Odaloviq: Kur Prishtina kërkon të gërmohet në një lokacion do të jemi aty për 24 orë; e njëjta pritet edhe prej tyre
“Është bërë punë e madhe” me miratimin e Deklaratës për Personat e Pagjetur, ka thënë Kryetari i Komisionit për Persona të Pagjetur në Serbi, Veljko Odaloviq, duke folur për televizionin publik serb, ku tha se tash mundësohet vazhdimi i procesit, puna në terren, kërkimi i lokacioneve ku do të kryhen gërmimet. Odalloviq e fajëson Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se “gjer më tash e ka bllokuar këtë proces” ndërsa shton se sa i përket palës serbe me t’u njoftuar për një vendndodhje të mundshme ku mund të gjenden persona të zhdukur, ata do të jenë aty “brenda 24 orëve”.
“Nëse ka gatishmëri nga pala e Prishtinës për të zbatuar çka është nënshkruar, ne shumë shpejt mund të nisemi në vazhdimësinë e procesit dhe të nisim punën në terren, për të kërkuar vendndodhjet se ku, sipas informacioneve të përmendura nga Prishtina, do të kryhen kërkimet”, ka thënë ai.
Përveç kësaj, Odalloviq pretendon se “gjëja më e keqe” është se ekzistojnë informacione për vendndodhje të mundshme të një varreze masive por se aty nuk po kryhen kërkime. “Pozitive”, sipas tij, është vendimi për të formuar një komision të përbashkët, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, me përfaqësues të Prishtinës dhe Beogradit dhe Komisionit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.
“Që kjo të jetë diçka duhet mbështetje shtesë, sepse na dyhet era prapa shpinës, për shkak të numrit të madh të arkivave të paraqitura nga përfaqësues ndërkombëtar që ishin në misione të ndryshme, për të qenë të qasshëm për Prishtinës dhe Beogradin, në mënyrë që në kërkime të mund të shohim nëse kemi informacione për vendndodhjet e mundshme”, thotë Veljko Odaloviq.
Zyrtari serb rikujton deklarimin e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se nevojiten vetëm 24 orë për njoftim të vendndodhjes, rreth ekzistencës së varreve, që Serbia menjëherë aty, ta ftojë Prishtinës të kërkojnë bashkërisht në mënyrë transparente, “por që një gjë e tillë kërkohet gjithashtu nga Prishtina”.
Më 2 maj është miratuar Deklarata për Personat e Pagjetur gjatë luftës së fundit në Kosovë, deklaratë kjo e cila kishte mbetur peng e harmonizimit të dy fjalëve: të zhdukur dhunshëm sipas Konvetës së OKB-së të cilën Serbia nuk e pranonte, dhe të zhdukur forcërisht e cila nuk ishte kategori juridike por që megjithatë shpjegonte natyrën/rrethanën në të cilën personat e zhdukur ishin rrëmbyer. Ky u pa të jetë kompromisi: Serbia jo përgjegjëse juridikisht për zhdukjet, Kosova jo indiferente ndaj natyrës së zhdukjes.
Kurti kishte kërkuar shkarkimin e Odalloviqit
Ishte qershori i vitit 2021 kur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një takim të Nivelit të Lartë në Bruksel, i kishte kërkuar presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, shkarkimin e Veljko Odalloviq nga posti i Komisionit për Persona të Pagjetur, ngase ky i fundit gjatë kohës kur kishin ndodhur këto zhdukje ishte “zyrtar i lartë i qarkut të Kosovës” dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me Zoran Angjelkoviq.
“Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte ‘naçelnik i qarkut të Kosovës’, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq”, kishte kërkuan Kurti
Po thuajse dy vite më vonë, një gjë e tillë nuk i ishte plotësuar Kurtit, dhe madje marrëveshja është arritur me Odalloviqin si kryesues të delegacionit serb për Personat e Pagjetur.
Deklarata për Personat e Pagjetur:
Ne angazhohemi së bashku;
Për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në fushën e Personave të Zhdukur,
-për të bashkëpunuar ngushtë për identifikimin e vendeve të varrimit dhe ndjekjen e gërmimeve,
-për të siguruar akses të plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë në gjetjen dhe identifikimin e personave të humbur të mbetur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 - 31 dhjetor 2000. Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, regjistrimet audio dhe çdo dokument tjetër duke përfshirë ato me status të klasifikuar, nën zotërimin e institucioneve të të dyja palëve, të rëndësishme për këtë kontekst,
-të vëmë në dispozicion të gjithë dokumentacionin vendas dhe ndërkombëtar me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur,
-për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji të tjera të avancuara në zbulimin e varrezave masive,
- mundësimin dhe inkurajimin e angazhimit aktiv të familjeve të Personave të Zhdukur në procesin e identifikimit të fateve të tyre,
-për të siguruar në mënyrë adekuate të drejtat dhe nevojat adresuar familjeve të personave të zhdukur,
-krijimi dhe bashkëpunimi përmes një Komisioni të Përbashkët të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të vëzhguar nga KNKK me synimin për të mbështetur përpjekjet për të zgjidhur fatin e personave të zhdukur,
-të monitorojë dhe mbështesë punën dhe progresin e bërë nga Grupi Punues për Personat e Zhdukur përmes Komisionit të Përbashkët. Në këtë kontekst, palët do të rishikojnë dhe përditësojnë Termat e Referencës dhe kuadrin e Përgjithshëm të Grupit të Punës.
