Tre probleme të reja për Evropën
Çmimi i gazit u rrit fuqishëm sot në tregjet evropiane, i nxitur nga frika e furnizimit të pamjaftueshëm për shkak të grevës së punëtorëve të naftës në Norvegji dhe mbylljes së paralajmëruar të gazsjellësit rus North Stream 1 për mirëmbajtje.
Çmimi i gazit në kontratat e ardhshme u rrit në bursën holandeze në rreth 175 euro për megavat orë, duke arritur nivelin më të lartë që nga marsi. Krahasuar me të hënën, ishte rreth tetë për qind më i lartë pas mesditës.
Mbyllja e gazsjellësit North Stream 1
Tregtarët kanë frikë për furnizimin pasi furnizuesi rus i gazit Gazprom reduktoi dërgesat përmes gazsjellësit North Stream 1 me rreth 60 për qind në javët e fundit për shkak të asaj që ata pretendojnë se ishte një vonesë në pajisjet e dërguara në Siemens të Gjermanisë për shërbim.
Rusia njoftoi gjithashtu mbylljen e gazsjellësit më 11 korrik për mirëmbajtje që zgjat zakonisht dhjetë ditë, por në Evropë frikësohen se gazi nuk do të arrijë edhe pas përfundimit të punimeve.
Grevë në Norvegji
Një problem shtesë me furnizimin u ngrit edhe në Norvegji, ku punëtorët e naftës hynë në grevë duke kërkuar paga më të larta për shkak të inflacionit të lartë. Tani për tani duket se dërgesat në vendet e tjera evropiane nuk janë reduktuar, por nëse prodhimi pezullohet për një kohë të gjatë, mund të reduktohen edhe eksportet.
Vitin e kaluar, Norvegjia ishte burimi i dytë më i madh i gazit natyror për Evropën, pas Rusisë, sipas të dhënave të Eurostat. Greva filloi natën nga e hëna në të martë dhe sindikatat dhe përfaqësuesit e kompanive parashikojnë një rënie të prodhimit të gazit këtë javë me 13 për qind.
Shoqata e Kompanive të naftës vlerëson se prodhimi i gazit do të ulet me 292,000 fuçi ekuivalente nafte deri të mërkurën, ose 13 për qind, njoftoi të dielën NOG. Qeveria norvegjeze ka thënë se po monitoron nga afër mosmarrëveshjen midis punëtorëve dhe kompanive të naftës. Në rrethana të jashtëzakonshme, Oslo mund të ndërhyjë dhe të ndalojë grevën, vëren Reuters.
Të mërkurën, greva do të zgjatet, gjë që do të nënkuptojë një reduktim edhe më të konsiderueshëm të prodhimit të gazit, për një total prej 292,000 boep në ditë, dhe mbylljen e 13 përqind të prodhimit, thanë Equinor dhe shoqata e punëdhënësve Norvegjez Naftës dhe Gazit (NOG ). Deri të shtunën, eksportet e gazit do të ulen me pak më shumë se një milion fuçi ekuivalente nafte në ditë, që korrespondon me 56 përqind të eksporteve ditore, shtuan ata.
Qeveria norvegjeze nuk pranoi të komentojë mbi grevën të martën.
Mbyllja në SHBA
Alex Froley, një analist në Independent Commodity Intelligence Services, i tha CNN Business se një çështje tjetër me të cilën do të përballet Evropa është mbyllja e një fabrike të madhe të gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Shtetet e Bashkuara.
Një zjarr në objektin Freeport LNG në Teksas muajin e kaluar ndaloi përkohësisht prodhimin. Ndryshe, uzina prodhon rreth një të pestën e eksporteve të LNG-së amerikane, sipas firmës analizuese Vortex. Në muajt e fundit, Evropa është mbështetur gjithnjë e më shumë në importet e LNG-së për të kompensuar rënien e furnizimeve me gaz natyror rus.
“Fabrika Freeport LNG ka qenë një burim i madh furnizimi për Evropën këtë vit dhe nuk pritet të kthehet më herët deri në tetor”, shtoi ai. /Nacionale/