Njohja reciproke mes Kosovës e Serbisë, analistët e mirëpresin rezolutën e Parlamentit Europian
Parlamenti Europian ka miratuar një rezolutë që kërkon që marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të "bazohet në njohjen reciproke". Një kërkesë e tillë, u përmend për herë të parë nga ndonjë institucion i Bashkimit Europian, organizëm që ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Analistët e vlerësojnë si mundësi për Kosovën për të lobuar te pesë vendet mosnjohëse të BE-së.
Në raport theksohet se Parlamenti Europian e mbështet dialogun Beograd-Prishtinë.
“Raporti, i miratuar me 469 vota pro, 96 kundër dhe 72 abstenime, rikonfirmon mbështetjen e qartë të Parlamentit për dialogun Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE dhe rithekson rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme normalizimi, e cila është thelbësore për Serbinë dhe Kosovën”, thuhet në njoftimin e faqes së Parlamentit Europian ndër të tjera.
Eurodeputetët përgëzuan rritjen e stabilitetit politik të vendit dhe përkushtimin e Kosovës në rrugën europiane duke përsëritur thirrjen e tyre ndaj vendeve anëtare të BE-së që të heqin urgjentisht regjimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Çdo vonesë e mëtejshme do të minonte besueshmërinë dhe reputacionin e BE-së si një partner i besueshëm, ishte thirrja e Parlamentit Europian.
E hartuesja e këtij raporti, Viola von Cramon, tha që marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë duhet të konkretizohet me njohjen recirpoke.
“Marrëdhëniet me Serbinë duhet të normalizohen përmes një marrëveshjeje e cila duhet të bazohet në njohjen reciproke”, ka thënë deputetja gjermane, Viola von Cramon, e cila ka hartuar raportin për Kosovën.
Analisti Imer Mushkolaj, në lidhje me miratimin e kësaj rezolute, i tha Nacionales se Qeveria duhet ta shfrytëzojë këtë rezolutë për të bërë presion te vendet mosnjohëse duke përdorur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Institucionet kosovare duhet ta shfrytëzojnë këtë rezolutë për të bërë presion të vendet mosnjohëse të BE-së, por duhet ta përdorin edhe në dialogun me Serbinë. Kjo rezolutë është një kartë e rëndësishme për Kosovën, që të kërkojë përfundim më të shpejtë të procesit të dialogut dhe njohje reciproke.”
Njohësi i çështjeve politike, Drizan Shala, në një prononcim për Nacionalen tha se Parlamenti Europian është treguar mbështetës i Kosovës.
“Parlamenti Europian është treguar tejet bashkëpunues në lidhje me Kosovën dhe rrugën e saj drejt BE-së. Kjo është parë edhe në rezolutën dhe rekomandimet që janë bërë nga ky mekanizëm për Këshillin e Ministrave të BE-së, por që këta të fundit e zbatojnë një politikë destruktive në raport me proceset dhe progresin që ka bërë Kosova nga 2008. Parlamenti Europian ka mekanizma të cilët kanë vlerësuar që një prolongim i raporteve Kosovë-Serbi mund të prodhojë tensionim apo edhe konflikt duke interferu edhe Rusia si aleat i saj në procesin e Ballkanit Perëndimor”, tha ai.
Më tej Shala tha se kjo rezolutë është një tregues se diplomacia kosovare duhet të shtyjë përpara lobimin për të marrë njohjen nga 5 vendet e mbetura të BE-së të cilat ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008.
“Rezuluta dhe rekomandimet e dala janë një tregues që duhet diplomacia kosovare të avokojë arritjet e saj edhe te këto 5 shtete që s’e kanë njohur Kosovën, që Kosova është partner serioz në ofrimin e një aleance demokratike për një rajon stabil dhe të sigurt e cila është në frymën e BE-së”, tha ai për Nacionale.
Sa i përket Serbisë, Parlamenti Europian pati kritika rreth mungesës së progresit dhe kthimin prapa në çështjet thelbësore për anëtarësimin në BE, si dhe kërkoi normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Parlamenti mirëpret faktin që anëtarësimi në BE vazhdon të jetë qëllimi strategjik i Serbisë, ndërsa shpreh keqardhje për mungesën e progresit dhe madje edhe kthimin prapa në çështjet që janë thelbësore për anëtarësimin në BE.
Duke vlerësuar kthimin në një parlament më pluralist pas zgjedhjeve në Serbi më 3 prill 2022, anëtarët bëjnë thirrje për përparim në sundimin e ligjit, të drejtat themelore, lirinë e shprehjes, forcimin e pluralizmit mediatik dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Në seancën e PE-së janë miratuar raportet për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën. Në të tre raportet u bë thirrje për të mbështetur perspektivën europiane të këtyre vendeve.


