Operacioni që e bëri "lëmsh" QKUK-në: Mes jetës dhe vdekjes - te familja që mori dy lajme të kundërta brenda ditës - NACIONALE

Operacioni që e bëri "lëmsh" QKUK-në: Mes jetës dhe vdekjes - te familja që mori dy lajme të kundërta brenda ditës

3 vjet më parë

nga Gentiana Hasani

E kanë hapur të pamen për familjarin e tyre që u vdiq dy ditë më parë. Ai ishte dërguar në QKUK nga familjarët në gjendje jo të mirë shëndetësore pas disa problemeve në zemër. Në mëngjesin e datës 4 të këtij muaji, pacienti 63-vjeçar me inicialet E.M. iu nënshtrua një operacioni të rrallë të aortës. Operacioni në zemrën e 63-vjeçarit do të bëhej për herë të parë në Qendrën Klinike e Universitare të Kosovës (QKUK). Ndërhyrja u cilësua e suksesshme, por pak orë pas saj, pacienti E.M. ndërroi jetë në Intensivën e QKUK-së. Gazeta "Nacionale" qëndroi të premten në familjen e 63-vjeçarit dhe prej atje jua sjell rrëfimin.

Për vite me radhë kishte punuar në njërën nga qebaptoret e qytetit të Mitrovicës.

E.M., 63-vjeçar, asnjëherë nuk kishte shfaqur probleme të theksuara të shëndetit. Pos pak ditë pas fillimit të vitit të ri, kur me dhimbje të gjoksit u dërgua për në QKUK, saktësisht në klinikën e kardiokirurgjisë.

Nga mjekët e QKUK-së, me datë 4 janar, pacienti u operua në zemër përmes një operacioni shumë specifik.

Ky operacion nga kardiokirurgu Kushtrim Shala u cilësua si i suksesshëm dhe se për herë të parë është kryer në QKUK.

Pas operacionit të 63-vjeçarit, ai u dërgua në klinikën intensive të QKUK-së. Ndërkohë, në orët e mbrëmjes së po të njëjtës ditë, pacienti ndërroi jetë.

Gazeta Nacionale qëndroi të premten në familjen e të ndjerit. Në kushte anonimiteti, familjarët kanë dhënë pak hollësi rreth asaj që ka ndodhur.

Ata shpjeguan se mjekët e QKUK-së i kanë trajtuar mirë ata dhe pacientin.

“Është operuar në mëngjes. Pas sallës, është dërguar në Intensivë, me ata tubat [gypat] ka qenë. Rreth orës 21:00 ka ndërruar jetë”- thanë nga familja e të nderit.

Të pyetur nëse i kanë parë polemikat që kanë qarkulluar në medie rreth operimit të prindit të tyre dhe për hapat që do t'i ndërmarrin, nga familja thonë se ende nuk dinë se çfarë veprimesh do të bëjnë.

“Është herët nihere, nuk po dimë as vetë çka kemi me ba. Asnjëherë s’ka qenë i sëmurë a diçka të ngjashme”- thanë tutje nga familja.

Policia i ka nisur hetimet, mjeku që mori pjesë në operacion u intervistua nga Bordi i ShSKUK-së

Hetime për këtë rast tashmë kanë nisur nga Policia e Kosovës. Këtë ia ka konfirmuar Nacionales Laureta Ulaj nga Prokuroria.

“Prokurori i Shtetit ka autorizuar policinë t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme, me qëllim të sqarimit të kësaj çështjeje dhe eventualisht, në rast të paraqitjes së elementeve të ndonjë vepre penale, do të veprohet tutje me këtë rast”- ka thënë Laureta Ulaj nga Prokuroria e Shtetit.

Por hetime tashmë janë nisur edhe nga ana e Odës së Mjekëve. Kështu i tha Nacionales drejtori i OMK-së, Pleurat Sejdiu.

“Hetime tashmë kanë nisur në dy nivele pas vdekjes së pacientit, mundësia e shkeljeve profesionale, po edhe shkeljeve etike, si prej anës së mjekut, ashtu edhe të drejtorisë”- tha Sejdiu.

Si nisi e gjitha?

Një mjek i klinikës së kardiokirurgjisë në QKUK ka shpërndarë një operacion si sukses në rrjete sociale, por, në fakt, pacienti ka ndërruar jetë disa orë pas ndërhyrjes.

Kardiokirurgu Kushtrim Shala ka dalë me një postim publik në profilin e tij në Facebook, ku ka pretenduar se ka kryer me sukses një operacion të rrallë te një pacient me diseksion akut të aortës. Në fakt, operacioni nuk dihet nëse ka pasur sukses, sepse pacienti ka vdekur pas disa orëve.

“Për herë të parë në QKUK në kardiokirurgji kemi realizuar operacionin David tek një pacient me diseksion akut të aortës dhe rupturë në nivel të rrënjes së saj. Operacioni David konsiston në ruajtjen e valvules native aortale të pacientit gjatë zëvendësimit të rrënjës së aortës tek pacientet me diseksion akut edhe aneurisem të rrënjes së aortës si dhe paraqet standardin e artë të trajtimit kirurgjik te patologjive të tilla aortike patologji këto që deri më tani janë trajtuar shpeshherë duke sakrifikuar valvulen e shëndosh të pacientit me valvule prostetike gjatë zevendesimit te rrënjës së aortës që njihet si operacioni Bental modified”- ka shkruar doktori.

Ai ka potencuar se “mëngjesin e sotëm është vendosur në mjekimin intenziv kardiokirurgjik në gjendje stabile për trajtim të mëtejshëm”.

Përplasja e kardiokirurgut Shala me drejtorin Brahimaj

Mediet, pak orë pas njoftimit nga mjeku Shala për operacionin e suksesshëm, e telefonuan drejtorin e klinikës së kardiokirurgjisë, Rifat Brahimajn.

Drejtori hodhi akuza ndaj Shalës dhe mjekëve të tjerë që e kryen këtë operacion, duke thënë se s’janë kompetentë.

“Jam në pushim, por jam informuar për rastin. Mjekët që e kanë kryer këtë operacion nuk janë kompetentë për ndërhyrje të tilla, sepse ata kanë vështirësi edhe në procedura standarde. Të hysh në një procedurë të tillë pa e pasur përvojën e duhur dhe ta paraqitësh si sukses, e pacienti ndërron jetë pas disa orësh, kjo me të vërtetë është hipokrizi”- deklaroi Brahimaj.

I njëjti paralajmëroi edhe se do të merren masa ndaj mjekëve.

“Ju e dini se është e ndaluar me rregullore të SHSKUK-së publikimi i rasteve të tilla. Kjo është shkelja e parë që e kanë bërë mjekët dhe sigurisht se duhet të merren masa. Duhet po ashtu të bëhet një vlerësim i rastit. Pacientët mund të vdesin nga komplikime edhe në rastet më të lehta, por në këtë rast është kryer një procedurë nga persona jokompetentë. Ata e kanë licencën e kardiokirurgut dhe ne nuk mund t’i ndalojmë të kryejnë operacione ose t’ju tregojmë se cilat operacione t’i kryejnë, por duhet të shikohet rasti dhe të merren masa”- ka deklaruar Brahimaj.

Pak orë pas deklaratës së drejtorit reagoi Shala. Ai përmes Fcaebookut shkroi se deklaratat e drejtorit të llinikës po i cilëson si tendencë për eliminimin e tij nga kardiokirurgjia.

Për dallim nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të Kardiokirurgjisë Rifat Brahimaj i cili pa qenë fare prezent dhe pa patur fare idenë për gjendjen e pacientit në pranim, rrjedhën e trajtimit (operacionit) dhe gjendjen në dalje të operacionit, pa kontaktuar fare me mua si kardiokirurg operator dhe pa kërkuar sqarim për rrjedhjen e operacionit (që ka të drejtë t’a bëj në cilësinë e u.d. drejtorit) thërret mediat dhe u flet per operacionin tim e madje dhe këtë e bënë duke qenë në pushim vjetor”- shkroi Shala.

Drejtori Kolgeci: Janë bërë disa gabime të vogla, vendimin e marrim javën tjetër

Drejtori i klinikës së kirurgjisë torakale, Nazmi Kolgeci, që për momentin e mban pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm, duke e zëvendësuar Pranvera Zejnullahun, i ka ftuar sot në takim kardiokirurgun Kushtrim Shala e drejtorin e klinikës së kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj.

Ky takim u thirr pas rastit të fundit, ku dr. Shala tha se në QKUK një operacion i rrallë i zemrës u krye me sukses. Por pacienti i këtij operacioni ka vdekur pak orë pasi që ka dalë nga salla e operimit.

Rreth asaj se çka u fol në takim, për Nacionalen dha hollësi Dr. Kolgeci.

Qëllimi është me e mbrojtë institucionin sepse janë ba do gabime të vogla që janë për njeriun shumë të mëdha. Unë po e zëvendëspj Drejtoreshën. Bordi ka qenë me mu. I kemi marrë deklaratat tash ta shohim në javëm tjetër. Na u informum me gjendjen se cka ka ndodhë atë ditë. Vendimin e marrin javën tjetër kur të mblidhet drejtoresha. Qëllimi yne ka qenë që të informohemi direkt nga ta me situatën”- i tha Nacionales Dr. Nazmiu.

Rasti po hetohet ende.

Lajme të ngjashme