Një muaj nga skandali i ambasadorit Berishaj, asnjë veprim nga institucionet - NACIONALE

Një muaj nga skandali i ambasadorit Berishaj, asnjë veprim nga institucionet

1 vit më parë

nga NACIONALE

Janë bërë një muaj nga përfshirja e ambasadorit Martin Berishaj në skandalin financiar në Slloveni, ndërsa ai vazhdon ta përfaqësojë Republikën e Kosovën në Kroaci.

Ndaj aferës së madhe financiare, e cila bëri bujë në gjithë rajonin, institucionet e Kosovës ende nuk kanë ndërmarrë as një veprim.

Ndonëse partitë opozitare dhe shoqëria civile kanë kërkuar shkarkimin e tij, Presidenca, Kryeministri dhe Ministrja e Punëve të Jashtme nuk e kanë parë të arsyeshme ndërmarrjen e ndonjë mase ndaj ambasadorit Berishaj.

Që nga data e 21 prillit kur ndodhi skandali, as edhe një sqarim nuk është dhënë nga eprorët e Berishajt për këtë çështje.

Deri tani i vetmi veprim që dihet është ai i Agjencionit kundër Korrupsionit, për fillimin e procedurave për verifikim të pasurisë së tij të fshehur.

Yll Buleshkaj, drejtori i AKK-së, në një përgjigje për Nacionalen ka thënë se janë shumë afër përfundimit të mbledhjes së informatave, pa dhënë asnjë detaj më shumë.

“Për rastin në fjalë, ju njoftojmë se Agjencia kundër Korrupsionit aktualisht është në përfundim të fazës së mbledhjes së informatave dhe bazuar në dëshmitë dhe informatat e siguruara, brenda afateve ligjore, AKK do të ndërmarrë veprime konform legjislacionit në fuqi”, thotë Yll Buleshkaj, drejtor i AKK-së.

Për çfarë akuzohej ambasadori Berishaj?

Në fillim, ambasadori Berishaj dyshohej se i kishte bartur rreth 600 mijë euro CASH nga Mali i Zi në Slloveni për tek politikani slloven Robert Golob, i cili më pas është zgjedhur kryeministër i Sllovenisë.

Një pjesë të këtyre mjeteve, atij i ishin transferuar nga kompania GEN, dega në Beograd, në kompaninë e tij “M Consulting” në Mal të Zi në emër të shërbimeve këshillimore.

Pas kësaj, i njëjti kishte gënjyer në deklarimin e pasurisë, pasi që nuk e kishte përmendur fare kompaninë në Mal të Zi, ku kishte fituar 600 mijë euro.

Por, emri i tij u lakua edhe në temën e energjisë elektrike, ku kompania GEN me zyrat e saj në Beograd, rezultoi se kishte marrë miliona euro nga buxheti i shtetit, pikërisht në kohën kur vendi po përballej me kolaps energjetik, e në të cilën, ambasadori thuhet se ishte këshilltar i saj.

Berishaj kishte të hapur edhe një biznes në Hajvali me afaristin slloven, Janez Bukovnik, i cili ishte i përmendur për një pagesë astronomike pas pensionimit të tij.

Krerët e shtetit i besuan Berishajt, hodhën poshtë akuzat

Presidentja Vjosa Osmani, në një konferencë për media kishte zgjedhur të tregohej e ashpër me gazetarët në momentin kur është pyetur për skandalin ku është përfshirë ambasadori i Kosovës në Zagreb, Martin Berishaj.

Osmani i kishte akuzuar mediat për konstatime të tilla.

“Kjo s’është pyetje, është konstantim. Është për keqardhje se si ju konstatoni një gjë për një ambasador të Republikës së Kosovës, e cila nuk është konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë, por është shkruar nga një media për të cilën ambasadori e ka mohuar në tërësi dhe do t’i ndjekë rrugët ligjore”, kishte thënë Osmani.

Ndërsa, kryeminsitri Kurti rreth këtyre skandaleve kishte thënë se raportimet janë të pavërteta.

Zëdhënësi ynë i qeverisë e ka dhënë qëndrimin dhe po ashtu ambasadori Berishaj e ka bërë një deklaratë me të cilën tregon se ato janë të pavërteta dhe se do ta padisë mediumin i cili ka shpifur asisoj”, kishte thënë Kurti.

Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kishte thënë se duhet pritur që drejtësia të vendosë për rastin.

Ambasadori Berishaj njihet si mik shumë i afërt i kryeministrit Kurti. Ai ka qenë ndër të parët që kishte shkuar për të festuar në selinë e LVV-së pas fitores në zgjedhjet e vitit të kaluar. Një raport i tillë i ishte shpërblyer pa humbur kohë, duke e emëruar ambasador të Kosovës në Kroaci.

Lajme të ngjashme