"Njeriu i zgjedhjeve": Ky proces nuk i plotëson standardet për t’u quajtur proces zgjedhor
Ismet Kryeziu nga Demokracia në Veprim që merret me monitorimin e zgjedhjeve, ka thënë se zgjedhjet që po mbahen në katër komunat veriore nuk plotësojnë standardet e zgjedhjeve.
Kryeziu në një lidhje direkte për RTK nga një qendër e votimit në Zveçan, ka thënë se procesi zgjedhor është më tepër improvizim i procesit zgjedhor sesa një proces që granton zgjedhje të drejta.
“Mendoj që Demokracia në Veprim në fillim të këtij procesi ka deklaruar se nuk ekzistojnë kushtet dhe rrethanat në të cilat jemi duke vepruar. Nuk janë rrethana që garantojnë zgjedhje të lira, të drejta dhe të barabarta, nuk plotësojnë standardet e zgjedhjeve. Dhe sot në këtë proces duke parë refuzimin e qytetarëve serbë për të marrë pjesë në zgjedhje dhe numrin e vogël që s’mund të kalojë as gishtërinjtë e dorës. Mendoj që ky proces është më tepër improvizim i procesit zgjedhor sesa një proces që garanton standardet e zgjedheve të drejta dhe të lira ku përfshihen komunitete.” – ka thënë ai.
Ai ka thënë se zgjedhjet nuk kanë legjimitet juridik e as politik.
“Unë mendoj se përveç legjitimitetit juridik, ky proces nuk ka legjitimitet politik. Mendoj që nuk i plotëson standardet ky proces për t’u quajtur proces zgjedhor i ndershëm dhe për të garantuar standardet dhe idenë pse po mbahen zgjedhjet.” – ka thënë ai.
Ndryshe deri më tani është raportuar dalje e ulët e qytetarëve në zgjedhjet në komunat veriore.
