"Një ministre e Qeverisë cënoi faktin që jam grua e nënë": Kica-Xhelili thotë se Kusari nuk reagoi atëherë
Deputetja nga radhët e LDK-së, Doarsa Xhelili, ka reaguar ndaj shefes së grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusarit, e cila i ka cilësuar si gjuhë seksiste komentet e bëra ndaj saj gjatë një debati në Kuvend, ku i është përmendur historiku i kolacioneve në të cilat ka qenë ndër vite.
Në një postim në Facebook, Xhelili ka kujtuar një rast kur ajo është ndjerë e cënuar nga një ministre për faktin që është grua, nënë e vajzë, ndërsa ka thënë që atë kohë nuk kishte pasur ndonjë reagim nga Kusari-Lila, apo ndonjë deputet e deputete e shumicës.
“Mbaj mend kur një ministre e kësaj qeverie, gjatë një debati në Kuvend, mu kthye dhe u mundua ta ku i cënojë faktin që jam grua, e nënë e një vajze. Ky pat qenë argumenti i saj ndaj meje – argument ky që kurrë nuk e kishte përdorur ndaj një burri. Nuk mbaj mend që shefja e grupit parlamentar të VV të ketë reaguar atëherë. As ndonjë deputet a deputete e shumicës. E as ndonjë organizatë që mbron të drejtat e grave në Kosovë. As kur nuk u pat votuar Rezoluta që mbronte pikërisht të drejtat e grave,”- ka shkruar Xhelili.
Ajo më tej ka shtuar se reagimet pas komenteve të bëra ndaj Kusarit janë të koordinuara dhe të ekzagjëruara.
“Ndërkaq sot, kur shefes së grupit parlamentar të VV iu përmend historiku i koalicioneve, e njerëzit të cilëve i ka shërbyer gjatë pushteteve disavjeçare (gjithmonë në cilësi të pozitave publike që realisht i kishte pasur, dhe pikërisht në kontekst politik), DISI, po mëtohet të shitet si gjuhë seksiste e mizogjene dhe reagimet janë sa të koordinuara, aq edhe të ekzagjeruara,”- është shprehur më tej ajo.
Duke i cilësuar standardet e dyfishta, ekzagjerimet dhe manipulimet si gracka të këqija të kauzave të vërteta, Xhelili ka shtuar se “kazuat shkatërrohen kur banalizohen”.
