OKB-ja bën thirrje për mbledhjen e një miliardë dollarësh ndihmë për viktimat e tërmetit në Turqi
Kombet e Bashkuara u kërkojnë vendeve anëtare të kontribuojnë me 1 miliard dollarë ndihmë për miliona njerëz të prekur nga tërmeti që vrau afro 42,000 njerëz në Turqi dhe Siri.
“Sot, Kombet e Bashkuara kanë nisur një thirrje humanitare prej 1 miliard dollarësh për popullin e Turqisë që po vuan pasojat e tërmeteve më shkatërruese që kanë goditur vendin në njëqind vjet”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres.
Ai tha se shuma e mbledhur do të ndihmonte 5.2 milionë njerëz në periudhën tre mujore dhe do t'u mundësonte organizatave humanitare të ndihmojnë qeverinë në ofrimin e ndihmës në fushat e sigurisë ushqimore, mbrojtjes, arsimit, ujit dhe strehimit.
Shefi i OKB-së: Është koha që bota të tregojë mbështetje për Turqinë
"Turqia është shtëpia e numrit më të madh të refugjatëve në botë dhe ka treguar bujari të jashtëzakonshme ndaj fqinjëve të saj sirianë për vite me radhë. Tani është koha që bota të tregojë mbështetje për popullin e Turqisë, ashtu si ata janë solidarizuar me të tjerët, të cilët kishin nevojë për ndihmë”, tha Guterres. Nevojat njerëzore janë të mëdha.
"Njerëzit po vuajnë dhe nuk duhet humbur kohë. I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar që të përfshihet dhe të financojë plotësisht përgjigjen ndaj një prej fatkeqësive më të mëdha natyrore të kohës sonë", shtoi Guterres.
Rreth 42,000 njerëz kanë vdekur në Turqi dhe Siri, ndërsa mijëra janë ende të zhdukur dhe rajoni është shkatërruar në mënyrë katastrofike. /Nacionale/