“Njëherë po nisem, pastaj mendoj”: A i fyu Kurti kosovarët që po migrojnë për një jetë më të mirë?
Në një injorim të qëllimshëm të gjetjeve në raportet ndërkombëtare, si ato të Komisionit Evropian dhe Bankës Botërore, që theksojnë se vështirësitë e rënda ekonomike janë shtytësi kryesor pas migrimit masiv, Kryeministri Albin Kurti, pak më shumë se një muaj para zgjedhjeve të ardhshme, ndërtoi një narrativë krejtësisht të re rreth këtij fenomeni. Sipas Kurtit, kosovarët — sidomos të rinjtë — nuk po largohen për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, por për shkak të asaj që ai e quan një “eufori iracionale” dhe vendimmarrje të nxituar.
“Përshtypja ime, bazuar në përvojën që kam, për shkak të mërgatës shumë të madhe që kemi në Gjermani, është se ata e kanë shndërruar Gjermaninë, për gjithë popullin tonë, në një lloj psikologjie brenda ekonomisë; default option (opsioni i paracaktuar)," deklaroi Kurti gjatë një interviste në podcastin "Rrjedha".
"Kjo do të thotë që fillimisht thua Gjermania, pastaj mendon. Nuk mendon para se të thuash Gjermania. Pra, vendos: po shkoj në Gjermani, njëherë nisesh, pastaj mendon. Mendimi vjen pas blerjes së biletës, nuk vjen përpara,” shtoi ai.
Kurti argumentoi se situata në Kosovë “nuk është aq e keqe sa duket,” duke mohuar idenë që dëshpërimi ekonomik nga dështim për të ofruar mundësi për të rinjtë është motivi kryesor i migrimit.
Megjithatë, Raporti i Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2024 pasqyron një kontrast të thellë me pretendimet e kreut të qeverisë, duke ofruar një tablo shumë më shqetësuese rreth arsyeve që nxisin kosovarët të migrojnë.
Raporti i Komisionit Evropian nxjerr në pah probleme të thella që ushqejnë krizën e migrimit në Kosovë. Një nga gjetjet më alarmante është se 33.4% e të rinjve të moshës 15-24 vjeç nuk janë as në arsim, as në punësim dhe as në trajnim — norma më e lartë në Ballkanin Perëndimor.
“Hendeku gjinor në punësim (normat janë 53.4% për burrat dhe 19.8% për gratë) është zgjeruar. Në vitin 2023, përqindja e të rinjve (të moshës 15-24) që nuk janë në punësim, arsimim ose trajnim (NEET) u rrit pak në 33.4%, nga 33% në vitin 2022, që është gjithsesi më e larta në rajonin e Ballkanit Perëndimor.” – thuhet në Raportin e Progresit.
Për më tepër, Kosova vazhdon të vuajë nga një hendek i gjerë gjinor në punësim, ku vetëm 19.8% e grave janë të punësuara krahasuar me 53.4% të burrave.
Raporti gjithashtu thekson mungesën e infrastrukturës dhe zhvillimit ekonomik, të cilat paralizojnë më tej fuqinë punëtore dhe potencialin ekonomik të Kosovës.
Raporti i Bankës Botërore, "Ruajtja e Ritmit të Rritjes," e lidh gjithashtu migrimin masiv në mënyrë të drejtpërdrejtë me dëshpërimin ekonomik.
Raporti thekson se normat e punësimit në Kosovë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor (60.3% në vitin 2023) janë dukshëm më të ulëta krahasuar me ato të BE-së (70.4%), duke i bërë punët më të paguara në Gjermani, Austri dhe Zvicër një zgjedhje të parezistueshme për kosovarët që kërkojnë një cilësi më të mirë jete.
"Në vitet e fundit, motivet ekonomike kanë qenë shtytësi kryesor për emigracionin. Shumica e migrantëve lëvizin në kërkim të mundësive më të mira për punësim dhe pagave më të larta. Shkalla e punësimit në vendet e ËB6 është dukshëm më e ulët krahasuar me ato të vendeve të destinacionit (60.3 për qind në vitin 2023, krahasuar me 70.4 për qind në BE)", thuhet në raport.