Norvegjia: Ne do të dërgojmë tanke në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur, duke përfshirë Leopardët
Ministri norvegjez i Mbrojtjes Bjorn Arild Gram ka premtuar se do të dërgojë tanke në Ukrainë "sa më shpejt të jetë e mundur". Kështu, Norvegjia u bë e fundit në një seri vendesh perëndimore që konfirmoi se do të dërgojë tanke të avancuara në Ukrainë.
Gram tha se ende nuk është vendosur se sa tanke do të dërgohen, duke shtuar se tanket e prodhimit gjerman Leopard 2 me siguri do të përfshihen në paketën e ndihmës ushtarake. Sipas të dhënave të disponueshme, Norvegjia aktualisht ka 36 tanke Leopard 2.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje Perëndimit për donacione tankesh prej muajsh dhe pas negociatave të zgjatura javën e kaluar, SHBA dhe Gjermania konfirmuan se do të dërgonin tanket e tyre në Ukrainë. Amerika ka premtuar se do të dërgojë 31 tanke të tipit Abrams dhe Gjermania 14 tanke të tipit Leopard 2. Polonia, Spanja dhe Britania e Madhe kanë premtuar gjithashtu dërgimin e tankeve të avancuara të prodhimit perëndimor. /Nacionale/