Ekskluzive: Avancohen zyrtarët e komisionit të ankesave në IML, që i kthyen në punë të suspenduarit për mostrat e Deharit - NACIONALE

Ekskluzive: Avancohen zyrtarët e komisionit të ankesave në IML, që i kthyen në punë të suspenduarit për mostrat e Deharit

1 vit më parë

nga Besian Beha

Dy nga zyrtarët e komisionit të ankesave që i kthyen në punë të suspenduarit pas zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, janë avancuar në pozita. Këtë e ka konfirmuar gazeta Nacionale nëpërmjet një emaili të siguruar që iu ka shkuar të gjithë stafit në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Këto vendime vijnë pavarësisht që rregullorja e IML-së vazhdon të jetë subjekt trajtimi në gjykata. Nacionale sjell detaje.

Kur u kuptua se mostrat e Astrit Deharit janë zhdukur nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, Ministria e Drejtësisë i kishte suspenduar katër zyrtarë. Megjithatë, nuk kaluan shumë ditë, e të katër zyrtarët u kthyen nëpër pozitat që kanë pasur. Kjo pas një vendimi të Komisionit të Ankesave, i cili kishte vlerësuar se ka pasur shkelje në vendimin për suspendim.

E pak muaj pasi i kthyen në punë të suspenduarit për rastin Dehari, dy nga zyrtaret e Komisionit të Ankesave që morën këtë vendim, janë avancuar në pozita. Këtë gazeta Nacionale ka konfirmuar nga disa burime brenda Instituti të Mjekësisë Ligjore, dhe një Emaili që iu ka shtuar gjithë stafit nga Ditor Haliti që është zv/drejtor i IML-së.

Valdete Ejupi që ka qenë kryesuese e komisionit i cili i riktheu në punë të suspenduarit e rastit Dehari, kohë më parë nga zyrtare për financa ishe emëruar zv/udhëheqëse e departamentit për administratë. Me vendimin e ri Ejupi është avancuar sërish. Tashmë në pozitën e zv/drejtoreshës së divizionit për mbështetje mjeko-ligjore.

Kurse, anëtarja e atij komisioni Bergita Curri nga eksperte e mjekësisë ligjore, me vendimin e ri është avancuar në pozitën e zv/drejtoreshës në Divizionin për Cilësi. Kjo, pak muaj pasi komisioni ku Curri ishte anëtare, i kishte kthyer në punë të suspenduarit lidhur me zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.

Njoftimi për këto avancime iu ka shkuar të gjithë stafit në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Këtë njoftim e ka siguruar gazeta Nacionale. Aty thuhet se kjo po bëhet në kuadër të zbatimit të rregullores së re për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës. Rregullore e cila vazhdon të jetë subjekt trajtimi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas dyshimeve për shkelje.

Ministria thotë se s’di gjë, IML-ja asnjë fjalë

Kur të suspenduarit për rastin Dehari ishin kthyer në punë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte thënë se e kundërshtojnë një vendim të tillë. E kur këta zyrtarë u avancuan sërish, Ministria e Drejtësisë po thotë se s’ka qenë e përfshirë në këto vendime.

Gazeta Nacionale nga burimet e veta dhe nga sinjalizues të ndryshëm ka mësuar se Sindikata e Punëtorëve në IML, e ka njoftuar Ministrinë e Drejtësisë për të gjitha këto avancime.

Në një përgjigje për gazetën Nacionale, Ministria e Drejtësisë ka thënë se s’kanë qenë të përfshirë në këto avancime.

“Sa i përket pyetjeve tuaja lidhur me avancimin e zyrtarëve në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ju njoftojmë se ministrja Haxhiu dhe as kabineti i saj nuk kanë qenë të përfshirë në këtë proces të përzgjedhjes së kandidatëve, ashtu siç nuk janë të përfshirë në asnjë konkurs tjetër të publikuar nga Ministria e Drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

E në një deklaratë për Nacionalen dje, vetë ministrja Haxhiu tha se nuk ka informacion për këto avancime.

“Nuk jam në dijeni dhe do ta kundështoj ndonjë tendencë për avancim të ndonjë personi i cili po hetohet për zhdukjen e monstrave të Astrit Deharit. Siç jeni në dijeni tre persona kanë qenë përgjegjës për hapësirën ku ruhen provat. Fatëkeqsisht komisioni i ankesave i ka kthyer në punë, sepse siç e dini komisioni disiplinor i kishte suspenduar. Mirëpo unë në këtë drejtim nuk kam pasur mandat që të ndërhyjë, por nuk kam dëgjuar për ndonjë tendencë për avancim. Njëra nga personat që kanë pasur çasje, Flutura Goga ka qenë në proces të avancimit si drejtore e përgjithshme e IML-së. Ne kemi pezulluar këtë proces, deri sa prokuroria të na theksojë se cilat janë veprimet që i ka ndërmarrë dhe çka po ndodhë me këtë rast”, deklaroi dje Haxhiu për Nacionalen.

Në anën tjetër, zv/drejtori i Instituti të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti, rekomandoi që pyetjet fillimisht t’i drejtohen Ministrisë së Drejtësisë. Por, pasi ai u njoftua se kjo gjë ka ndodhur dhe me përgjigjen e Ministrisë, Haliti më nuk u përgjigj në pyetjet me shkrim të Nacionales.

“Te lutem drejtohu se pari te Zyra per Komunikim me Media ne MD me keto pyetje dhe pastaj ato me percillen mua, sepse ashtu jane procedurat”, deklaroi Haliti, për të mos u përgjigjur më asnjëherë në pyetjet e Nacionales.

Në mesin e personave të suspenduar për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, ka qenë edhe Flutura Goga, drejtoreshë e laboratorit të toksikologjisë dhe e emëruar dikur edhe si drejtoreshë në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Pse po ngutet IML-ja?

Këto vendime për avancimet e fundit në Institutin e Mjekësisë Ligjore, u thirrën në kuadër të zbatimit të Rregullores së re që ishte hartuar kohë më parë. Megjithatë, kjo rregullore vazhdon të jetë subjekt i trajtimit nga gjykatat.

Gjykata Kushtetuese këtë rregullore e kishte kthyer në rivendosje në Gjykatën Administrative në Prishtinë. Një vendim nga kjo gjykatë do të duhej të merrej deri në janar të këtij viti. Por deri më tani, Gjykata Themelore në Prishtinë ende nuk ka vendosur lidhur me Rregulloren për Sistematizimin e Punës në IML.

Nacionale ka siguruar dy letra të cilat avokati i Sindikatës së IML-së ia ka dërguar Gjykatës Kushtetuese lidhur me faktin që Gjykata Administrative ende nuk ka vendosur lidhur me rregulloren e re.

“Andaj duke u mbështetur në rregullin 66 par6, 7 dhe 8 të Rregullores së Punës, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për çështjen administrativem, nuk e ka zbatuar nenin e dispozitat të vendosjes së aktgjykimit të marrë nga kjo gjykatë, me numër KL.10/22. Ashtu që kërkojmë nga ana e juaj që të ndërmerrni të gjitha masat ndaj gjykatës së lartëcekur, pasi që nuk është duke zbatuar vendimin e obligueshëm të nxjerrë nga kjo Gjykatë”, thuhej në letrën që ka datën 17 mars 2023.

Nacionale ka raportuar ditë më parë se drejtoresha e toksikologjisë, Flutura Goga, aty ku u zhdukën mostrat e Astrit Deharit, po vazhdon të lëshojë raporte pa licencë. Ajo për një kohë të gjatë ka kryer analiza të gjakut e urinës pa qenë e licencuar që është në kundërshtim me Ligjin për Shëndetësi.

Lajme të ngjashme