OKB-ja thotë se prodhimi global i kokainës ka arritur në nivel rekord
Sipas një raporti të ri të Kombeve të Bashkuara, prodhimi global i kokainës ka arritur në nivel rekord, pasi kërkesa është rimëkëmbur pas izolimit gjatë pandemisë së koronavirusit.
Zyra për Droga dhe Krime e OKB-së tha se kultivimi i bimës koka është rritur për 35 për qind mes viteve 2021 e 2022, duke shkuar në nivele rekorde, raporton televizioni BBC.
Rezultatet e raportit sugjerojnë se në pjesët perëndimore e qendrore të Afrikës janë shfaqur qendra të reja të trafikimit të kësaj droge.
Në raport thuhet, gjithashtu, se trafikuesit janë duke përdorur shërbime postare ndërkombëtare më shpesh për ta dërguar drogën te klientët.
Evropa dhe Amerika Veriore janë tregjet më të mëdha për kokainë, ndërsa pas tyre radhiten Amerika Jugore, Amerika Qendrore dhe Karaibet.
Përderisa në raport thuhet se tregjet në Afrikë dhe në Azi janë “ende të kufizuara”, zyrtarja e OKB-së, Ghada Waly, tha se potenciali për zgjerimin e tregut në ato pjesë është një realitet i rrezikshëm.
Në Raportin Global të Kokainës thuhet se rritja e prodhimit është rezultat i një zgjerimi të kultivimit të bimës koka, por edhe i përmirësimit të shndërrimit të kokës në kokainë pluhur.
Raporti thotë se përhapja e koronavirusit ka pasur një efekt “pengues” në tregjet e drogës, pasi udhëtimet ndërkombëtare ishin kufizuar goxha shumë.
Kërkesa për kokainë kishte rënë, pasi klubet e natës dhe baret ishin mbyllur gjatë izolimit në pandemi.
Në raport thuhet se Kolumbia ende i mbizotëron rrugët e trafikimit, edhe pse rrugët për në Evropë kanë evoluuar.
Aty shtohet se grupet kriminale në Meksikë dhe Ballkan i janë afruar më shumë qendrës së prodhimit për të siguruar qasje në furnizime.

