Njëri për drogë, tjetri për ushtrim të ndikimit: Dy asamblistë të VV-së në Prishtinë u arrestuan për 1 vit
Besnik Mujeci i njohur për qëndrimet e tij të forta kombëtare, asamblist i VV-së në Prishtinë, u kap sot me mbi 11 mijë doza ekstazi në Tiranë. Por, ai nuk është i vetmi asamblist i Vetëvendosjes në kryeqytet që është arrestuar për pak kohë.
Berat Lahu, asamblist tjetër i Vetëvendosjes në Prishtinë, ishte arrestuar në shtatorin e vitit të kaluar. Ai dyshohet për dy vepra penale të ndërlidhura me rastin Brezovica: “Pranim i paarsyeshëm i dhuratave” dhe “Ushtrim i ndikimit”.
Lahu ishte suspenduar nga Vetëvendosja, kurse në muajin nëntor të vitit 2022 ishte liruar nga paraburgimi. Në dosjen e Prokurorisë ndaj Lahut, thuhej se asamblist i VV-së sa ishte punëtor i KEDS-it kishte kërkuar e pranuar dhurata nga disa persona për ta zhvendosur tensionin e mjetit elektrik në vikend-zonën e Brezovicës.
Sipas dosjes së Prokurorisë, Lahu kishte kërkuar e pranuar më pas një pronë në vlerë 20 mijë euro. Lahu që është edhe dhëndër i ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu
“Ekziston dyshimi i bazuar se në vitin 2018, në Shtërpcë, si punëtor i ndërmarrjes “KEDS” në Prishtinë, gjatë kryerjes së veprimtarisë ekonomike, ka kërkuar dhe pranuar dhuratë nga shfrytëzuesit e këtyre shërbimeve në atë mënyrë që për të kryer shërbimin e zhvendosjes së tensionit të mjetit elektrik në vikend-zonën e Brezovicës, për NN, si ndërmarrje ndërtimore e objekteve hoteliere dhe vikend-shtëpive, ka kërkuar dhe pranuar dhuratë një pronë të paluajtshme – sipërfaqe rreth 350m2, në vlerë rreth 20,000€ euro, nga NN, të cilën pronë e ka regjistruar në emër të djalit të vëllait”- thuhej në kërkesën e Prokurorisë e cila përshkruan edhe dyshimet për veprën tjetër penale.
“Ekziston dyshimi i bazuar se në vitin 2016, si drejtor i ndërmarrjes KEDS, filiali në Ferizaj, ka kërkuar dhe pranuar dhuratë me qëllim që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar, në atë mënyrë që ka pranuar dhuratë nga NN një parcelë me sipërfaqe prej 350 m2 në vlerë rreth 20,000€ (njëzet mijë euro), me premtim se do të ndikojë tek personat përgjegjës të ndërmarrjes KEDS në Prishtinë të cilët ishin duke realizuar një projekt për renovimin e rrjetit elektrik në rrugën rajonale Shtërpcë-Sharr, të cilin me kërkesën e ndërmarrjes ndërtimore NN që ishte duke kryer ndërtimet e objekteve hoteliere dhe vikend-shtëpizave, ka zhvendosur rrjetin elektrik të tensionit të lartë, me qëllim që t`i mundësohet ndërtimi i objekteve ndërmarrjes ndërtimore, edhe pse kjo zhvendosje duhet të kryhej në pajtim me projektin investiv të ndërmarrjes KEDS në Prishtinë, kurse nga investitori i vikend shtëpizave NN në Parkun Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, ka kërkuar 60,000 (gjashtëdhjetë mijë) euro për ta kyçur në trafon elektrike të KEDS-it”- thuhej në dosjen e Prokurorisë që rëndon ndaj të dyshuarit Lahu.
Në anën tjetër, kolegu i Lahut në parti e në Kuvendin Komunal, Besnik Mujeci, sot u arrestua për trafik droge. Atij dhe 4 personave të tjerë iu gjetën 11 mijë doza ekstazi.
Mujeci që ishte emëruar para pak kohësh si aksionar në Stacionin e Autobusëve, dyshohet se drogën e ka dërguar nga Kosova me autobusë duke shfrytëzuar sezonin turistik. Droga e gjetur ishte në vlerë prej 400 mijë eurosh.
“Nga hetimet ka rezuluar se këta shtetas, duke shfrytëzuar fluksin e sezonit turistik i kalonin dërgesat nëpërmjet linjave të autobusave Prishtinë-Tiranë. Pasi dërgesat arrinin në Tiranë, transportoheshin me autovetura të marra me qira në Tiranë dhe në qytete të tjera, kryesisht bregdetare, dhe vendet e shkëmbimit caktoheshin në vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish. Për arritjen e marrëveshjeve me shpërndarësit e drogave sintetike në Shqipëri, trafikantët kërkonin pagesa paradhënie, ose edhe lënien e automjeteve si garanci”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.
Ky arrestim ka nxitur reagime të ashpra, ndërsa VV-ja ka hapur procedurë disiplinore ndaj Mujecit.

