“Pakrahasimisht më i mirë se më herët”: Si u përpoq t’ia hedhte Kurti mbrëmë publikut për Zajednicën?
Është hera e parë që Kosova pranon draft të Asociacionit, dhe atë jo nga kushdo; por nga vetë arçnemesisi i këtij “institucioni”: Albin Kurti.
E ky kundërshtar i Asociacionit e ka një jetë të tërë politike të ndërtuar mbi atë refuzim, pengim dhe (para)ndalim të jetësimit të tij; prej artikulimit të saj më 2007 si “kancer brenda Kosovës” e gjer viteve të fundit.
Edhe mbështetësit më të madh të tij kaherë e kanë artikuluar nëpër studio televizive – e me ç’ka kanë etabluar opinion publik sikur dy plus dy që bëjnë katër – se Kurti “nuk e pranon” Asociacionin dhe se pranimi eventual i tij “do të ishte m’i mëshu shkelm krejt karrierës së tij”.
Kjo në masë më të madhe e të gjerë ka qenë linja e ndjekur edhe nga spin doctor-ët e Lëvizjes Vetëvendosje të angazhuar nëpër ekrane.
Por, këto janë “prequel”. Tash jemi në “sequel”. E seria është autonomia; dhe seriali është drejt konkludimit dhe epilogut.
Thënë në gjuhë popullore “ujku do’ mjegull”; analistë e mbështetës janë angazhuar tash në krijimin e një shtrese reje për të mos lënë të depërtojë pamje reale që shtrihet matanë horizontit.
E më i angazhuari në këtë, është vetë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili për nga frazimet s’e ka atë shoqin; ndërsa për nga përdredhja verbale e realitetit është magjist(a/ë)r.
Prej frazave shekspiriane te Mbreti Lir si “nuk mund të vendoset çerrja para kalit” tash Kurti ka shtruar udhën për të ngasjen e “çerres paralel me kalin”; derisa dje u ndal të vendos në piedestal me lëvdata draftin e ri të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, porse sikur një tregtar që e çon në qiell cilësinë e mallit të tij te blerësi.
Në një bisedë në ATV, tha se Statuti që ka pranuar “është e qartë që ai draft është pakrahasimisht më i avancuar se ç’kanë qenë më 2013 dhe 2015”.
Në këtë fjali janë një mori problemesh që.
E para, “e qartë” për kënd kur drafti s’është ndarë zyrtarisht me askënd, teksa është ndarë nga një person krejtësisht privat si Burim Ramadani, draft të cilin s’e ka demantuar Qeveria e Kosovës as Bashkimi Evropian.
E dyta: Si është më i mirë një draft që për referencë ka Rezolutën 12/44 e cila rezolutë “garanton sovranitetin dhe integritetin territorial të ish-Republikës Federale të Jugosllavisë”; dhe për më tepër Rezoluta 12/44 s’ka qenë asnjëherë në asnjë marrëveshje për Asociacion.
E treta: Drafte nuk ka pasur më 2013 dhe 2015 të pranuara nga Qeveri të Kosovës.
“Kryesorja është se ky draft statut fillon me atë se në çfarë shteti ndodh kjo gjë”, tha Kurti në vazhdim.
Se Asociacioni ku synohej të bëhej, "në cilin shtet", në Marrëveshjen e 2015 çfarëdo Statuti i nënshtrohet testit dhe vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e ku për më tepër vetë Serbia e ka nënshkruar në letër se e njeh këtë validim të Gjykatës Kushtetuese të shtetit të Kosovës.
“Për këtë arsye, edhe unë kam thënë se është i pakrahasueshëm me të tjerët, që përafroheshin në Bruksel në vitin 2013 dhe 2015 dhe ku në fakt nuk kishte barazi midis palëve”, shtoi Kurti.
S’i ka as tre muaj më parë kur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga Estonia deklarohej se bashkësia perëndimore, ShBA dhe BE “vetëm nominalisht na trajton të barabart me Serbinë, por në thelb jo” dhe atë referuar procesit të negociatave dhe marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve.
Ndërkaq tash, më i mirë qenka drafti për shkak të “barazisë” së postuluar sot e që dje postulonte “pabarazinë”.
Mjegulla, vazhdon të jetë ende e trashë.