Ibrahimi, Muratit: Vetëm 22.6% e buxhetit do të jetë për komuna, 77.4% për Qeverinë
Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, nuk është shprehur i kënaqur me rritjen e buxhetit për komuna për vitin 2024.
Duke i reaguar ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili sot është lavdëruar me rritjen e buxhetit për komunat, Ibrahimi ka bërë me dije se përsëri 77.4% e buxhetit do të jetë për Qeverinë e Kosovës kundër 22.6 për qind për komuna.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, ai ka thënë se Qeveria duhet ta rrit përqindjen e buxhetit për komunat.
“I gëzohemi çdo euro që shkon më shumë për komuna, mirëpo vetëm 22.6% e buxhetit total të Republikës së Kosovës do të shkon vitin e ardhshëm për komuna, kurse 77.4% do të mbetet në nivel qëndror. Në vitin 2021 ka qenë 22.1% për komuna kurse 77.9% për nivel qëndror. Nuk ka dallim substancial në % për komuna. Këto ndarje vijnë si rezultat kryesor i formulave dhe politikave që janë hartuar në legjislacionin, i cili është hartuar në qeveritë e kaluara e që janë në fuqi edhe tani sa i përket ndarjeve buxhetore. Po flas gjithmonë për % -jen që ndahet për komuna”, ka thënë ai, duke treguar kërkesat e komunave.
“Komunat kërkojnë grantin e IV-të për investime kapitale e që kjo do e shtonte %. Pra % është me rëndësi, sepse vlera monetare rritet me rritjen e buxhetit të shtetit dhe duke marrë parasysh që qeverisë zakonisht i teprojnë shumë milionë euro është normale që ato mjete të pashpenzuara të barten. Në vitin e ardhshëm dhe buxheti rritet dhe me atumatizëm buxheti në vlerë monetare rritet për komuna, por shihni sa është dallimi në % me vitin 2021 për buxhetin e komunave. Qeveri, rriteni % për komuna, kjo është me rëndësi dhe konsultohuni me komuna për hartimin e ligjeve që prekin komunat, e jo të hartohen ligjet pa asnjë konsultë paraprake me komuna”, është shprehur Ibrahimi.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, përmes një shkrimi në Facebook, ka njoftuar se buxheti i komunave për vitin 2024 do të rritet për 742 milionë euro.
Murati ka thënë se buxheti për vitin 2024 është një rritje prej 90 milionë krahasur me vitin 2023.
“Buxheti i komunave për vitin 2024 arrin në 742 milionë euro. Dje kemi dorëzuar qarkoren e dytë për buxhetin komunal për vitin 2024, e cila parasheh që buxheti i komunave të rritet në 742.3 milionë euro. Po bëhet tashmë viti i dytë radhazi që rritja e buxhetit është në përqindje dyshifrore krahasuar me vitin paraprak. Në vlerë absolute, buxheti i vitit 2024 rritet për gati 90 milionë euro krahasuar me vitin 2023. Kurse nga fillimi i mandatit, për tri vite, buxheti vjetor i komunave është rritur për 195 milionë euro më shumë”, ka shkruar Murati.