ShBA rrëzon një objekt të paidentifikuar mbi hapësirën ajrore të Alaskës
Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se të premten pasdite ushtria amerikane ka rrëzuar një “objekt në lartësi të madhe”, që po fluturonte mbi hapësirën ajrore të Alaskës.
"Objekti fluturonte në një lartësi prej 40,000 këmbësh (12.192 km) dhe përbënte një kërcënim të arsyeshëm për sigurinë e fluturimit civil. Nga një kujdes i madh dhe me rekomandimin e Pentagonit, Presidenti Biden urdhëroi ushtrinë të rrëzonte objektin dhe ata e bënë dhe objekti ka rënë brenda ujërave tona territoriale dhe ato ujëra tani janë të ngrira,” - ka njoftuar zyrtari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby.
Sipas Kirby, avionët luftarakë të caktuar në Komandën Veriore të SHBA-së e kanë rrëzuar objektin këtë pasdite.
Ai më tej ka njoftuar se lidhur me këtë rast, është planifikuar një konferencë për shtyp ku do të jepen më shumë detaje.
Kirby e ka bërë të qartë se ShBA nuk e di se kush e zotëronte objektin dhe nuk e ka quajtur balonë, si objekti i fundit kinez që u rrëzua nga ushtria amerikane javën e kaluar.
I pyetur nëse kishte ndonjë koment për objektin e rrëzuar mbi Alaskë, presidenti Joe Biden tha për CNN se "ishte një sukses".
