Objekti i paidentifikuar i rrëzuar mbi Alaskë, çfarë dihet deri më tani?
Zyrtarët amerikanë kanë njoftuar një ditë më parë për një objekt të paidentifikuar, që është rrëzuar afër bregut të ngrirë të Alaskës. Megjithatë, detajet rreth këtij objekti janë të pakta.
Rrëzimi i djeshëm i tij nga avionët amerikanë, shënoi herën e dytë të rrëzimit të një objekti në më pak se një javë, pas balonës spiune kineze të rrëzuar në Karolinën e Jugut, javën e kaluar.
"Objekti fluturonte në një lartësi prej 40,000 këmbësh (12.192 km) dhe përbënte një kërcënim të arsyeshëm për sigurinë e fluturimit civil. Nga një kujdes i madh dhe me rekomandimin e Pentagonit, Presidenti Biden urdhëroi ushtrinë të rrëzonte objektin dhe ata e bënë dhe objekti ka rënë brenda ujërave tona territoriale dhe ato ujëra tani janë të ngrira,” - ka njoftuar dje zyrtari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby.
Ndërsa, sot gjatë ditës lidhur me këtë operacion është pyetur edhe presidenti Joe Biden, i cili ka thënë se: “Ishte një sukses”.
Çfarë dihet deri më tani?
Sipas Kirby-t, Biden është informuar për herë të parë mbi objektin të enjten në mbrëmje, “sapo Pentagoni kishte informacion të mjaftueshëm”.
Ende nuk është bërë qartë se si duket objekti, ose nga ka ardhur. Të premten, zëdhënësi i Pentagonit, Patric Ryder tha se do të udhëtonte në veri-lindje nëpër Alaskë. Por, ai nuk ka pranuar të jepte një karakterizim fizik, duke thënë vetëm se ishte "rreth madhësisë së një makine të vogël" dhe "jo i ngjashëm në madhësi apo formë me balonën kineze të mbikëqyrjes” që u rrëzua në brigjet e Karolinës së Jugut më 4 shkurt.
"Ne po e quajmë këtë një objekt sepse ky është përshkrimi më i mirë që kemi tani,"- ka thënë Kirby, ndërsa ka shtuar se: “Ne nuk e dimë se kush e zotëron atë – nëse është në pronësi shtetërore apo korporative apo private, ne thjesht nuk e dimë.”
Ky objekt është zbuluar për herë të parë të enjten dhe sipas një zyrtari amerikan menjëherë ishin dërguar avionët luftarakë F-35 për hetim.
Nuk kishte një shqetësim të madh për dëmtimin e njerëzve ose pronës nëse objekti do të rrëzohej, gjë që ishte edhe arsyeja kryesore që balona kineze e mbikëqyrjes u lejua të përshkonte ShBA-në kontinentale javën e kaluar.
Përfundimisht, ky objekt ishte rrëzuar pranë kufirit kanadez dhe verilindjes së Alaskës nga një avion luftarak F-22 nga Baza e Përbashkët Elmendorf-Richardson, Alaska, i pajisur me një AIM-9X - i njëjti aeroplan dhe raketë e përdorur për të rrëzuar balonën e vëzhgimit kinez.
Asnjë lidhje e dukshme me balonën kineze
Deri më tani zyrtarët nuk kanë dhënë asnjë shenjë se objekti mund të ketë ndonjë lidhje me balonën kineze të vëzhgimit të rrëzuar fundjavën e kaluar, mbeturinat e së cilës janë ende duke u gjetur në Oqeanin Atlantik.
Sipas një zyrtari amerikan, objekti nuk dukej të kishte ndonjë pajisje vëzhgimi, gjë që do ta bënte atë më të vogël.


