“Nuk di si do t’ia bëjnë”, tha Kurti për 5 shtetet që s’e njohin Kosovën: Suedia i nis së pari diskutimet me to - NACIONALE

“Nuk di si do t’ia bëjnë”, tha Kurti për 5 shtetet që s’e njohin Kosovën: Suedia i nis së pari diskutimet me to

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenca Suedeze e Bashkimit Evropian ka konfirmuar se ka nisur konsultime me shtetet anëtare, në lidhje me kërkesën e Kosovës për t’u bërë anëtare e bllokut. Kryeministri Albin Kurti pati thënë se nuk dihet se “si do t’ia bëjnë pesë shtetet që nuk na njohin”, megjithatë, Suedia duket se diskutimet, fillimisht i ka nisur me këto vende. Çfarë u tha sot?

Në një diskutim me gazetarë të akredituar në Bruksel, siç raportoi Radio Evropa e Lirë, ambasadori i Suedisë në BE, Lars Danielson, ka konfirmuar nisjen e konsultimeve.

5 shtetet që s’e njohin Kosovën?

“…është e natyrishme që me to konsultohem së pari.” – ka deklaruar ambasadori Danielson, derisa foli rreth nisjes së konsultimeve.

Ai madje konfirmoi, se me disa shtete veçse ka zhvilluar takime.

“Ne po konsultohemi me shumë shtete për të parë se si do të vendosim rreth kësaj kërkese. Kemi pesë vende që nuk e njohin Kosovën dhe është e natyrshme që me to konsultohem së pari. Me disa tashmë jam takuar dhe po vazhdojmë takimet.” - ka thënë ai.

Danielson ka shtuar se vendimi është procedural, por ka rëndësi të madhe politike. Por ai theksoi, “se nuk dëshiron t’i paragjykojë rezultatet e konsultimeve”.

“Është një vendim procedural por ka një rëndësi të madhe politike. Nuk dua t’i paragjykoj rezultatet e konsultimeve por sapo të shoh se po ndërtohet konsensusi mes vendeve anëtare se si të veprohet do të njoftoj vendet anëtare. Kemi dy alternativa: T’ia bartim Komisionit apo të mos ia bartim Komisionit. Por po punojmë me shumë vullnet në këtë dosje.” – ka thënë ai.

“S’di si do t’ia bëjnë”

Kjo ishte deklarata që kryeministri Kurti ia kishte dhënë një intervistë gazetarit të ATV-së, kur ishte pyetur rreth qëndrimit të pesë shteteve që s’e njohin Kosovën, në lidhje me kërkesën e saj për anëtarësim.

“Nuk kërkohet konsensus por preferohet, nuk e di se si do t’ia bëjnë, por aplikimi i sotëm është dëshmi që ne nuk e duam pavarësinë vetëm si pavarësi nga Serbia, por edhe si pavarësi për integrim evropian.” – kishte thënë ai.

Kurti kishte pasur edhe “këshilla” për këto shtete, duke thënë se të njëjtat do të duhej ta “zbutnin” qëndrimin e tyre drejt ndryshimit të plotë, me rastin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE.

“Besoj që këto shtete, aplikimin do të duhej ta përdorin për ta zbutur qëndrimin e tyre drejt ndryshimit të atij qëndrimi, me ç’rast do t’i bashkoheshin shumicës së 22 shteteve që tash na kanë pranuar.” – tha ai.

A do të anëtarësohet Kosova 'para vitit 2144' në BE?

Sa i përket integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian, detaje rreth kësaj çështje kishte dhënë në një shkrim të tij, gazetari gjerman, Michael Martens.

Në një postim në Tëitter – sa sarkastik aq edhe kritik (ndaj BE-së) - gazetari Martens shkruante se “nëse negociatat e pranimit vazhdojnë me ritmin aktual, këto vende (Serbia, Shqipëria, Ukraina etj.) do të futen në BE për më pak se 150 vjet.”

Ai madje ishte futur edhe më në detaje. Mali i Zi do të futej në BE në vitin 2134.

“Tre kapituj për 26 muaj nënkupton se Komisioni i BE-së dhe Mali i Zi kanë pasur nevojë për 42 muaj për të përmbyllur një kapitull negociatash. Nëse vazhdon kjo shpejtësi, duhen edhe 112 vjet që të përmbyllen 32 kapituj.”

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, sipas tij do të futen në BE në korrikun e vitit 2144.

Por, a do të anëtarësohet Kosova më shpejt se vendet tona të rajonit?

Lajme të ngjashme