"Nuk po duan ta hidhërojnë Kurtin": Sllogani i Bedri Hamzës shihet si i plogësht e i butë nga kritikët
Tejet i butë dhe i plogësht.
Kështu u pranua nga një pjesë e publikut sllogani “Ma mirë” i Partisë Demokratike të Kosovës, i shpaluar sot në konventën programore.
Tash e disa muaj PDK është vëzhguar skeptikisht nga publiku kritik për një përzbutje gjuhe ndaj pushtetit ndërsa me shpalosjen e slloganit, kritikët e panë si konfirmim përfundimtar
Gazetari Lirim Mehmetaj këtë sllogan e kuptoi kështu: “Albin Kurtit po i thonë që ajo që po e bën ti s'është keq, vecse mundet ma mirë”.
“Nuk po duan ta hidhërojnë. Kush e di. Ndoshta ju funksionon kjo strategji”.
Në këtë përkthim të logjikës, Mehmetaj e sheh PDK-në të përafruar me Vetëvendosjen: ani pse kjo parti, përkatësisht kryetari Memli Krasniqi, ditë më parë tha se “PDK nuk ka rrugë (bashkëqeverisje) me LVV-në”.
“Për mua si qytetar i Kosovës është e frikshme se si partia opozitare më e madhe në vend nuk ka vendosur të bëjë prerje të qartë dhe diferencim të krejtësishëm me regjimin që sot e sundon Kosovën”, shkroi Lirim Mehmetaj.
Aktivisti i Partisë Socialdemokrate, Nol Nushi, gjuhën e moderuar të Bedri Hamzës, e ka në shpërputhje me realitetin politik vendor.
“Si m’u kanë t’u garu në Zgjedhje Lokale në naj komunë në Skandinavi, e jo m’e qenë t’u e kundërshtu pushtetin autoritar me 50%”, ka shkruar Nushi.
PDK me Vetëvendosjen gjatë kësaj legjislature kanë pasur polemika prej më të rëndave deri edhe në përleshje fizike, ku PDK e vlerësonte madje edhe “pushtet kriminal në mbrojtje të terroristit Milan Radojçiq”.
Kjo pas publikimit të audioregjistrimeve të Shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, e cila bisedonte e koordinonte çështje ligjesh dhe votimesh me Srpska Listën e kryeterroristit Radojçiq.
Çfarë thotë tash PDK për Vetëvendosjen?
Memli Krasniqi, Kryetar i PDK-së, ditëve të fundit se partia e vet – ndonëse nuk ka vendosur ‘vija të kuqe’ – “nuk ka rrugë me Vetëvendosjen” në ndonjë koalicion eventual.
Për më tepër ai e quajti “spin” nga kundërshtarë politikë ajo që u paraqit si përafrim PDK-VV në takimin në ‘Garden’ muaj më parë.
“Po mirë u mundu me u spinu ndryshe, ka qenë qesharake. Me mendu dikush që për dy orë muhabet mes meje e Kurtit, mundet me u tejkalua hendeku gati dy dekadësh, nuk ka racionalitet. Vija të kuqe as para 10-15 vjete, për parim”, tha Krasniqi në “Paparaci”.
“Na nuk shohim rrugë me Vetëvendosjen. Vullnet s’ka. I kanë fshi vijat e kuqe secili me rend, i ka fshi LDK-ja, AAK-ja, Nisma, Vetëvendosja. E ne s’i kemi vendos, e për atë s’kemi pas çka me fshi. E te Vetëvendosja, nuk shoh rrugë me bë koalicion me ta. Nuk shoh rrugë të politikës. Ne kemi dallime enorme”, tha mes tjerash Krasniqi.
Bedri Hamza, që është i nominuar i PDK-së, s’e ka përjashtuar Vetëvendosjen, ndërsa ka preferuar që në rend të parë koalicion do të lidhte me LDK-në.
“Për mua koalicion i preferuar për shkak të programit, koncepte politike është më i pranueshëm me partitë në opozitë, me LDK-në”, ishte shprehur ai në “Debat Plus”.
“Me LVV-në, për shkak të dallimeve konceptuale, të kaluarës, nuk është koalicion i preferuar”, pati thënë ai.