria, mazhoranca ka pamundësuar kuorumin dhe i ka dështuat seancat dhe komisionet hetimore, Qeveria nuk është përgjigjur në pyetjet e deputetëve dhe nuk ka marrë pjesë në seanca të jashtëzakonshme, e shumë gjetje të tjera që paraqiten në vijim”, ka shkruar Hoti në profilin e tij në “Facebook”.

Ai ka thënë se Kuvendi ka funksionuar më mirë edhe në kohën kur është hedhur gazi lotsjellës.

Edhe kur është hedhur gaz lotsjellës, Kuvendi ka funksionuar më mirë, ka qenë më transparent e më efikas dhe ka marrë vendime kushtetuese e ligjore. Ky degradim i punës së Kuvendit është cenim i demokracisë me pasoja të gjera për të gjithë aparatin shtetëror dhe shtyllat e pushtetit në Kosovës”, ka shkruar Hoti.

Ftesën në fjalë është duke e shqyrtuar edhe AAK-ja e Ramush Haradinajt.

Zëdhënësi i kësaj partie, Kushtrim Xhemaili, ka konfirmuar për Nacionalen se kjo parti ende nuk ka vendosur për takimin.

Mund të ju konfirmoj që kryetari Ramush Haradinaj bashkë me drejtuesin e grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, kanë pranuar ftesë nga z. Kurti për takim, të hënën në ora 18:30. Ndërkaq, sa i përket pjesëmarrjes, jemi ende në shqyrtim.”, ka thënë ai.

Në ftesat që kryeministri ua ka dërguar partive politike opozitare, ai ka ftuar në një darkë pune liderët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së si dhe shefat e grupeve parlamentare të këtyre partive.

Kjo nuk është hera e parë që kryeministri Albin Kurti fton liderët e opozitës në takim. Ai edhe më herët gjatë kësaj legjislature ka ftuar në takim Krasniqin, Abdixhikun dhe Haradinajn.

Liderët e opozitës Kurti i kishte ftuar edhe në tetor të vitit 2022. Në këtë takim, i kishte shkuar vetëm Ramush Haradiaj, pasi që Krasniqi dhe Abdixhiku kishte refuzuar të shkonin. Pas tensionit të situatës në veri, Kurti opozitën e kishte ftuar në takim edhe në muajin nëntor të atij viti. Në këtë takim kishin marrë pjesë edhe Krasniqi dhe Abdixhiku.

Lajme të ngjashme