Njohja e pasaportave ilegale serbe, Presidenca: Vendimi është ligjërisht i pazbatueshëm në Kosovë
Këshilli i Bashkimit Evropian ka marrë vendim për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës që kanë pasaporta ilegale serbe, të lëshuar nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë. Vendim i bllokut ka marrë një reagim të ashpër nga Presidenca me argumentin se brenda legjislacionit të Kosovës, një vendim i tillë “është i pazbatueshëm."
Këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina, kritikoi vendimin e BE-së, duke argumentuar se ai cenon shtrirjen e sundimit të ligjit në Kosovë.
“Ky vendim ndikon negativisht në shtrirjen e sundimit të ligjit në gjithë Kosovën dhe për të gjithë qytetarët e saj. Për më tepër, këto dokumente që përmbajnë informacione të pa verifikuara, mund të barten nga persona që mund të cenojnë drejtpërdrejt rendin dhe sigurinë edhe në BE”, ka thënë Kupina në një përgjigje për Klan Kosova.
Sipas tij, vendimi i BE-së është “ligjërisht është i pazbatueshëm në Kosovë”.
“Ky vendim i BE-së, ligjërisht është i pazbatueshëm në Kosovë, ndaj pasojat e tij nuk mund t’i marrë Kosova dhe institucionet e saj, sikurse as përgjegjësinë juridike dhe atë politike”, ka thënë ai më tej.
Ai më tej ka shtuar se ky vendim "bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe me standardet e vetë BE-së në fushën e sundimit të ligjit".
Në lidhje me vendimin e BE-së reagoi gjatë ditës edhe Qeveria e Kosovës. Klinsman Kadiu, këshilltar i zv/kryeministrit Besnik Bislimi, ka thënë se me këto pasaporta, shkelet integriteti territorial dhe sovraniteti i Kosovës.
“Shprehim zhgënjimin tonё me vendimin e marrë nga Bashkimi Evropian në lidhje me “liberalizimin e vizave” për mbajtësit e pasaportave ilegale të lëshuara nga autoritetet serbe, për qytetarët serb të Kosovës. Cilido vendim i Bashkimit Evropian, nuk e zhbën faktin që ato pasaporta vijojnë të mbeten ilegale, në shkelje të plotë të integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit tonë, e rrjedhimisht të papranueshme për Republikën e Kosovës. Ato pasaporta, do të vazhdojnë të mos njihen nga autoritetet tona”, u shpreh ai.
Sipas Kadiut, vendimi ka qenë i ngutshëm dhe pa i vërtetuar faktet në terren.
“Andaj, justifikimi i përdorur se bartësit e këtyre pasaportave ilegale do të mbeten të izoluar, është i pasaktë dhe në shpërputhje me realitetin. Poashtu, e pashpjegueshme është dhe ngutia e shfaqur për marrjen e këtij vendimi, pa vërtetuar faktet në terren, pa analizuar implikimet qё munden dhe do tё pёrcjellin zbatimin e vendimit, dhe pa konsultuar që nga fillimi institucionet e shtetit tonë”, thuhet në reagimin e Kadiut për mediat.
“Republika e Kosovës po zbaton politika në fusha të ndryshme, të cilat po i sjellin qytetarët më pranë institucioneve, e gjersa dhe me liberalizimin e vizave për Kosovën, pati rritje të ndjeshme e të prekshme të qytetarëve nga komuniteti serb të cilët u pajisën dhe po pajisen me dokumentat e Republikës sonë”, tha mes tjerash ai.