Opozita edhe një herë i thotë “po” lidhjes së Kosovës me gazin amerikan: Do ta jetësojmë këtë projekt
Partitë opozitare edhe një herë i kanë thënë “po” projektit për lidhjen e Kosovës me gazin amerikan.
Pas editorialit të të ngarkuarës me Punë në Ambasadës e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, në lidhje me këtë çështje, liderët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së e kanë mbështetur propozimin amerikan.
Kandidatët për kryeministër të këtyre partive janë zotuar për jetësimin e këtij projekti.
Në reagimet e tyre, ata kanë treguar për rëndësinë e këtij projekti për Republikën e Kosovës.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka bërë me dije se si kryeministër i ardhshëm do ta jetësoj projektin për lidhjen e Kosovës me gazin amerikan.
Në profilin e tij në Facebook, Hamza ka shkruar se Kosova nuk mund të vazhdojë të paguajë çmimin e refuzimeve ideologjike dhe mungesës së vizionit.
“Për gazin amerikan kam folur edhe të shtunën. Sot, pas mesazhit të qartë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po e përsëris edhe një herë zotimin tim. Si Kryeministër i ardhshëm i Kosovës, do ta jetësoj projektin për lidhjen e Kosovës me gazin amerikan. Kosova nuk mund të vazhdojë të paguajë çmimin e refuzimeve ideologjike dhe mungesës së vizionit. Çdo vit që humbim, rritet varësia jonë nga importet e shtrenjta të energjisë dhe nga tregjet e jashtme. Për Partinë Demokratike të Kosovës, partneriteti strategjik me SHBA-në është jetik, i domosdoshëm dhe i pazëvendësueshëm. Kështu ka qenë dje, kështu është sot dhe kështu do të jetë edhe nesër”, ka shkruar Hamza.
Më tej, ai ka treguar se çka nënkupton gazi amerikan për Kosovën.
“Gazi amerikan nënkupton më shumë siguri energjetike, më shumë investime, më pak ndotje dhe, mbi të gjitha, energji me çmime më të përballueshme për qytetarët dhe bizneset. Koha për të vepruar është tani. Jo pas një krize tjetër. Jo pas një dimri tjetër me çmime rekord. Kosova duhet të ecë përpara, krah për krah me aleatin e saj më të madh dhe më të besueshëm: Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar ai.
Edhe LDK-ja ka dal pro gazit amerikan.
Kandidati për kryeministër i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, kanë theksuar se integrimi i Kosovës në projektet energjetike amerikane është një domosdoshmëri strategjike për sigurinë dhe zhvillimin e vendit.
Në një deklaratë të përbashkët, ata kanë vlerësuar se qëndrimi i fundit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për projektet energjetike në rajon përbën një mesazh të qartë për të ardhmen strategjike të Kosovës.
“Qëndrimi i sotëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një mesazh i qartë për sigurinë dhe të ardhmen strategjike të Kosovës. Çështja e gazit amerikan nuk është vetëm çështje ekonomike. Nuk ka të bëjë vetëm me çmime më të ulëta, siguri energjetike, vende të reja pune apo zhvillim industrial. Ajo është pjesë e arkitekturës së sigurisë që SHBA-të po ndërtojnë në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor. Në botën e sotme, siguria energjetike është siguri kombëtare. Fatkeqësisht, gjatë viteve të fundit, Kosova është larguar nga ky projekt strategjik, ndërsa ka shpenzuar mbi 1 miliardë euro për import të energjisë elektrike. Në vend të diversifikimit, kemi parë stagnim. Në vend të partneritetit strategjik me SHBA-të, kemi parë humbje kohe dhe arsyetime joracionale.”, është thënë në deklaratën e tyre të përbashkët.
Tutje, ata janë zotuar për zbatimin e këtij projekti.
“Siç e kemi bërë të qartë tash e një kohë, përfshirë gjatë kësaj fushate, LDK është e bindur se interesi shtetëror i Kosovës është i bazuar në partneritet afatgjatë energjetik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, integrim në projektet rajonale të gazit, diversifikim i burimeve energjetike dhe forcim i sigurisë kombëtare. Prandaj, që në fillim të mandatit, do të zbatojmë në plotni këtë politikë shtetërore duke sjellë gazin amerikan në Kosovë”, është thënë në këtë deklaratë.
Edhe kandidati i AAK-së për kryeministër, Ardian Gjini, e ka dal për përkrahje të projektit për gazin amerikan.
Në reagimin e tij, i pari i AAK-së tha se gazi amerikan do të ndryshonte rrënjësisht fatin ekonomik dhe sigurinë kombëtare të vendit tonë.
“Ajo që u konfirmua zyrtarisht nga u.d. Ambasadorja amerikane, Annu Prattipati, nuk është thjesht një statistikë e frikshme, është dëshmia e gjallë e një krimi ekonomik dhe gjeostategjik kundër Republikës së Kosovës. Kosova ka djegur plot 735 milionë euro të taksapaguesve në import të rrymës vetëm katër vitet e fundit, duke u rritur nga 142 milionë në vitin 2024 në 259 milionë euro në vitin 2025. Aleanca e ka ditur që nga dita e parë se projekti i Gazit Amerikan do të ndryshonte rrënjësisht fatin ekonomik dhe sigurinë kombëtare të vendit tonë. Ne e kishim jetësuar dhe projektuar këtë si projektin më të madh të shekullit. Por, paranoja ideologjike dhe vendimi skandaloz i qeverisë në ikje, në vitin 2021 për ta bllokuar këtë projekt strategjik, e la Kosovën në errësirë, të izoluar dhe të varur tërësisht nga vendet e rajonit”, ka vlerësuar Gjini.
Ndaj editorialit të të ngarkuarës me Punë në Ambasadës e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, deri me tani nuk ka reaguar vetëm Lëvizje Vetëvendosje.
As kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk e ka thënë asnjë fjalë për këtë projekt, të cilin e ka refuzuar më herët.