“Nuk është për mburrje”, kritikohet Murati pasi u mburr me vlerën e buxhetit për komunat - NACIONALE

“Nuk është për mburrje”, kritikohet Murati pasi u mburr me vlerën e buxhetit për komunat

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetarët e Komunave të Kosovës tash e një kohë janë shprehur të pakënaqur sa i përket ndarjes së buxhetit për nivelin lokal nga Qeveria e Kosovës. Rreth kësaj, ministri i financave, Hekuran Murati sot përmes një shkrimi në Facebook, ka njoftuar se buxheti i komunave për vitin 2024 do të rritet në 742 milionë euro.

Ndarja e mjetet buxhetore është një ndër sfidat me të cilën janë përballur kryetarët e komunave të Kosovës, kështu duke paraqitur pakënaqësitë e tyre, disa para mediave dhe disa në adresën elektronike të ministrit Murati.

Ministri Murati, sot, përmes një postimi në Facebook, njoftoi se buxheti i komunave të Kosovës është rritur në 742 milionë euro, duke shtuar se buxheti për vitin 2024 është një rritje prej 90 milionë krahasuar me vitin 2023.

Nga ana tjetër, drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, nuk është shprehur i kënaqur me rritjen e buxhetit për komuna për vitin 2024.

Duke i reaguar ministrit Murati, i cili sot është lavdëruar me rritjen e buxhetit për komunat, Ibrahimi ka bërë me dije se përsëri 77.4% e buxhetit do të jetë për Qeverinë e Kosovës kundër 22.6 për qind për komuna.

Në një prononcim për gazetën Nacionale, ai ka thënë se Qeveria duhet ta rrit përqindjen e buxhetit për komunat.

I gëzohemi çdo euro që shkon më shumë për komuna, mirëpo vetëm 22.6% e buxhetit total të Republikës së Kosovës do të shkon vitin e ardhshëm për komuna, kurse 77.4% do të mbetet në nivel qëndror. Në vitin 2021 ka qenë 22.1% për komuna kurse 77.9% për nivel qëndror. Nuk ka dallim substancial në % për komuna. Këto ndarje vijnë si rezultat kryesor i formulave dhe politikave që janë hartuar në legjislacionin, i cili është hartuar në qeveritë e kaluara e që janë në fuqi edhe tani sa i përket ndarjeve buxhetore. Po flas gjithmonë për % -jen që ndahet për komuna.” - ka bërë të ditur Ibrahimi.

Ndërsa, sipas deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka thënë se kjo rritje nuk është për mburrje, pasi sipas tij ajo përqindja e vogël që po prezantohet është rezultat i rritjes së tatimit.

Shala tutje për Gazetën Nacionale ka thënë se Komunat e Kosovës duhet të kenë një buxhet më të lartë duke renditur disa arsyje.

Në bazë të deklaratës së ministrit të Financave, mburret me rritjen e buxhetit të niveleve komunale, gjë që nuk qëndron sepse edhe ajo përqindje e vogël që prezantohet është rezultat i rritjes së tatimit, nën një, dhe nën dy nuk është një rritje që duhet mburrur sepse parimisht kjo rritje do të duhet të ishte shumë më e lartë, për shkak të zhvillimit rural, për arsyeje të investimit në zonat komunale, për arsyeje të inflacionit të lartë dhe krizës së madhe, dhe për arsyeje të ikjes së investitorëve. Ne duhet patjetër që ta rrisim buxhetin e pushteteve lokale, për aresyeje që atyre të ju japim mundësi për projektet infrastrukturore, për projektet të agro-kulturës, për projektet e bujqësisë, ta rrisim shkallën e aktivitetit të investimeve kapitale në nivele kapitale, që sa do pak të krijojmë kushte dhe rrethana pune dhe kushte dhe rrethana të zbutjes së papunësisë dhe mbështetje direkte për vendet që janë jashtëzakonisht në situatë të rëndë dhe që kanë nevojë shumë për investime.” – ka thënë Shala.

Lajme të ngjashme