Një çift i ri në Iran ka postuar një video të tyre duke kërcyer në rrugë, ata u dënuan me 21 vite burg - NACIONALE

Një çift i ri në Iran ka postuar një video të tyre duke kërcyer në rrugë, ata u dënuan me 21 vite burg

3 vjet më parë

nga Lirim Krasniqi

Një gjykatë në Iran dënoi një të ri dhe të dashurën e tij me nga 10 vjet e gjysmë burg secili pasi ata postuan një video në rrjetet sociale duke kërcyer pranë sheshit Azadi të Teheranit, raportoi dje Agjencia e Lajmeve për të Drejtat e Njeriut (HRANA).

Çifti i cili u arrestua më 1 nëntor të vitit të kaluar në shtëpinë e tyre pas publikimit të videos, u dënua edhe me dy vjet ndalim të përdorimit të internetit dhe daljes nga vendi, shkruan Al Arabiya.

Vendimi u dha nga Gjykata Revolucionare në Teheran e kryesuar nga Abolqasem Salavati, një gjykatës famëkeq i njohur për shqiptimin e dënimeve të ashpra ndaj individëve të konsideruar si kërcënim për Republikën Islamike.

Autoritetet u përpoqën të shtypnin me dhunë protestat

Aktivistët nga HRANA njoftuan se çiftit iu mohua përfaqësimi ligjor gjatë procedurave gjyqësore, duke cituar një burim të afërt me familjen e Haghighi. Autoritetet iraniane nuk e komentuan rastin, dhe vendimi erdhi në një kohë kur qeveria po përpiqet të shuajë protesta disamujore kundër regjimit që filluan pas vdekjes së gruas kurde iraniane Mahsa Amini më 16 shtator.

Amini, 22 vjeç, vdiq pak pasi u arrestua nga policia morale e Teheranit për dyshimin se nuk respektoi rregullat strikte të regjimit të hixhabit. Autoritetet u përpoqën të shtypnin me dhunë protestat, të cilat shpejt u përshkallëzuan në thirrje për përmbysjen e Republikës Islamike, e cila rezultoi në vdekjen e qindrave dhe arrestimin e mijëra njerëzve. /Nacionale/

Lajme të ngjashme