“Nuk punojmë me shqetësime”: Deklarata e Bislimit, që duket si "kritikë" ndaj Kurtit - NACIONALE

“Nuk punojmë me shqetësime”: Deklarata e Bislimit, që duket si "kritikë" ndaj Kurtit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, ka dhënë një prononcim të shkurtër për medie sot në Prishtinë. Ndonëse kishte deklarata të shkurtra, komentet e Bislimit ishin interesante. Madje, ato mund të lexohen si "kritikë" ndaj kryeministrit Albin Kurtit, por edhe si "shquarje" nga Kurti. Pse?

Dyshi i Qeverisë së Kosovës, pra vartësi i Kurtit, foli rreth draft-statutit të Asociacionit, që u publikua jozyrtarisht në medie nga ana e Burim Ramadanit, ish-kryeinspektor i AKI-së. Në përgjigjen e tij, Bislimi vlerësoi se ata (me shumë gjasë term pë të përshkruar Qeverinë e Kosovës) nuk punojnë me shqetësime.

Duke folur për draft-statutin e Asociacionit, Bislimi në mënyrë të vetëvendosur deklaroi se “vlerësimin e kushtetushmërisë” së draftit nuk e bëjnë as analistët nëpër studio, e as politikanët, por Gjykata Kushtetuese.

“Shqetësimet janë të individëve, të atyre që shpërndajnë drafte. Ne nuk punojmë me shqetësime, ne punojmë me analiza. Dhe për më tepër kushtetushmërinë e draftit të dërguar nga miqtë tanë ndërkombëtarë, e vërteton Gjykata Kushtetuese. As analistët nëpër studio, as politikanët. Janë njerëzit që marrin pagë mujore për me vlerësu kushtetushmërinë e dokumenteve të cilat u dërgohen atyre.” – deklaroi Bislimi gjatë një prononcimi të shkurtër për medie.

Por pse këto fjalë mund të lexohen si kritika?

E para, për dallim nga Bislimit, Kurti në disa raste e ka përmendur se Qeveria e Kosovës është e shqetësuar. Në disa intervista e paraqitje publike, Kurti ka treguar se ai është “i shqetësuar pothuajse gjatë gjithë kohës”.

“Unë jam i shqetësuar pothuajse gjatë gjithë kohës, por kurrë nuk kam frikë. Ne po punojmë shumë për të gjetur një rrugëdalje nga kjo. Rruga për të dalë nga kjo nuk duhet të jetë një rrugë kthese, por një hekurudhë.” – deklaronte Kurti.

Një deklaratë të ngjashme Kurti e kishte thënë edhe në një intervistë për Financial Times.

“Ne jemi të shqetësuar, por jo të frikësuar…Si do të zhvillohet situata do të varet shumë nga qëndrimi dhe presioni i demokracive perëndimore ndaj Beogradit.”deklaronte Kurti.

Për dallim nga Kurti i “shqetësuar pothuajse gjatë gjithë kohës”, Bislimi e bëri të qartë se nuk punon me “shqetësime”.

Por ka edhe një pjesë tjetër interesante në këtë prononcim të Bislimit, që sërish mund të lexohet si kritikë ndaj Kurtit. Ose, së paku, si një qëndrim më ndryshe nga Kurti. Në prononcimin e tij, Bislimi deklaroi se politikanët (por edhe analistët në studio) nuk e japin vlerësimin për kushtetutshmërinë e draft-statutit të Asocacionit.

Por është pikërisht shefi i Bislimit, pra Kurti, që ka dhënë vlerësime të tilla. Në disa raste, Kurti ka konkluduar se draft-statuti i Asociacionit është në përputhje me Kushtetutën.

“Në gjykimin tim politik, drafti ka një qartësi sa i përket njohjes së Republikës së Kosovës, si një shtet i pavarur në të cilin serbët do të jetojnë në përputhje me aspiratat multietnike të Kushtetutës dhe pa qëllim tjetër dëmtues minues për Republikën në njohje të shtetit sovran dhe të integritetit tonë territorial...Leximi ynë është që draft-propozimi për zbatimin e nënti 7 është i sjell nga pesë emisarët euro-amerikan duke u shkruar me kujdes për germat e Kushtetutës do të thosha më shumë se sa për frymën e tij." - deklaroi Kurti ditë më parë, duke shtuar se draft-statuti “qartazi nuk është Zajednicë”.

Edhe gjatë një interviste për ATV-në, Kurti bëri deklarata të ngjashme. Madje, Kurti e cilësoi draftin si pakrahasimisht më të mirë se marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015 dhe se e njeh shtetin e Kosovës.

“Është e çartë se ai draft statut është pakrahasimisht më i avancuar se siç kanë qenë në 2013 e 2015. Këtu janë çështjet e përmbajtjes, por unë do të thosha që kryesorja është se ky draft statut fillon me atë se në çfarë shteti ndodh kjo gjë. Pra, së pari kemi një pranim të thelbit dhe të kornizës e që është shteti demokratik, Republika e Pavarur e Kosovës dhe në anën tjetër, megjithatë, unë kam dërguar vërejtjet, komentet, kritikat e mia për këtë draft me datën 24 tetor, me qenë se natyrisht nuk është një draft i cili do të shkruhej prej meje saktësisht asisoj.” – theksoi Kurti.

Lajme të ngjashme