O Rameee: Fushata në Shqipëri në pikun e saj, 3 momentet më të çuditshme së fundmi
20 ditë larg zgjedhjeve në Shqipëri, Euronews ka nxjerr sondazhin ku prin Partia Socialiste e Edi Ramës me 47.9 të votave. Derisa fushata elektorale në Shqipëri është në pikun e saj, ju sjellim disa nga momentet më interesante, që ndodhën së fundmi…
1.Monika Kryemadhi – e divorcuar nga Ilir Meta, bën fushatë për Ilir Metën
Ish - gruaja e ish – presidentit shqiptar Ilir Meta, u ekspozua si rrallëherë në ‘Të Paekspozuarit”, ku foli hapur se po bën fushatë kah po mundet, për ish-burrin e saj, ish-presidentin shqiptar Ilir Meta. Dhe kjo është hera e fundit, që po e bën një gjë të tillë, tha Monika Kryemadhi.
Ajo s’iu shmang pyetjes ironike të gazetarit Yll Rakipi, se si po bën fushatë për burrin me të cilin është divorcuar?
“Janë 45 mijë njerëz të divorcuar në Tiranë dhe unë e Ilir Meta jemi dy nga ta” – tha Monika Kryemadhi duke ia testuar kufijtë e durimit gazetarit Ylli Rakipi – me statistika divorcesh.
Lulzim Bashën, i cili ishte po atë natë në ‘Të Paekspozuarit’ para Kryemadhit dhe njeriun me të cilin kanë bashkëpunuar ngushtë në të kaluarën, Kryemadhi e quan ‘Karafil’.
(Fjali të Monika Kryemadhit në TPZ)
“…Ne ligjërisht jemi të divorcuar, nuk kam marrë pjesë në asnjë seancat e gjyqit që quhet seancat e pajtimit. Unë s’kam pasur ndërmend të divorcohem asnjëherë”
“…E bëj absolutisht me koshiencën më të madhe, me njerëzit e mi që më përkrahin mua për të kërkuar vota për Ilir Metën”
“…Mendoj që pavarësisht mënyrën se si përjashtuan Monika Kryemadhin nga Partia e Lirisë, erdhi nga vunerabiliteti në parti, por të gjithë ne që jemi duhet të kthehemi në mekanizëm të strukturojmë votën”
“…Karafili – Lulzim Basha është shkaktar i gjithë situatës në opozitë”
2. Lulzim Basha – O Rameee
I njohur për shtrembërimin dhe zgjatjen e zanores së fundit të mbiemrit të (Edi) Ramës në ‘Rameeee’ – Lulzim Basha në fillet e fushatës së tij bëri bujë sidomos në Kosovë. Ai ‘risjelli’ një reper arkaik, por të vlerësuar ndër vite – Unikkatilin në mesazhet e tij për Edi Ramën, sidomos këngën: “Ku të mbetën shoktë”.
Nëpërmjet kësaj mini-fushate nga vetura e tij dhe këngës plot dhunë të Unikkatilit, Lulzim Basha nënkuptonte pyetjen për Ramën, për disa nga njerëzit më të afërt të tij që kanë përfunduar në burg, i fundit – kryetari i Tiranës Erion Veliaj.
Përtej kësaj fushate të bujshme, pjesa – le të themi më serioze – e Lulzim Bashës, shpërfaqet po ashtu në një prej intervistave në TPZ.
I pyetur se nëse votat e tij, do ta përcaktonin qeverinë e ardhshme, për shembull atë të Edi Ramës ose Sali Berishës, Lulzim Basha thotë:
“Kurrsesi me Edi Ramën, kushtet për një bashkim votash për forcat politike janë tre: asnjë i korruptuar” – dhe këtu e ndali Ylli Rakipi me: “…Ore dhe ty të thonë i korruptuar”, por Basha e tejkalon duke numëruar edhe dy kushtet tjera: “Askush që nuk bështet SPAK-un, askush që nuk është i listuat qind për qind me aleatët tonë”.
3. Fjalia që Berisha s’e përfundoi qysh duhet, i kthehet për keq
Gjatë një bisede me qytetarë, një nga sekuencat më të bujshme është ajo e Sali Berishës, i cili duke shpjeguar çmimin tavan – një togfjalësh mjaft i njohur edhe për ne në Kosovë gjatë viteve të fundit – has në vështirësi të të shpjeguarit.
Do ngremë tavanin – thotë Berisha dhe ai nuk do të keqkuptohej sikur ta përfundonte menjëherë fjalinë që kishte ndërmend.
Ça tavani? – i thotë qytetari dhe shikon më kokën lart në tavan.
E biznesit…e TVSh-së edhe tatim-fitimit – thotë Berisha.
Ah… - ia kthen qytetari i painteresuar për këtë koncept paksa të komplikuar ekonomik.
Barometri i Euronews:
I vlerësuar si një nga sondazhet që ia qëllon më së shpeshti, Euronews dje publikoi edhe matjen e fundit në disa opsione, por ne po sjellim atë rreth përqindjes së partive politike dhe pëlqyeshmërisë së politikanëve dhe ai është si vijon:
PS - Edi Rama 47.9%
ASHM – Sali Berisha – 33.7%
Nisma SHB – Adriatik Lapaj – 6.7 %
PM – Agron Shehaj: 6.3 %
LB – Arlind Qorri – 1.4 %
Tjtetër 2 %
Pëlqyeshmëria e liderëve politik
Edi Rama 49.4 për qind
Agron Shehaj – 37.3%
Adriatik Lapaj – 35 % mendim pozitiv
Sali Berisha 33.5 % pozitiv

Për sondazhin e fundit, në Euronews Albania diskutuan gazetarë e opinionistë, mes tyre Berat Buzhala dhe Adri Nurellari.
“Sali Berisha nuk e frymëzon opozitarizmin. Rama po, ëstë në pushtet, e ka kapë shtetin. 190 mijë shqiptarë aktualisht punojnë në administratë, përkundër krejt kësaj. Sali Berisha është padyshim lideri kryesor i së djathtës por ai po tkurret te e djathta”, thotë Buzhala.
“Nuk ka valë opozitare. Unë do doja të kishte një valë opozitare, jo tani, por dje, para tetë vitesh. Ka mungesë të një dallge opozitare. Po të kishte në vende tjera, jo me skandale sic kanë ndodhur në Shqipëri, por më të vogla do mbusheshin sheshet. Pra këtu ka një lloj mpirje, një lloj amullie. Me këtë fotografi, kjo betejë nuk është betejë për të ndryshuar mazhorancën, por për të ndryshuar opozitën”, thotë Nurellari.